Martesa është strehë, ku mbrohen të devotshmit. Nuk është varfëri, pakësim, mangësi, por pasurim, shtim e plotësim! E, mburojë për njerëzit që frikë kanë rënien në mëkat!
“Thuaj: S’ka dyshim se Zoti im është Ai që i jep furnizim të begatshëm atij që do nga robërit e vet dhe Ai ia pakëson atij.” - Kur’an, 34:39
Po, martesa për dikë është edhe plotësim. Me të ruan njerëzinë, ruan gjendjen shpirtërore, psikike e mendore. Burri si gruaja, janë të krijuar që të jetojnë të martuar mes vete; të jetojnë nën një kulm! E, kur burri e gruaja jetojnë të ndarë, është sikur gjithnjë të ishte dritë apo gjithnjë errësirë. Ato dy bashkë, arrijnë nivel e harmoni[1].
Rinia e Ummetit më tepër se kurrë problem ka martesën. Pasi, koncepti për martesën ka ndryshuar shumë. Jo, nuk ka ndryshuar, por është prishur thuajse fare! Sot, të martohet një çift i ri musliman, duhet të punojë ndoshta gjysmën e jetës!
Që të martohesh, nuk do të thotë të jesh pasanik, e as të kesh shtëpi të madhe, e as të arrish moshën e pleqërisë. Jo, martesa nuk ka të bëjë me pasurinë, e as me shtëpinë, e as me moshën e shtyrë. Të bëj këtë e atë, pastaj martohem! E, kur të martohesh ti, veçse kanë ikur shumë urtësi të martesës.
Për shumëkë, shkaku i mos-martesës ka mbetur pa shkollim, e të tjerë i ka shtyrë të mendojnë se janë të paaftë shpirtërisht për të ndërtuar familje, e të tjerë kanë rënë në vetizolim, e të tjerë edhe kanë devijuar rrugën e drejtë dhe të paqes. Po, të tjerë edhe kanë rënë edhe në imoralitet. Për çfarë? Sepse “njerëz të caktuar” ndonjëherë i detyrojnë fëmijët e tyre të vënë kushte!
Jo, tani ato kushte që vutë ju, po paguajnë çmimin bijtë tuaj!
Besimtari me besimtaren, i ndershmi me të ndershmen, i pastëri me të pastrën. Këto njëmend do të ishin kushte me vend!
Koncepti i martesës në Islam është ndryshe. Jo si thuhet e interpretohet kinse që të martohesh, duhet të kesh mundësi financiare[2]. E kush nuk e ka këtë mundësi, të agjërojë.
Ndërsa, disa e konsiderojnë këtë, “agjërimin” si zgjidhje afatgjate, apo, si të jetuarit në murgëri. Jo, Islami s’ka konsideratë për murgërinë[3].
Jo nuk është ashtu si interpretohet! Sepse, do t’i binte që, të varfrit të mos kenë drejtë martese. Jo, Muhammedi a.s. nuk ka thënë ashtu. Vetë i Dërguari i Allahut ka lidh kurora (mehër) me vetëm një unazë të hekurt.
E kush sot nuk e ka një strehë modeste e një hekurishte, sa të bëjë një unazë? Gjithkush! Po s’pati, Muhammedi a.s. ka lidh kurora edhe me tri kaptinat e fundit të Kur’anit: el-ihlas, el-felek dhe en-nas. E, kush s’ka as këto tri kaptina, tema rreth martesës islame s’është për të.
Shoqëria nuk mund të zhvillohet pa martesa të hershme. Koha kur çiftët e rinj mund t’i sjellin shoqërisë kapacitetin e tyre shpirtëror e mendor, jeton e trazuar! Po, madje kjo shoqëri me këtë vetëdije për martesën, bën që në shoqëri të përhapet varfëria. Sipas udhëzimit hyjnor, martesa sjell furnizim, e jo mangësi.
Pra, të martoheni o bij të Islamit, do të thotë, nëse je i varfër, bëhesh i pasur; nëse je i dobët, bëhesh i fortë; nëse je i izoluar, integrohesh!
Ata prindër që kërkojnë shtëpish, pishinash, veturash e salltanetesh tjera për bijtë e tyre të martuar, ju themi: ju jeni martuar, bëni ç’të doni me veten tuaj, por, të drejtë t’i kushtëzoni bijtë tuaj se çfarë e si të realizohet lidhja e tyre martesore, përderisa plotëson kushtet islame: pjekurinë fizike, mendore dhe shpirtërore, dhe pëlqimin e dy çiftëve: nuk keni!
T’ia mbysësh të ardhmen një të riu, është një lloj sikur të mbytësh fëmijën tuaj! Pse, vetëm nga frika se do të të pakësohet pasuria, apo dëshira për shtimin e pasurisë nëpërmjet robërve të Furnizuesit[4], e Furnizues i Vetëm është Allahu!
“Ju mos i mbytni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë, se Ne ua sigurojmë furnizimin atyre dhe juve, e mbytja e tyre është mëkat i madh.” - Kur’an, 17:31
Po, ky citat kur’anor flet edhe për ata prindër, që, me të padrejtë, abortojnë fëmijën, por edhe për ata njerëz, që nga frika e pakësimit të pasurisë, nuk bëjnë fëmijë. Allahu e di më së miri!
Jo, o njerëz muslimanë, burimi hyjnor tjera kushte parasheh për rininë që të martohet. Ato nuk janë kushte, por aspekte të natyrshme, që gjithsecili nuk do të dëshironte të kundërtën as për veten e as për palën tjetër. E ato janë: pjekuria fizike, mendore, shpirtërore, dhe në fund: përshtatshmëria dhe pëlqimi i dyanshëm.
E, të tjerat, kushte a sido që quhen, janë luks e salltanet! Me një fjalë: teprim – israf! Gjëra që, jo që nuk të çojnë në Xhennet, po as urën e Siratit s’ta kalojnë!
Martesa është natyrshmëri, kush martohet, mbrohet, e kush s’martohet, agjëron, por jo përgjithmonë!
Mos i shtyni martesat, se do t’u shtohet edhe bagazhi i problemeve. Martesa çliron gjysmën e komplekseve, të çfarëdo lloj natyre qofshin. Mos e rëndoni gjendjen, lehtësojeni atë, sepse Allahu e do lehtësinë, dhe i urren ata që e teprojnë.
“Ai nuk i do ata që e teprojnë.” – Kur’an, 7:55
Allahu e di më së miri, ve-l-hamdu lilahi ve salAllahu alejhi ve selem
Fusnota:
[1] “Ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato.” – Kur’an, 2:187
[2] Muhammedi a.s. ka thënë: “O ju të rinj! Nëse keni mundësi martohuni, sepse martesa të largon nga shikimi në haram dhe është mbrojtja më e mirë për nderin. Ai i cili nuk ka mundësi, le të agjërojë, sepse për të agjërimi është mbrojtje.” - Hadith:Buhariu.
[3] “..Ndërsa murgërinë ata vetë e shpikën…” - Kur’an, 57:27
[4] Citati kur’anor (en-Nur, 33) nuk flet për “varfanjakët” e sodit, por të dikurshmit, që nuk kinin as edhe një hurmë ta ndanin, e shtrëngonin barkun me gurë, e i zinte gjumi ku i zinte errësira. Allahu xh.sh. thotë: “E ata që nuk kanë mundësi martese, le të përmbahen derisa All-llahu t’i begatojë me të mirat e veta.”, megjithatë, pra, siç po shihet, duroni, por prapë, do të martoheni – derisa Allahu t’i begatojë me të mirat e veta.