Reisët kritikojnë qeveritë për moskthimin e pronave
E enjte 31 Mars 2011 9:36
Mos kthimi i truallit nga ana e shtetit, është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj shoqërisë myslimane dhe shkelje flagrante e të drejtës pronësore. Vakëfet, në të gjitha sistemet juridike llogariten si të shenjtë. Ky ishte përfundimi i takimit të pestë me radhë i liderëve të bashkësive islame të Ballkanit i mbajtur në Shkup.
Kryetari i BFI-së së Maqedonisë Sulejman Rexhepi tha se komuniteti mysliman edhe pas 12 vjetësh nga miratimi i ligjit për kthim-kompensimin e pronave nuk ka arritur të kthejë as 15 për qind të pronave të dikurshme. Sipas Rexhepit, kjo lë të kuptohet se Maqedonia nuk është për bashkëjetesë multi-etnike, multi-fetare dhe demokratike.
“Në këto çështje kur është në pyetje interesi i pronës së BFI-së, këtu nuk ka politikë dhe nuk ka ledhatim bosh. 12 vite me radhë prej kur dhe ekziston ligji për denacionalizim edhe pse ligjin në vetvete ngërthen ngatërresa të mëdha dhe paraqet dilema të shumta, krijon huti të shumta por si do qoftë përsëri ne nuk e fajësojmë ligjin sa e fajësojmë politikën e vendit”, deklaroi Sulejman Rexhepi, kryetar i BFI-Maqedoni.
Edhe kryetari i BFI-së së Kosovës Naim Tërnava u ankua për të njëjtin problem, kthimin e pronave të bashkësisë islame, pasi Kosova nuk është e interesuar për një proces të tillë.
“Që 3 vite e pavarur, ende nuk është marrë vendimi në parlamentin e Kosovës për kthimin e pronave edhe pse ne kemi bërë një kërkesë të vazhdueshme dhe që dëshirojmë e kërkojmë sistematikisht që pronat të kthehen tek pronari pasi atë që ata besimtarë që kanë lënë vakëfe pronën e tyre konsiderojmë se kanë bërë një vepër të shenjët prandaj ajo duhet të ngelet për atë që është dedikuar”,u shpreh Naim Tërnava, kryetar i BFI-së së Kosovës.
Kryetari i BFI-së së Sllovenisë, Nexhat Grabus tregoi eksperiencën nga vendi i tij, duke thënë se komuniteti mysliman atje nuk ka probleme të natyrës së pronave. Grabus tha se Sllovenia e ka zgjidhur këtë problem edhe me komunitetin tjetër fetar, katolikët. Ndërkohë zyrtarët fetarë myslimanë të Ballkanit u pritën në një drekë nga kryeministri Nikolla Gruevski, dhe më pas edhe nga presidenti /alsat-m/