[Only admins are allowed to see this image]
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, Krijuesit të gjithësisë, të Gjithmëshirshmit Mëshirëplotit.
Paqja dhe lavdërimi i Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin, familjen, shokët e tij, dhe të gjithë ata që pasojnë rrugën e tij, deri në ditën e fundit.
Dije, o musliman, se Allahu i Lartësuar prej urtësisë së Tij, ka dalluar në vlerë disa krijesa ndaj të tjerave; disa vende nga vendet e tjera; disa ditë nga të tjerat; disa muaj nga të tjerët. E prej tyre, ka dalluar muajin e bekuar Ramazan nga muajt e tjerë.
Andaj, duke qenë se jemi në prag të këtij muaji të bekuar, është e udhës të flitet rreth disa vlerave të këtij muaji dhe agjërimit të tij, duke u bazuar në tekstet kuranore dhe thëniet profetike.
Prej këtyre vlerave:
1) Ramazani është muaji në të cilin ka zbritur Kurani i Madhërishëm, fjala e të Madhit Zot, libër i bekuar, udhëzues për njerëzimin.
Allahu i Lartësuar thotë:
*"Muaji Ramazan është që në të zbriti Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqaruesi i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë".* (El Bekare: 185)
Pra, ky muaj është muaji i Kuranit, është e pëlqyer leximi i Kuranit në të sa më shumë, sepse kjo ishte edhe tradita e Xhibrilit alejhi selam, ku zbritte nga qielli çdo natë në Ramazan dhe ia lexonte Kuranin të Dërguarit tonë Muhamedit (paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të!).
2) Në këtë muaj është një natë e cila vlen më shumë se një mijë (1000) muaj, e ajo është nata e Kadrit.
Allahu i Lartësuar thotë:
*"Nata e kadrit është më e mirë se një mijë muaj.*
*Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) zbresin engjëj dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje.*
*Ajo (natë) është paqe deri në agim të mëngjesit."* (El Kadr: 3 - 5)
Atij që falet në këtë natë me besim e shpresë tek Allahu, do t'i falen gjynahet e kaluara.
I Dërguari i Allahut (paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:
*"Atij që falet në Ramazan (namaz nate apo teravi) me besim e shpresë, do t'i falen gjynahet e kaluara"*.
3) Në këtë muaj hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Xhehenemit.
I Dërguari (paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:
*"Kur të vjen Ramazani, hapën dyert e Xhenetit dhe mbyllën dyert e Xhehenemit dhe lidhen (prangosen) shejtanët".*
4) Në Ramazan Allahu i Lartësuar liron nga zjarri i Xhehenemit çdo natë një grup njerëzish mëkatarë.
I Dërguari i Allahut (paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë:
*"Allahu liron nga zjarri grup njerëzish, dhe atë çdo natë (të Ramazanit)".*
5) Agjërimi i muajit Ramazan me sinqeritet, është shkak për faljen e gjynaheve të kaluara.
Pejgamberi ynë Muhamedi (paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë:
*"Atij që e agjëron Ramazanin me besim dhe me shpresë, do t'i falen gjynahet e kaluara".*
Me *besim* d.m.th: duke besuar Allahun dhe pejgamberin e Tij, dhe duke vërtetuar obligueshmërinë e agjerimit.
Me *shpresë* d.m.th: duke kërkuar shpërblim me këtë agjërim.
6) Era e gojës së agjëruesit është më e mirë tek Allahu se aroma e miskut (parfumit).
I Dërguari i Allahut (paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë:
*"Pasha Atë që në dorën e Tij është shpirti im, era e gojës së agjëruesit është më e mirë tek Allahu se sa aroma e miskut; Allahu thotë: ka lënë ushqimin, pijen e epshin e vet për shkak Timin"*.
7) Shpërblimi i agjërimit shumëfishohet pa kufi, Allahu i Lartësuar e ka veçuar atë nga veprat tjera.
I Dërguari (paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë:
*"Çdo vepër e bijve të Ademit shumëfishohet, një e mirë sa dhjetë sosh, deri në shtatëqind sosh, Allahu i Madhëruar tha: Përveç agjërimit, ai është për Mua, dhe Unë shpërblej për të"*.
8) Agjërimi është mburojë dhe pengesë ndaj gjynaheve dhe zjarrit të Xhehenemit.
I Dërguari i Allahut (paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë:
*"Agjërimi është mburojë, andaj agjëruesi nuk shan, as nuk fyen, e nëse dikush e sulmon apo e fyen atë, le t'i thotë dy herë: Unë jam agjërueshëm!"*.
Kuptimi: është *mburojë* nga gjynahet e mëkatet e mundshme, e po ashtu mburojë nga zjarri i Xhehenemit, sepse ai që u largohet mëkateve në realitet i është larguar dënimit, gjegjësisht zjarrit të Xhehenemit.
9) Agjëruesi, me agjërimin e tij përfiton dy gëzime: njërin kur të bëjë iftar, dhe tjetrin kur të takojë Allahun. I Dërguari (paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë:
*"Për agjëruesin janë dy gëzime, kur të bëjë iftar gëzohet me të, dhe kur të takojë Allahun gëzohet me agjërimin e tij"*.
Në një transmetim tjetër:
*"Kur të takojë Allahun dhe i jep shpërblimin e agjërimit, gëzohet me të"*.
10) Në Xhenet gjendet një derë e quajtur "Rejan", e cila është e dedikuar vetëm për agjëruesit.
I Dërguari (paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë:
*"Vërtet, në Xhenet është një derë e quajtur Rejan, në të futen agjëruesit Ditën e Gjykimit, nuk futet në të përveç se ata, u thuhet: Ku janë agjëruesit? Dhe futen në të, e kur të hyjë i fundit prej tyre mbyllet dhe nuk futet në të askush tjetër"*.
11) Falja e namazit (qoftë teravi apo namaz nate) gjatë Ramazanit i fal gjynahet e kaluara.
I Dërguari i Allahut (paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë:
*"Atij që falet gjatë Ramazanit (namaz nate apo teravi) me besim e shpresë, do t'i falen gjynahet e kaluara"*.
Këto hadithe (thënie profetike) janë të sakta dhe tregojnë vlerën e madhe që ka muaji i bekuar Ramazan dhe agjërimi i tij, andaj përgezohu o besimtar me ardhjen e këtij muaji dhe mundohu të jesh prej atyre që garojnë në vepra të mira gjatë këtij muaji, si: agjërim, namaz, lexim Kurani, dhikër - përmendje të Allahut, sadakë, lutje, pendim, etj.
Lus Allahun e Madhërishëm të na mundësojë agjërim të lehtë, të na pranojë atë dhe të gjitha veprat e mira që i bëjmë gjatë këtij muaji, të na i fal gjynahet dhe të na bëjë prej të pranuarve, amin!
(E huazuar)