Gadafi është hebre?
E mërkure 6 Prill 2011 10:58
Shumë libianë mendojnë se Moamer Gadafi, sundues shumëvjeçar i Libisë nuk është fare me origjinë beduine, por me origjinë hebraike e ndoshta edhe të krishterë, transmeton Reuters.
Në shumicën e biografive të cilat kryesisht evropianët i kanë shkruar, thuhet se prindërit e Gadafit kanë qenë barinjë të varfër delesh, pjesëtarë të një fisi beduinësh që kanë jetuar në shkretëtirë afër Sirtës.
Megjithëkëtë, shumë libianë tash e disa vite besojnë se ai e fsheh faktin se është pjesëtar i popullit hebre.
Në një raport të televizionit “NBC” nga Libia është theksuar se çdo i pesti kryengritës lufton kundër Gadafit sepse konsideron se ai është hebre.
Qëkur kishte ardhur në pushtet, kishin filluar rrëfimet për origjinën e tij e disa sosh pohojnë se nëna e tij kishte përqafuan fenë hebraike e disa të tjera thonë se gjyshja e tij ka qenë hebraike, e cila e kishte braktisur bashkëshortin e vet arab.
Mohamed Jusuf Magariaf, disident libian dhe historian, e konsideron të vërtetë pohimin se njëri prind i Gadafit kanë qenë ushtar italian dhe tjetri një hebraike. Për shkak të turpit ata fëmijën ia kanë dorëzuar një kardinali katolik, i cili pastaj ua kishte dhënë një bariu beduin dhe bashkëshortes së tij.
Magariaf, i cili aktualisht jeton në SHBA ka shkruar shumë libra për Gadafin, e për shkak se ka kundërshtuar regjimin është i dënuar me vdekje. Ai në një intervistë për “AOL”, ka thënë se gjatë hulumtimeve për origjinën e Gadafit ka marrë vesh për letrën e cila mund të konfirmojë tregimin për italianin dhe hebraiken.
“Në vitin 1972 Omar El-Meheshi, bashkëpunëtor i Gadafit, kishte marrë një letër në italishte prej kardinalit i cili kishte punuar në Libi kur kishte lindur Gadafi. Këtë e kuptova nga radioja. Omari nuk dinte italisht, e letrën ia kishte dhënë Kalef Almuntasirit, shef i diplomacisë që ta përkthente. E takova Almuntasirin dhe e pyeta për letrën. Almuntasir më pohoi se letra ekziston dhe se e kishte shkruar kardinali që t’i përkujtonte Gadafit se ishte me origjinë hebraike e të krishterë”, thotë Magariaf.
Historiani ka thënë se është për t’u habitur se që nga ardhja në pushtet e Gadafit askush nga pjesëtarët e fisit të tij nuk ka thënë se e kanë të afërt.
“Tradita fisnore është më e rëndësishmja në Libi, të gjithë njihen mes vete, me macë e me kucë. Në rastin e Gadafit askush kurrë nuk e ka përmendur se ai është nga fisi i tyre, se ka këtë xhaxha apo atë dajë, këtë apo atë kushëri. Askush nuk e di datën e saktë të lindjes së tij. Ka shumë pikëpyetje lidhur me këtë”, ka deklaruar Magariaf. /koha/