Shkruan: Sali Shasivari
Viteve të fundit në Maqedoni janë mbajtur aq shumë zgjedhje – herë të rregullta e herë të parakohshme, herë parlamentare e herë lokale – sa që është vështirë për çdonjërin t’i mbajë mend dhe t’i përkujtojë. Mirëpo, ajo që është e përbashkëta e tërë këtyre zgjedhjeve dhe të cilën çdokush e përjeton, para se ta përkujtojë, është fakti se këto zgjedhje nuk kanë sjellë asgjë të re dhe konstruktive, përpos harxhimeve tejmase nga buxheti i shtetit (lexo: xhepi i qytetarëve) si dhe zhytje të mëtutjeshme në krizë më të thellë politike, ekonomike dhe sociale.
Pika paradoksale, e cila njëherit është edhe boshti kryesorë rreth të cilit u rrotulluan dhe po rrotullohen të gjitha këto zgjedhje, është mossuksesi dhe non-sens-i i tyre, me ç’rast, në vend që zgjedhjet të ofrojnë zgjidhje, ato janë bërë qëllim në vete, dhe në vend që të jenë mjet për të çuar përpara proceset pozitive, ato janë shndërruar në mbështetje “legjitime” për ikje nga përgjegjësia dhe paaftësia për t’u përballuar me problemet dhe sfidat, duke bërë që vendi pas çdo zgjedhje të del më i dobët, më i përçarë dhe në krizë më të thellë se sa që ishte para zgjedhjeve.
Kështu, në kësisoj zgjedhjesh, popullata është mësuar të dëgjojë edhe gjepura të llojit pseudo-patriotik dhe nacional-romantik, duke u shndërruar si të tilla në shfaqje tragji-komike me pasoja serioze për vendin dhe popullatën, popullatë kjo e cila e ka marrë epitetin ‘makineri votuese’, dhe e cila duhet sakrifikuar gjithçka, po bile edhe jetën, me qëllim që ‘padronët’ e tyre të jetojnë mirë dhe të vazhdojnë talljen e tyre në llogari të popullatës së përvuajtur dhe vendit të rraskapitur.
Së këndejmi, periudha parazgjedhore karakterizohet me akuza dhe kanosje të ndërsjella; dita e zgjedhjeve është gjendje e jashtëzakonshme dhe betejë e paskrupullt; ndërsa periudha pas zgjedhjeve është qërim hesapesh… Por, për çudi, të gjitha këto zhvillohen në shpinë dhe kurriz të qytetarëve!
Paradoksi i zgjedhjeve arrin deri në ato përmasa sa që në prag të zgjedhjeve lokale, në vend që të bisedohet për projekte të natyrës zhvillimore dhe infrastrukturore, në to “bisedohet” për “interesa madhore” nacionale, patriotike dhe kombëtare, ndërsa në prag të zgjedhjeve parlamentare, në vend që të bisedohet për çështje madhore politike dhe makroekonomike, të gjitha bisedat fokusohen rreth disa çështjeve minore të natyrës infrastrukturore. Madje, partitë e kësaj ane të Evropës janë aq të “suksesshme” dhe perfide sa që arrijnë që gjithë pakënaqësinë e akumuluar për vite me rradhë ta varrosin dhe cementojnë në disa metra rrugë të cilën e shtrojnë me pllaka disa ditë para zgjedhjeve, me premtim se gjysma tjetër do të jetë peng i fitores së tyre në zgjedhje. Në këtë mënyrë, ata, përveç që arrijnë të hedhin pluhur mbi kujtesën e hidhur të së kaluarës, po aq e mjegullojnë të pamurit në perspektivë, kuptohet, për ata që kanë “shkurtpamësi” në memorjen dhe të pamurit e tyre. Kjo, ngase, ‘në mbretërinë e të verbërve, respektohet edhe ai me një sy’, siç do të thoshte shkrimtari!
Retorika mashtruese e këtyre strukturave (jo) politike është aq “bindëse” sa që arrin që një pjesë bukur të madhe të qytetarëve ta ‘hipnotizojë’, duke i bërë ata të besojnë se ajri të cilin e frymojnë, dielli me të cilin ngrohen, si dhe shumë e shumë të mira tjera janë rezultat i “sakrificës vetëmohuese” që po e bëjnë këto struktura në “shërbim të popullit”, dhe se po të mos ishin ata, vështirë se do të agonte dita e nesërme në këtë nënqiell…!
Në bazë të kësaj logjike, platformë më e mirë e zgjedhjeve është mungesa e platformës, zgjidhje më e mirë është thellimi i krizës, dhe qetësim më i mirë i popullatës është kanosja e tyre me ‘pasoja të paparashikueshme’ në rast të mosvotimit të njërës palë apo tjetrës, ndërsa rezultat i gjithë kësaj është lufta e pamëshirshme dhe makiaveliste për pushtet, me ç’rast, ‘partizanët’ e partisë në pushtet mobilizohen që mos i humbin vendet e punës, ndërsa ‘ata’ të partisë opozitare japin maksimumin, me shpresa se do të punësohen… Ndërsa në të dy rastet, të vetmit fitimtarë janë pikërisht “boss-at” e tyre…
Nën hijen e këtij realiteti të hidhur, thënia e një analisti se “Aty ku mbaron logjika fillon emri Maqedoni” tingëllon shumë e njohur!
Në shumë vende të botës së civilizuar, zgjedhjet janë festë e mirëfilltë dhe “festival” i manifestimit të vlerave demokratike dhe vendimit të lirë të popullit, përpos në demokracinë tonë të brishtë, në të cilën zgjedhjet përcillen me ethe të shumta, të cilat janë manifestim i shumë defekteve dhe fenomeneve patetike prej të cilave vuan shoqëria jonë, dhe të cilat kërkojnë një kurim të shpejtë dhe efektiv.
A thua vallë zgjedhjet e parakohshme, tashmë të paralajmëruara, do të arrijnë ta ndryshojnë këtë realitet të hidhur të lartëpërmendur? Përgjigjen më të mirë ndaj kësaj pyetje e kanë vetë votuesit, të cilët, përreth faktit që janë manipuluar dhe keqpërdorur skajshmërisht, ata, përsëri, fatin e tyre e kanë në duart e veta, edhe atë, në saje të votës që e posedojnë…
S’do mend se vetëdijësimi i popullatës nuk do të ndikonte vetëm në përmirësimin e gjendjes dhe realitetit të përditshmërisë së tyre, por njëherit, do të kontribuonte edhe në ngritjen e vetëdijes politike në tërësi, pasi ndryshimet e mirëfillta dhe afatgjate fillojnë prej poshtë/në bazë… Ngase, Zoti nuk e ndryshon gjendjen e një populli përderisa ata ta ndryshojnë gjendjen e tyre.
Andaj, a thua vallë do të mësohemi një herë e përgjithmonë?!
Shkruan: Sali Shasivari