Falënderimet dhe lavdërimet janë për Allahun, Zotin e gjithë botëve. Paqja, mëshira dhe bekimet janë për Muhamedin, familjen dhe shokët e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, ndërsa udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) Veprat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është lajthitje e çdo lajthitje të çon në zjarr.
Të nderuar besimtarë!
Islami i ka edukuar bijtë e vet që ata ta ndiejnë thellë ndjenjën e unitet, vëllazërisë, afërsisë, dashamirësisë, respektit, sepse ata i takojnë një umeti islam dhe po në këtë Islam kanë thirrur të gjithë të dërguarit e Allahut që nga Ademi (alejhi selam) e deri te Muhamedi (salallahu alejhi ue selem).
Allahu i Lartësuar në Kuran ka thënë:
‘’Kjo fe (Islami) është e juaja dhe është e vetmja fe (e shpallur), kurse Unë jam Zoti juaj, pra më adhuroni vetëm Mua.’’Enbija, 92.
Edhe hadithet, thëniet profetike, janë të shumta që e ushqejnë besimtarin me ndjenjën e vëllazërisë dhe dashamirësisë. Muslimanët duhen të jenë si një trup dhe të dashur me njëri-tjetrin, sepse kështu realizohet vëllazërimi i sendërtuar mbi bazat e imanit.
Padyshim që tua dëshirosh të tjerëve atë qe ke në qejf për vete, është parim në Islam, madje kjo është edhe pjesë plotësuese e besimit. Ai i cili nuk është i stolisur me këtë cilësi, edhe besimi i tij është i mangët. Në vazhdim po ndaj vetëm disa hadithe që së bashku t’i kujtojmë apo t’i rikujtojmë.
Muslimi transmeton hadithin nga Ebu Hurejra se Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nuk do të hyni në xhenet, derisa të besoni dhe nuk do të besoni, derisa të duheni ndërmjet jush. A doni t’ju udhëzoj për diçka që, nëse i përmbaheni, do të duheni në mes vete? Atëherë, jepni ndërmjet vete selam!”
Po ashtu, transmeton Muslimi nga Ebu Hurejra ku Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Allahu i Madhëruar Ditën e Gjykimit do të thotë: ‘Ku janë ata që janë dashur në emër të Madhërisë Sime? Sot do t’i vendos nën hijen Time, në ditën ku nuk do të ketë hije (mbrojtje) tjetër përveç hijes Sime.’”
Gjithashtu, transmeton Buhariu dhe Muslimi po nga Ebu Hurejra hadithin e njohur ‘’Shtatë lloje (grupe) të njerëzve që do të jenë nën mbrojtjen e Allahut të Lartësuar në Ditën e Kiametit’’. Njëra nga këto grupet është: “..Dy njerëz të cilët duhen në emër të Allahut, janë shoqëruar dhe të tillë kanë mbetur deri në ndarje (vdekje).”