Kush dëshiron t’i bashkohet grupit të robërve të zgjedhur të Allahut – evliave, le të zbukurohet me cilësinë e devotshmërisë. Që të devotshmit në të vërtetë janë evlijatë e Allahut e vërteton edhe ajeti në fjalë: “Pa dyshim, miqtë e Allahut nuk do të kenë arsyeje për t’u frikësuar dhe as për t’u dëshpëruar.” (Junus, 62). Transmetohet se Omer ibn Abdulazizi i kishte shkruar njërit prej mëkëmbësve të tij” “Të këshillojë devotshmërinë pa të cilën Allahu nuk i pranon veprat e mira, e as që do të mëshiroj përveç se të devotshmit, e as që do të shpërblej përveç se të devotshmit. Dije se ka shumë që flasin për devotshmërinë, ndërsa shumë pak e praktikojnë.” Ndërsa kur është bërë halife ka mbajtur hutben dhe ka thënë: “Ua këshillojë devotshmërinë, sepse ajo mund të zëvendësojë gjithçka, ndërsa vetë është e pazëvendësueshme. “
Ndërsa në një transmetim qëndron se Aliu r.a njëherë hyri në varreza dhe duke u folur banorëve të varreve tha: “O banorë të varreve, çfarë lajmesh keni për ne? Sa i përket lajmeve tona për ju, mund t’ju themi se pasuria juaj është ndarë, në shtëpitë tuaja banon tjetërkush dhe gratë u janë martuar.” Pastaj tha: “Pasha Zotin, nëse do të ishin në gjendje të flasin, do të thonin: “Furnizohuni, ndërsa furnizimi më i mirë është devotshmëria!”
Ebu Nuajmi në veprën e tij “Hiljetul evlija”, përmend transmetimin e Fudjal ibn Ubejdit i cili ka thënë: Nëse do ta dija se Allahu më ka pranuar qoftë edhe një vepër, do të ishte më e dashur se dynjaja dhe gjithçka ka në të, sepse Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Në të vërtetë Allahu pranon vetëm prej të devotshmëve”.