Ky tregim, nëpër rrjetet sociale, shumë njerëz i ka bërë me vajë, veçanërisht atyre që u ka vdekur nëna, dhe ju ka mbetur merak dhe ju vjen keq që dikur e kanë lënduar, ose nuk kanë qenë të kujdesshëm ndaj saj. Nuk dihet nëse tregimi është i sajuar, apo me të vërtetë ka ndodhur, por dihet se shumë njerëz i ka prekur drejtë në zemër. Nëse edhe juve ju prek, qani lirisht, por sapo t’i fshini lotët, përqafone nënën tuaj, telefononi nëse është larg, thoni se e doni dhe se i jeni mirënjohës, për të gjitha ato që ka bërë për ju. Madje, edhe nëse mendoni se ajo ka shkuar përgjithmonë, tregoni asaj se sa e doni. Nënat janë engjëjt tanë kujdestarë, kudo që janë.
”Një djalë i ri u kthye nga shkollimi jashtë vendit, dhe në aeroport e priti nëna e tij me lot gëzimi në sytë e saj. Ajo e përqafoi me forcë dhe qau, sepse e donte shumë. Djali u përvodh dhe i tha: ”Nënë, unë e di që ti më don shumë, por ti po më turpëron, kur po më përqafon ashtu para të gjithëve, si të isha ende fëmijë i vogël!” Nëna i fshiu sytë e saj dhe u tërhoq më larg. Fjalët e djalit e goditën si thikë në zemër, por ajo heshti.
Disa vjet më vonë, djali përsëri shkoi jashtë vendit dhe nëna e tij e përcolli. Këtë herë, ajo nuk e përqafoi, por ia ktheu shpinën dhe i tha duke qarë: “Kujdesu për veten, biri im.”
Kur djali u kthye në shtëpi herën tjetër, nëna e tij nuk ishte në aeroport. Në vend të përqafimit të saj dhe lotëve të gëzimit, ai e mori një letër të mbyllur me emrin e saj. E lexoi letrën, u shemb në karrige dhe dënesi si fëmijë.
Në letër shkruante: Biri im, kur para disa vitesh të përqafova në aeroport kur ktheheshe ti në shtëpi, unë qava nga gëzimi, por për fat të keq, tani unë nuk munda të vijë, sepse kam kaluar në një vend, ndoshta, më të bukur. Kur shkove për herë të dytë jashtë vendit, e dija se po të shihja për herë të fundit. E dija që nuk do të jem në këtë botë edhe për shumë kohë, dhe mos ma shih për të madhe që e fsheha këtë prej teje.
Lumturia ime më e madhe është lumturia jote. Unë jam e lumtur që ti ke arritur sukses, që ke rrugën tënde, dhe shko gjithmonë pas lumturisë tënde.
Më vjen keq:
- që nuk do të mund ta bëj tortën tënde të preferuar të mollës, kur të kthehesh në shtëpi!
- që nuk do të mund ta shpaketoj valixhen tënde, për t’i larë dhe hekurosur rrobat tua;
- që nuk do të mund të të shikojë derisa ti flen;
- që nuk do ta bëj kafen e mëngjesit, e di se je përmalluar për këtë kafenë tonë, atje nuk ka;
Mos qaj, jeta ime. Vdekja nuk ekziston për ata që e duan njëri-tjetrin. Unë të dua shumë, dhe e di se edhe ti mua më do shumë, ji i lumtur!
Zoti të ruajtë. Unë jam mirë, kur ti të jesh mirë. Të don dhe të përqafon, nëna jote!
Përkthim: Miftar Ajdini