Ju e dini që i ashtuquajturi ujë është i përbërë nga dy pjesëtarë të përbashkët. Njëri prej tyre është hidrogjeni dhe tjetri oksigjeni.
Ndoshta para mijëra, ose miliona vitesh... kur në botë nuk kishte asnjë qënie, hidrogjeni dhe oksigjeni duke vrarë mendjen kishin menduar.
Oksigjeni kishte thënë:
- Në tokë do të vijnë bimë, kafshë dhe njerëz. Këto do të kenë nevojë për ujë. Dhe ndoshta në sajë të ujit do të gjejnë jetë. Eja e të bëjmë së bashku një punë të dobishme...
Hidrogjeni ishte emocionuar:
- Aman, unë vdes për punë të dobishme.
Oksigjeni kishte vazhduar më tej:
- Po të bashkohemi bashkë, kjo punë quhet e mbaruar...
Hidrogjeni ishte çuar në këmbë menjëherë:
- Unë jam gati,- dhe kishte hapur krahët.
Oksigjeni:
- Prit një herë jo kaq shpejt, pastaj unë jam më i vlefshëm se ti.
Hidrogjeni kur dëgjoi këtë vari buzët.
Oksigjeni sikur të mos kishte ndodhur gjë filloi sërish:
- Por edhe kjo e ka një zgjidhje. Zoti e ka krijuar zgjidhjen e çdo gjëje, mjafton që të vëmë në punë mendjen...
Pas kësaj, hidrogjeni i emocionuar:
- Shpejt, shpejt, thuaje...,- i ishte lutur.
Oksigjeni me të njëjtën pjekuri kishte thënë që:
- Po, unë jam më i vlefshëm se ti, kjo është një e vërtetë. Që të jemi ortakë bashkë, duhet t’i bashkojmë dy grimca prej teje dhe një prej meje, duke formuar atë gjënë e magjishme që quhet “ujë” dhe të gjithë qëniet do të na jenë mirënjohëse neve.
Komunistët nuk janë dakort me çështjen “dy me një”, sepse mbajnë parimin e barazisë në çdo gjë, por falë Zotit atëherë nuk kishte komunistë, kështu që u realizua formimi i ujit, sepse nuk është punë që të pengohet uji.
Në qoftë se oksigjeni dhe hidrogjeni nuk do të na bënin këtë mirësi, natyralistët tanë duke e marrë ujin do të lageshin kokë e këmbë...
Që mos ta zgjasim, ja pra kështu u formua uji.
----------------------------------
Shkruar nga: Bujamin SALIJA