-"Nuk janë besimet që i vendosin njerëzit kundra njëri-tjetrit, por politikat që i përdorin si pretekst besimet", u shpreh, kryeministri Sali Berisha, gjatë një takimi me kryetarët e Bashkësive Islame të Ballkanit, të cilët ndodhen në Tiranë, në kuadër të punimeve të Konferencës së 6-të të tyre.
Kryeministri Berisha theksoi rëndësinë e madhe të dialogut me njëri-tjetrin, nga i cili nuk duhet të lodhet askush, ndërsa veçoi shembullin e Shqipërisë, besimet fetare të së cilës nuk e përçanë për asnjë moment këtë komb.
Edhe Ballkani mund të jepet si shembull në botë për bashkekzistencën paqësore të besimeve fetare", tha ai. Kryeministri u tha kryetarëve të Bashkësive Islame të Ballkanit se homologët e tyre në Tiranë e nisën nga zero ringritjen, pas batërdisë që bëri komunizmi, me prishjen e gjithë infrastrukturës së këtij besimi, e cila sot e rindërtuar tërësisht do të kurorëzohet me xhaminë e madhe të Tiranës. Prof. Dr. Mehmet Gormez, kryetar i Komunitetit Mysliman të Turqisë, falënderoi personalisht, në emër të kryetarëve të Bashkësive Islame të Ballkanit,
Kryeministrin Berisha për mbështetjen e gjithanshme që i ka dhënë komunitetit mysliman, ndërsa u shpreh se mezi prisnin lëvizjen e kamionëve në sheshin e ndërtimit të xhamisë së madhe të Tiranës, të cilën, tha ai do ta mbështesnin fort.
Prof. Dr. Gormez tha se e kishin falur namazin një ditë më parë në Shkodër, ku fare pranë xhamisë ishte kisha. "Evropa ka 300 vjet që nuk e mëson dot këtë leksion që jep Shqipëria për harmoninë fetare", tha ai, ndërsa shtoi se Kryeministri Berisha ishte me fat që një muaj para zgjedhjeve të takonte kaq krerë fetare që luteshin për shëndetin dhe suksesin e tij.