NJU JORK-Pasi u rimëkëmb nga falimentimi vitin e
kaluar, prodhuesi amerikan i makinave në Detroit, General Motors,
premtoi të bëhej një kompani më efikase, duke shitur më shumë makina që
kërkohen nga konsumatorët. Një prej makinave që General Motors shpreson
për sukses në të ardhmen është Chevrolet Volt, që funksionon me
karburant dhe elektrik. Volt është makina e parë në një seri makinash
të tilla, prodhuesit e të cilave premtojnë se do të krijojnë një farë
pavarësie nga karburanti. Por siç vihet në dukje në materialin në
vazhdim, ndërsa prodhuesit e këtyre makinave duan t’i karakterizojnë
ato si makinat e së ardhmes, teknologjia e re dhe çmimi i tyre, mund
t’i mbajnë larg blerësit.
Inxhinjerët thonë se kjo makinë mund të udhëtojë deri në 64 kilometra para se të fillojë të përdorë karburant.
Ajo përdor një bateri shumë moderne, që mund të karikohet si çdo pajisje elektrike.
General Motors shpreson që ideja e një makine eletrike ta bëjë Voltin makinën më të shitur.
“Volt është makina elektrike e së ardhmes”.
Don Hillebrand, drejtor i qendrës Argon për studimet e transportit, thotë se General Motors ka investuar shumë tek Volti.
“Është
një rrezik i madh që po ndërmer General Motors. Dhe rreziku nuk ka të
bëjë thjeshtë me punën dhe fondet, por edhe me reklamat që kjo kompani
bën për këtë makinë”.
Pasi General Motors arriti në një pikë
tepër të vështirë, duke kërkuar mbrojtje nga ligji i falimentimit, gjë
që çoi në eliminimin e shumë modeleve, si Saturn, Hummer, Saab dhe
Pontiac, kompania e përqëndroi vemendjen në modelet e mbetura si
Kadillak, Buick, GMC dhe Chevrolet. Në një numër panaire automobilësh
këtë vit, General Motors po reklamon makina më moderne dhe më efikase,
që ka në plan të shesë në të ardhmen në përpjekje për të tërhequr
konsumatorët dhe për të konkuruar me prodhuesit e huaj të makinave.
Volti është në qendër të strategjisë së kompanisë General Motors.
Për
shkak të kostos së teknologjisë së baterisë për këtë makinë, modelet e
saj të para do të jenë më të shtrenjta se shumë makina të prodhuara nga
General Motors.
General Motors nuk ka folur rreth çmimit të kësaj
makine, por analistët parashikojnë se ajo mund të shitet për rreth 35
mijë dollarë.
(d.b/VOA/BalkanWeb)