Vizitor Vizitor
| Titulli: Shamia apo lakuriqsia?vazhdimi.. Sat 4 Jul 2009 - 11:40 | |
| Roli i femrës si nënë, si grua, si vajzë, si nuse ka ndryshuar mjaft pasi shumë fëmijë rriten me dado, shumë prindër lihen vetëm në mëshirë të fatit ose dërgohen në shtëpinë e pleqve. Ç’do të më thoni ju për këtë? Mos vallë një femër e integruar nuk ka kohë për këto lloj punësh, të merresh me fëmijën tënd apo edhe me prindërit e tu apo të bashkëshortit është humbje kohe, është e lodhshme dhe të mohon kënaqësinë e të bërit një jetë të lirë? A, kjo qenka mrekullia e lirisë së tepruar? Unë do të thosha se kjo është mungesa e dashurisë mes njerëzve, është rendja pas qejfit dhe rehatisë personale. Një femër e mirë mund t’i bëjë këto, madje ka edhe kohë të ndihet femër. Por për fat të keq sot po ndodh e kundërta. Vajza apo gra nevojtare, për të mbajtur familjen, bëhen dado për pleq e fëmijë. Kjo nuk është turp për atë kategori që e bën, por nuk di si ta quaj për ato që s’kanë ç’t’u bëjnë lekëve, gjoja s’kanë kohë dhe i largohen kësaj përgjegjësie. Ju quajeni si të doni pasi unë po e quaj lajthitje, gjynah që do të lahet një ditë, kur paratë e qejfi nuk do të kenë dobi. Por le të kthehemi edhe një herë tek veshja, shamia apo lakuriqësia. Në shumë ekrane shohim programe të bukura ose jo, edukative ose jo, por që në një farë mënyre në to gjejmë diçka, të mirë ose të keqe, p.sh, femrat e veshura gjysëm lakuriq, me gjoksin e këmbët jashtë, të cilat në një debat televiziv duken mjaft keq. Kemi parë edhe emisione ku prostituta të veshura po aq lakuriq, hipin nëpër makina e shkojnë të punojnë, pasi për atë kategori kjo është puna e tyre. Është vërtet fatkeqësi të shesësh trupin për para, por të debatosh në një program televiziv për probleme të ndryshme po aq lakuriq, është edhe më fatkeqësi, pasi prezenca jote, mesazhi yt që i përcillet publikut është skandaloz, programet i ndjek plaku, i riu, fëmija e mosha e mesme. A thua se ka ndopak moral kur ti i përcjell fëmijës, prindit, burrit, të afërmve, të panjohurve bashkë me fjalën edhe tërheqjen fizike, fare publikisht? A mendoni se ekrani është vendi i duhur për këtë lloj tërheqje me paraqitjen tuaj? Po çështja ne thelb nuk është kjo, le të vishen si të duan, në fund të fundit çdo njeri varet nga koka e vet dhe ecën mbi këmbët e veta, çështja është se duhet të mësojmë të mos paragjykojmë, me shami apo minifund, të shohim brenda vetes dhe të gjejmë vetveten. Zgjedhja është e lirë. E kështu të dashur lexues, duke dashur ta mbaroj përrallën me ferexhe, bumin televiziv të të civilizuarve, dëshiroj që këto përralla të tregohen më herët se ora 23:00 pasi askush s’do t’ia dijë as për ferexhetë e as për ato me gjoksin jashtë, dritat ikin e kështu që ne s’e dëgjojmë përrallën deri në fund. E përpara se t’ju uroj natën e mirë ju që e dëgjuat përrallën, ju drejtohem me një apel të gjithëve. Lërmëni të jetoj, një copëz nga bota edhe mua më takon pasi aty është shkruar jeta ime, liria ime, vdekja ime, gëzimi im, trishtimi im. Në këtë copëz botë unë jam pak egoiste, shumë konfuze, herë-herë e lumtur, herë-herë e trishtuar. Kjo copëz e vogël që mua më përket, dua që të jetë vetëm e imja sepse po të mundoheni të ma merrni atë, në të s’do të shihni gjë tjetër veç vetes suaj në një kopsht zoologjik. Ja pse dua të mbetet e imja, sepse s’dua t’i jap asaj imazhin tuaj kafshëror, plangprishës. Bota është e bukur me besimin e madh në zemër dhe unë pikërisht këtë kam, ndaj dhe dua ta gëzoj këtë copëz bote, brenda botës sime, larg nga bota juaj misterioze, me liri të tepruar, me paragjykime, pa ngrohtësine tuaj. Kuptomëni ju lutem, nëse s’doni që ju të ndryshoni për vete, lëreni botën të lirë pa instikte kafshërore, pa dhimbje, pa marrëzi. Apeloj për copëzën time të lirë në liri të plotë. Lërmëni të jetoj, mos u mundoni kot të fikni dritën e besimit, s’do të mundeni kurrë pasi atë e ka ndezur në zemrën time Zoti Fuqiplotë e Shpresëdhënës.
Lërmëni të jetoj nën dritën e Krijuesit të Gjithësisë. Bota është e bukur, është e të gjithëve nga këndvështrimi i Krijuesit. Duajeni atë.
Përgatiti: Jetmira Sejko (Teli) Marur nga revista “Familja” |
|