Televizionet fetare që do të hapen dhe mirëmbahen nga BFI dhe KOM, do të presin rrumbullakimin e procesit të digjitalizimit dhe Ligjin për veprimtari audiovizuele. Deri atëherë, bashkësitë më të mëdha fetare do të shfrytëzojnë servisin publik për emisionet fetare
Arben ZEQIRI
Tri bashkësitë fetare në Maqedoni që kanë shprehur interesim për hapjen e televizioneve dhe radio stacioneve me program fetar, do të presin rrumbullakimin digjitalizimit dhe implementimin e Ligjit të ri për radiodifuzion. Ky ligj, bashkë me formimin e Agjencionit për media dhe veprimtari audiovizuele, si dhe procesi i digjitalizimit të plotë të mediave në vend, sipas drejtuesve të Këshillit për veprimtari radiodifuzive, organ ky që është në shuarje e sipër, kanë zvarritur përgjigjen të cilën tani e disa muaj e presin Bashkësia Fetare Islame dhe Kisha Ortodokse e Maqedonisë për hapjen e dy televizioneve, por edhe Kisha Katolike për hapjen e një radiostacioni. Nënkryetari i KRD-së, Milaim Fetahu, thotë se tre bashkësitë fetare kanë dërguar të ashtuquajturën letër për informim, ndërsa përgjigjet do t’u jepen vetëm pasi të përfundojë procesi i transformimit të mediave, bashkë me implementimin e ndryshimeve të reja ligjore në këtë sferë. “Ne i kemi parasysh këto kërkesa dhe ende nuk u jemi përgjigjur. Jemi në fazën e ndryshimeve të ligjit për radiodifuzion dhe ndryshimin e KRD-së në Agjencionin për media dhe hë për hë nuk do të shqyrtohen këto kërkesa, por do të presin pasi të përfundojë ky proces”, shprehet Fetahu. Ai sqaron se lejet për këto televizione do të jepen njëjtë si për mediat e tjera private, vetëm që do të figurojë se do të jenë në pronësi të dy bashkësive fetare. Për marrjen e lejeve në fjalë, institucionet fetare do të duhet të përmbushin disa kushte që kanë të bëjnë me garancionin për mbushje të programacionit që do ta propozojnë, si dhe stabilitet financiar. “Ata duhet të kenë bazë financiare për ta përmbajtur dhe për ta përmbushur një program të tillë. Pra, duhet të kenë program të përpiluar, mjete të siguruara, hapësirë dhe kushtet e tjera të cilat do të kërkohen përpara se t’ju jepet leja edhe zyrtarisht”, thotë Fetahu. Nga Bashkësia Fetare Islame shprehen të gatshëm që të përmbushin të gjitha kushtet e lartpërmendura, mirëpo kërkojnë nga Qeveriaa që njëjtë si mediat e tjera në vend, të ndihmojë pjesërisht edhe dy televizionet fetare, aq më tepër që, sipas tyre, këto televizione do të kenë kryesisht karakter edukativ. “BFI punon në që të hapet televizioni fetar dhe ne jemi të gatshëm t’i përmbushim të gjitha kërkesat, kështu që pa kurrfarë problemi kemi edhe kapacitete për ta mirëmbajtur këtë medium. Por, megjithatë ne në të njëjtën kohë kërkojmë edhe nga Qeveria që të ndajë mjete nga buxheti shtetërorë për të funksionuar këto mediume, për vetë faktin se qytetarët e këtij shteti ndajnë taksa për mediat dhe taksa tjera të ndryshme. Andaj shteti e ka poashtu për obligim që në këtë drejtim të ndihmojë në mënyrë parciale funksionimin e këtyre mediumeve, pasi që qytetarët ose besimtarët tanë janë edhe taksapagues të këtij shteti”, thotë Abaz Islami, zëdhënës i BFI-së. Ai thekson se me marrjen e lejes për hapjen e një televizioni, BFI do të insistojë që i njëjti të transmetohet edhe jashtë kufijve të vendit, për shkak të numrit të madh të besimtarëve musliman që ndodhen në diasporë. Mirëpo, deri në hapjen e televizioneve fetare, dy bashkësitë fetare kanë zgjedhur servisin publik si alternativë për transmetimin e programeve edukative fetare. Në një deklaratë për të përditshmen “Nova Makedonija”, drejtori ekzekutiv i RTVM-së, Marjan Cvetkovski, thotë se përveç incizimit, transmetimit të meshave të së dielës, do t’i ofrojë Kishës Ortodokse Maqedonase edhe hapësirë shtesë në skemën programore. “TVM planifikon të pasurojë përmbajtjen me emisione që do të trajtojnë jetën kishtare në Maqedoni”, ka thënë Cvetkovski. Ndërkaq, hapësirë e mjaftueshme do t’u jepet edhe besimtarëve musliman në kanalin e dytë në gjuhën shqipe, ku deri edhe deri më tani janë transmetuar edhe programe të ndryshme edukative dhe kulturore të organizuara nga BFI dhe Forumi Rinor Islam. “Gjatë muajit të Ramazanit ka patur 30 emisione fetare në bashkëpunim me BFI-në, që janë prodhuar nga TVM2 dhe 30 emisione të tjera fetare në bashkëpunim me FRI-në që i kanë prodhuar vetë ata. Jemi në bisedime me udhëheqësit më të lartë të BFI-së që të vazhdojmë me cikël të emisioneve poashtu kushtuar islamit në Maqedoni dhe bashkëpunimi do të realizohet, ndërsa mendoj që edhe të firmosim ndonjë marrëveshje midis BFI-së dhe RTVM-së. Marrëveshje të këtillë nuk kemi as me KOM-in dhe unë dua të zyrtariojë bashkëpunimin me bashkësitë fetare në Maqedoni”, thotë zëvendësdrejtori i RTVM-së, Harun Ibrahimi. Përveç kësaj, ai thotë se TVM2 do të transmetojë edhe informacione dhe materiale të drejtpërdrejta nga haxhi i sivjetmë, si dhe do të vazhdojë me transmetimin e manifestimeve për shënimin e datave dhe ngjarjeve me rëndësi në historinë islame, si ditëlindja e Muhamedit a.s. dhe emisione të tjera. “Së shpejti, me ciklin e ri të emisioneve mendojmë që të kemi çdo të enjte në mbrëmje nga një emision fetar”, nënvizon Ibrahimi. Nga KRD thonë se servisi publik, ashtu si edhe televizionet e tjera, kanë të drejtë autonome që të përcaktojë vetë skemën programore dhe hapësirën që do t’u jep programeve me karakter fetar dhe gjithë kjo është ligjore, nëse është në përputhje me vendimet dhe skemën programore.