Syfyri për agjëruesin
PYETJA: Tregona për syfyrin. A është ai kusht për pranimin e agjërimit, apo ai nuk është i këtillë?
PËRGJIGJJA: Syfyri nuk është kusht për agjërimin, por ai është Sunnet, sepse Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] e ka zbatuar dhe ka urdhëruar për të. Ai ka thënë: “Zgjohuni në syfyr, sepse në syfyr ka bereqet”. Pra, syfyri është Sunnet dhe vonimi i tij është po ashtu Sunnet, sepse ai e forcon muslimanin për agjërim dhe ia lehtëson vështirësinë e agjërimit. Ai po ashtu e zvogëlon periudhën e urisë dhe etjes. Sepse kjo fe ka ardhur me lehtësime të cilat ua lehtësojnë njerëzve ibadetet e tyre dhe i motivojnë në to. Nga këto lehtësime është shpejtimi (mosvonimi) i iftarit dhe vonimi i syfyrit. Për muslimanin agjërues është Sunnet që të zgjohet në syfyr dhe të hajë syfyr qoftë edhe pak, si p.sh. me hurma apo me një pije të ujit, duke vepruar në bazë të Sunnetit të Të dërguarit të All-llahut [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].
Në syfyr ka edhe dobi tjetër shpirtërore, e ajo është kujdesi (vëmendja) dhe zgjimi para agimit të ditës, në kohën e syfyrit në të cilën u paraqitet All-llahu me mëshirën e Tij robërve të Vet, e i përgjigjet (ia pranon lutjen) atij që i lutet, e fal atë që kërkon faljen e Tij dhe ia pranon atij që bën vepër të mirë. Sa dallim i madh ndërmjet atij që këtë kohë e kalon duke e përmendur All-llahun dhe duke lexuar Kur’an dhe atij që e kalon këtë kohë duke fjetur.