Shkruan: Dr. Shefqet KRASNIQI
Java e kaluar për myslimanët ishte e hidhur, dhe e tillë vazhdon edhe kjo javë. Sikur nuk po mjaftojnë lajmet e këqija për masakrat që është duke i bërë kryekrimineli Esedi, vetëm se, me gjasë për tua shtuar dhimbjen dhe shqetësimin, armiqtë e fesë, publikuan edhe një film që fyen rëndë personalitetin e Muhammedit [alejhiselam]. Por, siç e dini, kjo nuk është hera e parë dhe as e fundit ku armiqtë e Islamit dhe kundërshtarët e paqes përpiqen ta ndezin fitilin e sherrit dhe konfliktit ndërmjet botës islame dhe asaj perëndimore, vetëm se, që nga ‘pranvera arabe’ e këndej, këto tentativa kanë marrë tatëpjetën. Pranvera arabe, ndonëse projekt i papërfunduar, megjithëkëtë, ka dhënë frytet e saja në shumë vende arabe, e me theks të veçantë në Egjipt, vend të cilin janë munduar dhe po mundohen ta fusin në trazira dhe konflikte ndërfetare, në mënyrë që Mursi të dështojë, e me këtë kinse të provohet si e pasuksesshme perspektiva islame për këto vende.
Kjo ndodhi –sipas mendimit tim- është një hallkë vazhduese e fyerjeve ndaj myslimanëve dhe lëndim i ndjenjave të tyre. Në vitin 1988 doli në shitje libri “Vargjet satanike” i autorit anglez me origjinë indiane Selman Rushdiu, i cili fyeu rënd Profetin Muhamed dhe përqeshi Islamin, më pas publikimi i karikaturave, gjithashtu fyese, nga një danez, pastaj djegia e Kur’anit nga një pastor në Amerikë dhe gjëra tjera, deri tek ky film, i cili pa pikë dyshimi është tendencioz dhe që lëndoi shumë rëndë ndjenjat e myslimanëve gjithë andej nëpër botë. Për pasojë, pati protesta të mëdha në shumë vende të botës, e që arritën kulmin në Libi ku u vranë ambasadori amerikanë me disa diplomatë të tjerë. Ndërsa në Egjipt pati shumë të lënduar. Protestat ende po vazhdojnë, e si rezultat i së cilave kompania GOOGLE ka tërhequr nga faqet e saja inserte të këtij filmi nga shumë vende të botës Islame, bile edhe vet Shtëpia e Bardhë ka kërkuar që të pezullohet ky film.
Reagimi i myslimanëve ndaj këtij filmi, e që kanë për qëllim mbrojtjen e personalitetit Muhamed [alejhiselam], është shumë me vend, bile është edhe obligim moral dhe fetar, i ligjësuar dhe e kërkuar nga çdo mysliman. Personaliteti i tij duhet të mbrohet me plotë dashuri dhe xhelozi. Ai ka përparësi ndaj pasurisë sonë, familjes sonë dhe ndaj vetvetes sonë.
Mirëpo, mu ai Profet, mu ajo shëmbëlltyrë, mu ajo dritë dhe nuri na mëson për vetëpërmbajtjen nga hidhërimi, si dhe për mënyrat e trajtimit të fyesve. Ai u fye sa ishte gjallë, por nuk vrau dhe nuk derdhi gjak. Ai ishte shëmbëlltyrë në paqe dhe në luftë, me miq dhe me armiq. Andaj ne duhet të punojmë sipas etikës së tij ashtu që nuk duhet ta mbrojmë atë duke i thyer ato dispozita me të cilat ai i bekuar punoi me to dhe na urdhëroi për to. Ai na urdhëroi t’i respektojmë marrëveshjet e bëra me jomyslimanë. Ata që hynë ne vendet islame, ambasador, tregtarë, e të tjerë duhet trajtuar në përputhje me marrëveshjen. Pejgamberi [paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!], siç transmeton Buhariu, ka thënë: “Nuk ka për ta ndier erën e Xhennetit ai që mbyt një jomysliman nën protektorat!” Ai ndaloi që të mbyten të deleguarit, madje edhe në rastet kur ata janë përfaqësues kriminelësh, siç ishte rasti me të deleguarit e Musejleme Kedh-dhabit,[1] të cilët thanë gjëra fyese për Islamin dhe myslimanët, por që nuk u mbytën, për shkak, se siç tha i Dërguari i Allahut [paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!]: “Sikur të deleguarit të mbyteshin, do t’iu mbysja ju të dyve!”. Dhe këtë e kanë trajtuar edhe juristët islam me renome si Muhamed Hasen Shejbani i cili thotë: “: “Parimisht, Prijësi i myslimanëve duhet t’i mbrojë ata që janë nën mbrojtjen e shtetit tonë, për derisa janë në shtetin tonë, të gjykoj me drejtësi ndaj atyre që i kanë bërë padrejtësi, (pra të sillet me ta) ashtu siç e ka obligim të sillet me Ehlu dhimmeh (jomyslimanët që jetojnë në shtetin islam me kontratën përkatëse).” Andaj ne përpos që i përkrahim protestat në mënyrë paqësore, konsiderojmë gjithë ashtu se ne muslimanët e kemi për detyrë që të punojmë më shumë që ta bëjmë personalitetin e Pejgamberit Muhamed [alejhiselam] në nivel global shembullin më ideal dhe më meritor për nderim dhe respektim. E gjithherë ka patur dhe do të ketë armiq dhe kundërshtar të Zotit lartë në qiell dhe të njerëzve të mirë e të ndershëm në tokë, zaten për këtë ka mbet edhe xheneti dhe xhehenemi. Kaq për këtë javë, e shihemi javën tjetër, inshaAllah! Deri atëherë, Selam alejkum!