Eja të shkojmë në xhami
“Eja të shkojmë në xhami”, - i thashë, ndërsa dëgjova ezanin, mikut tim që e kisha takuar rastësisht pas shumë vitesh. Ai më pa me habi.
“Mos e ke harruar gjë se sot është e premte?” - i thashë me dëshirën e brendshme që vështrimi i tij i habitur të zbutej disi.
“Po ti, mos e ke harruar se unë as falem e as shkoj në xhami?” - e kapërceu ai situatën duke qeshur me zor.
Megjithëse nuk më habiti aspak përgjigjja e tij, e thënë në kontekstin e një aktualiteti ku “Zoti” dhe “feja” nuk janë terma fort të popullarizuar, nuk e di as vetë për ç’arsye këmbëngula me pyetjen e mëtejshme: “E pse?”
Me një mimikë që shprehte vështirësi për të gjetur përgjigje, por edhe sforcim për të mos shkelur rregullat e mirësjelljes, m’u përgjigj: “Nuk e di... Nuk bëhem mbarë... Pastaj kam edhe shqetësimin e pantallonave që humbasin hekurosjen ndërsa përkulem për t’u falur...”
Në të vërtetë, ai ishte shumë i kujdesshëm për veshjen e tij. Mbante kryesisht rroba të gjelbra, të kombinuara bukur, të pastra e gjithmonë të hekurosura. Kështu më kujtohej që nga kohërat e shkollës.
“Po mirë, asnjëherë nuk do të falesh e nuk do të vish në xhami?” - e pyeta pa e ditur as vetë pse. “...Nuk besoj” - m’u përgjigj ai pas një ngurrimi plot mirësjellje për të mos m’u përgjigjur me një “jo” të prerë...
Nuk kishin kaluar veç se pak ditë nga kjo bisedë kur më njoftuan se ai ishte në xhami. Nxitova për atje. E shikoja menjëherë tek qëndronte në oborrin e xhamisë, në krye të safëve, në rreshtin e parë të njerëzve.
U afrova ngadalë dhe i pëshpërita me zë të ulët : “Ti sikur nuk kishe ndërmend të vije ndonjëherë në xhami!”as te Falesh Namaz.
Kësaj radhe ai nuk u mundua të kërkonte ndonjë përgjigje, por u mjaftua duke qëndruar i heshtur nën pëlhurën (qefinin) e bardhe që mbulonte trupin e tij të pajetë të vendosur në tabutin e vdekjes.
Namazi është mbrojtës nga të këqijat, të emërtuara si vepra të shëmtuara dhe të padrejta, dhe të ndihmon në arritjen e mirësisë së dëshiruar, siç është përkujtimi i Allahut. Arritja e kësaj mirësie është më e rëndësishme sesa të ruash veten nga të këqijat, sepse përmendja e Allahut dhe adhurimi i Tij me sinqeritet të vërtetë, është vetëmbrojtja më e mirë nga të këqijat dhe është një qëllim në vetvete për t’u dhënë fund atyre. Adhurimi që zemra i bën Allahut, është qëllim në vetvete, ndërsa largimi i ndonjë të keqeje prej saj, është një qëllim që lidhet me pasojat e shkatërrimit që sjellin gjunahet në zemër. Zemra e shëndoshë kërkon të vërtetën dhe të mirën, e sa herë që ajo përballet me të këqijat, mundohet t’i shmangë ato, sepse të këqijat e shkatërrojnë zemrën siç i shkatërron të mbjellat bari i keq.
Ibn Tejmije