Kthehu tek Zoti yt me pendim sa ke kohë, se një ditë patjetër do të shkosh tek Ai!
Mos u dëshpëro, Allahu është Falës, qofshin mëkatet tua edhe sa kodrat, Ai të falë
Allahu s.v.t i thotë Muhammedit a.s :
"Thuaj: "O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar veten tuaj me shumë gabime, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, pse vërtetë All-llahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!" (Kur'an, 39:53)
Mos u dëshpëro: Allahu është më i mëshirshëm se edhe e ëma jote që të mbajti me mund, të lindi, të ushqeu e të rriti. Për ty e ëma brengoset, por Allahu është Ai, që e krijoi atë ndjenjë ndaj teje, që ti të ndihesh i/e dashur, i/e sigurt dhe fatlum.
Mos u dëshpëro: Allahu është Falës, qofshin mëkatet tua edhe sa kodrat, Ai të falë, po, vetëm Atij mos i bën padrejtësi. Mos i shoqëro askënd në adhurim. Ai krijoi gjithçka, edhe ty, e si të të mos falë, kur mëshira e Tij kapërceu hidhërimin e Tij.
Mos u dëshpëro: thuaji vetvetes t'i nënshtrohet vetëm Allahut, ta dëgjojë Atë, sepse kush e dëgjon dhe respekton urdhrat e Tij, gjithnjë do të jetë i lumtur, dhe jo vetëm në këtë jetë kalimtare.
Mos u dëshpëro: ndjehu i/e sigurt, se Allahu është Ai që ty të siguron nga çdo e keqe, nuk mund kush të të bëj asnjë grimcë keq, edhe sikur të mblidheshin të gjitha krijesat kundra teje.
Mos u dëshpëro: ti je krijesë që u nderove, Allahu nuk e thyen premtimin, nëse ti me mendimet dhe veprat tua, e përçmove këtë nderim që t'u bë, e ke bërë nga padituria, vetëdijesohu, se Allahu për ty, njeri, është Pendimpranues dhe ka përgatit Jetë Pabrenga dhe të Lumtur.
Mos u dëshpëro: ti nuk je vetëm, edhe sikur të gjithë të të kthenin shpinën, ke Allahun, Ai është i Butë, i Mëshirshëm, Atë kurrë nuk e merr as gjumi e as nuk kotë.
Mos u dëshpëro: Allahu të udhëzon prapë, vetëm ti kërkoje udhëzimin e Tij sinqerisht, dhe Allahu të udhëzon, sepse Allahu është aq i mëshirshëm saqë do të turpërohej sikur të të mos i përgjigjej lutjes tënde.
Mos u dëshpëro: edhe nëse ti je i/e shqetësuar e i mërzitur, e jeta të duket e pakuptimtë, dije se, jo gjithçka ndjejmë a shohim është ashtu, jo, njerëzit që jetojnë nën hijen e mëshirës së Allahut nuk ndihen ashtu, janë të rehatuar e plot gëzim.
Mos u dëshpëro: çdo herë që sheh errët dhe ndihesh i/e pashpresë, drejtoju Atij që është i Gjallë, Atij që prej Tij jeta filloi, dhe hapja kraharorin gjerësisë së qiellit, e merr frymë lehtë, e thuaj:
O Allah, më ç'robëro nga robërit e Tu, që të jem vetëm rob i Yti, i jep dritë udhëzimi syve të mi e më forco bindjen ndaj Teje.
Mos u dëshpëro: pse disa njerëz shfaqin urrejtje dhe të fyejnë vetëm pse thua:
"Zoti im është Allahu dhe unë jam musliman!", dije se ata njerëz, në thellësitë e tyre sa shumë dëshirojnë që ty të ta rrëmbejnë qetësinë dhe qëndresën që ke në këtë jetë, e sikur ta dinin edhe çfarë begatish i pret besimtarët e devotshëm në Jetën Tjetër, do të të luftonin me forcë për të, mbahu se shpërblime të mëdha të presin, dashtë Allahu.
Mos u dëshpëro: edhe pse sheh mëkatarë, mos u lut kundër tyre, por lutu që edhe ata të pendohen e të përmirësohen, ndoshta janë mëkatarë sepse zemra e tyre është e mbushur me errësirë, e ti reflekto dritë në zemrat e tyre.
Mos u dëshpëro: edhe pse vëllezërit dhe motrat në Islam janë të mangët në përgjegjësit e tyre, mos ua kthe shpinën, por buzëqeshu dhe shprehe dashurinë ndaj tyre, le ta kuptojnë se sa shumë i do për hir të Allahut.
Mos u dëshpëro: qëndro afër njerëzve që nuk dinë për rrugën e Allahut dhe duan të dinë, mos të të mërzisin fjalët e tyre prej paditurie, këshilloi e përmirësoi, ndoshta prej tyre mund të dalin njerëz edhe më të mirë se sa mund të mendojmë.
Mos u dëshpëro: në pushtetin e Allahut qëndron gjithçka: jeta dhe furnizimi e dituria e pasuria, askush kurrë nuk mund të rrëmbej atë që është e jotja veçse nëse për ty më hajr është të mos ishte e jotja.
Mos u dëshpëro: Allahu për ty, njeri, veçoi ditë e net, që ti të ndryshosh e të përmirësohesh; e bëri Muajin e Agjërimit, ramazanin, një muaj, ku prijësit e së keqes u vunë në pranga, që ti të kesh kohë të pendohesh, të përmirësohesh dhe t'i kthehesh Zotit tënd, Allahut!
"Tha: "Askush nuk e humbë shpresën në mëshirën e Zotit të vet, përveç atyre që janë të humbur". ( Kur'an, 15:56)
E, ti inshAllah nuk je prej të humburëve, pra, mos humb shpresën në mëshirën e Zotit tënd, Allahut të Plotmëshirshëm!
Sa Falës që je o Zoti ynë! Sa Bamirës që je o Zoti ynë! O Allah, tek Ti pendohemi, prej Teje falje kërkojmë, ndriço mendjen dhe zemrën tonë me udhëzimin Tënd!
Atëherë vëlla e motër, shpejto që të trokasësh dyert e qiellit, duke qenë i përulur, i nënshtruar para të Gjithëfuqishmit më të Lartit, ashtu siç lutet robi me zemër të thyer, thuaj:
O i Adhuruari i botërave
Ti je më Bujari i bujarëve
Unë jam robi Yt, skllav i mëkateve
Qëndroj në këmbë para derës Tënde
Trokas dyert e mëshirës Tënde
Mirësia është zakoni Yt
Gjykimi vetëm Ty të takon
Ti je më Mëshiruesi i mëshiruesve
Këto janë balluket e mija mëkatare
Ja ku janë para Teje të përulura
Nuk kam rrugëdalje e shpëtim vetëm se tek Ti
O Allah nuk kemi për tu shkatërruar për sa kohë që Ti je shpresa jonë
Nuk do të humbim kur Ty të jemi nënshtruar
O Gjithëmirëbërës, mirësitë Tua nuk llogariten
O Gjithëmirënjohës, mirënjohja Jote kurrë nuk ndërpritet
Ty të lutemi në çdo çast, pranoji Zoti ynë lutjet tona
I lavdëruar qoftë Allahu i Madhëruar që:
Kur e lut i humburi e drejton.
Kur e lut njeriu në rrezik e shpëton.
Kur e lut i sëmuri e shëron.
Kur e lut hallexhiu e ndihmon.
Ah sikur ta lusnim Allahun shumë?!
Ah sikur ta lidhnim pafuqinë tonë me fuqinë e Tij të pakufishme?!
Me të vërtetë pas vështirësisë ka lehtësim.
Pas durimit vjen çlirimi.
Pas natës vjen dita.
Pas urisë vjen ngopja.
Pas sëmundjes vjen shëndeti.
Përgëzoje hallexhiun me një rrugëzgjidhje të shpejtë!
Përgëzoje të sëmurin me një shërim të afërt!
Pas lotit do të vijë buzëqeshja.
Pas frikës do të vijë siguria.
Përgëzoje të lodhurin me rehati!
Përgëzoje të burgosurin me një lirim të shpejtë!
Tregon Ebu Hurejre:
”Zoti e ka ndezur zjarrin e xhehnemit për një mijë vite derisa u skuq. Më pas e ndezi për një mijë vite të tjerë derisa u zbardh. Pas kësaj e ndezi për një mijë vite të tjera derisa u nxi. Tashmë ai është i errët si nata.”
Sa më shumë ditë dhe vite kalojnë, aq më shumë i afrohemi ditës kur do të ndahemi nga kjo botë. Kjo duhet të na bëjë të zgjohemi nga indiferentizmi që na ka kapluar dhe të distancohemi nga veprat e këqija dhe të poshtra.
Rruga e vetme të cilën duhet të ndjekim, është ajo e bindjes dhe adhurimit të një Zoti të vetëm.
Allahu na ka krijuar për t’a adhuruar dhe si shpërblim Ai ka pregatitur xhenetin.
E lus Allahun të na japë sinqeritet në veprat dhe fjalët tona.
E lus Allahun të na bëjë dobi me atë që e kemi mësuar dhe të na mundësojë mësimin e asaj që na bën dobi.
E lusim Zotin që të na bëjë nga banorët e xhenetit, ku të jemi në shoqërinë e Pejgamberit s.a.v.s, shokëve të tij dhe të gjithë atyre që ndoqën rrugën e drejtë.
Allahu s.v.t thotë: "Kam pregatitur për robët e Mi, gjëra që nuk i ka parë syri, nuk i ka dëgjuar veshi dhe nuk i ka imagjinuar kush."
Thotë Pejgamberi a.s rreth bukurive të xhenetit:
”Një metër vend në xhenet, është më i mirë se kjo botë me githë të mirat e saj.”
Allahu iu mëshiroftë dhe të gjithëve në Xhennetin e Tij na bashkoftë - Amin