Perëndimi dëshiron ti shkatërrojë vendet muslimane
Shejh Jusuf el-Kardavi, kryetari i Unionit Ndërkombëtar të Dijetarëve Muslimanë (IUMS), lëshoi një fetva ku thuhet se muslimanëve të Sudanit Jugor nuk u lejohet të votojnë për ndarje nga Sudani Verior.
Ai gjithashtu u bëri thirrje muslimanëve dhe arabëveqë të bashkohen dhe të formojnë një trup të madh i cili do t’i bashkonte. Fetvaja është dhënë si përgjigje ndaj pyetjes e cila iu drejtua shejh Kardavit gjatë emisionit "Sheriati dhe jeta" në televizionin El-Xhezira. Pyetja kishte të bëjë me atë se çfarë qëndrimi duhet të ketë Unioni Ndërkombëtar i Dijetarëve Muslimanë (IUMS) ndaj përpjekjes së ndarjes së Sudanit Jugor, si dhe a është e lejuar nga pikëpamja fetare që muslimanët e Sudanit të votojnë në favor të ndarjes.
"Muslimanëve të Sudanit nuk u lejohet të votojnë për ndarje, e cila gjithmonë sjell të keqen. Perëndimi tani është bashkuar dhe aleat, ndërsa ne jemi të ndarë dhe në një gjendje të mosunitetit. Ka disa skema që kanë të bëjnë me ndarjen e këtij vendi të madh - Sudanit", u përgjigj Kardavi.
Shejh Jusuf Kardavi shtoi se ndarjen e Sudanit e mbështesin SHBA-të dhe vendet perëndimore, me qëllim të shkatërrimit të unitetit të botës muslimane. "Tani Jugu, mandej do të pasojë Darfuri. Në fakt, Perëndimi kërkon ndarjen dhe copëtimin e vendeve muslimane. Kjo është shumë serioze. Ne nuk duhet të miratojmë copëtimin e cilitdo vend", tha Jusuf Kardavi.
Ai u bëri thirrje muslimanëve dhe arabëve për të formuar një trup më të madh se Lidhja Arabe dhe Organizata e Konferencës Islamike, duke theksuar se këto organe nuk po e kryejnë rolin e tyre drejtë dhe siç duhet. "U bëj thirrje muslimanëve për të formuar një trup më të madh dhe më gjithëpërfshirës, i cili do t’i afrojë të gjithë dhe do ta bashkojë ‘fjalën’ e tyre." Ne, muslimanët, kështu do të kemi mundësinë që t’i shtyjmë përgjegjësitë tona në lidhje me këto çështje. Duhet të marrim rol më të madh."
Gjithashtu, Kardavi ka vënë në dukje edhe përvojën e Bashkimit Evropian si një shembull i unitetit dhe aleancës: "Shikoni Evropën, ajo ka pasur më shumë luftëra të brendshme në shekujt e kaluar, të cilat kanë përfunduar me miliona të vdekur. Megjithatë, kanë lënë të kaluarën mbrapa dhe tani kanë formuar një bllok i cili është bashkuar në aspektin ekonomik, kulturor dhe fetar."
Më parë Këshilli Sheriatik i Dijetarëve dhe Imamëve të Sudanit lëshoi një fetva sipas së cilës referendumi për ndarjen e Jugut është i paligjshëm. Ata i kërkuan qeverisë në Kartum që të zbatojë rregullat e sheriatit pa marrë parasysh se çfarë do të vendosin jugorët. Për më tepër, ata paralajmëruan për skemën e 'Perëndimit Sionist' i cili tenton të ndajë Sudan në pesë vende të vogla ‘të mjera’.
"Referendumit i mungon cilado vlerë e sheriatit. Është e paligjshme të jepet cilado pjesë e tokës së Sudanit, e cila i takon gjithë Ummetit. Pjesëmarrja në referendum, në mënyrë që të ruhen muslimanët e Jugut, nga aspekti fetar është e papranueshme", theksoi Këshilli.
Referendumi publik është paralajmëruar për 9 Janar 2011. Atë ditë do të mbahet dy referendume të njëkohshme. Njëri ka të bëjë me banorët e zonës së kontestuar Abyei, në mënyrë që të përcaktohet se a do të bëhet pjesë e Sudanit Jugor apo Verior. Ndërsa i dyti ka të bëjë me ndarjen nga Veriu. Referendumi është element kryesor i marrëveshjes paqësore mes qeverisë qendrore në Sudan, të udhëhequr nga El-Beshiri, dhe rebelëve të Jugut në krye me Salva Kirran./fri/