Mesazh paqeje dhe dashurie për festën e Kurban Bajramit
Porosia e Kurban Bajramit qëndron fuqishëm mbi parimet e fisnikërisë, bujarisë, flijimit dhe sakrificës, pasi përveç tjerash është edhe kurorëzim i Haxhit, kushtit të pestë të Islamit, në të cilin demonstrohet uniteti, barazia, solidariteti, devotshmëria, u tha me rastin e shënimit të festës së Kurban Bajramit, manifestimi kryesor i të cilit për territorin e Republikës së Kosovës është mbajtur në xhaminë “Sulltan Mehmet- Fatih” në Prishtinë.
Manifestimi ka nisur me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit janë mbajtur dy ligjërata tematike kushtuar kësaj feste. Faljes së namazit të Kurban Bajramit i ka prirë kryeimami Sabri ef. Bajgora, i cili me këtë rast ka mbajtur edhe Hytben e Kurban Bajramit.
Ai ka thënë se këtë festë e karakterizon vendosmëria e besimtarëve për kryerjen e obligimeve të Haxhit, ku miliona besimtarë lartësojnë emrin e Allahut Fuqiplotë dhe luten për paqe.
“Porosia e Kurban Bajramit qëndron fuqishëm mbi parimet e fisnikërisë, bujarisë, flijimit dhe sakrificës, sepse përveç tjerash është edhe kurorëzim i Haxhit, kushtit të pestë të Islamit, në të cilin demonstrohet uniteti, barazia, solidariteti, devotshmëria dhe madhështia e Muhametit. Haxhi është një përkushtim i përbashkët ndaj Zotit fuqiplotë, duke reflektuar gatishmërinë për të sakrifikuar interesat shoqërore e materiale në shërbim të Allahut, dhe duke rikujtuar se Çabja është edhe drejtim shpirtëror i të gjithë myslimanëve”, ka thënë Bajgora.
Derisa festa e Kurban Bajramit ka si qëllim të saj frymëzimin e dashurisë, triumfit të së mirës ndaj së keqes, vetëpastrimin e shpirtit dhe mbetet një simbol i sakrificës, Bajgora ka ftuar qytetarët dhe shoqërinë në përgjithësi që të tregohen human dhe solidar.
Festa e Kurban-Bajramit nxit besimtarët për dhurim dhe ndihmë ndaj atyre që janë në varfëri, në gjendje të rënde ekonomike, si dhe në forcimin e raporteve miqësore dhe familjare, po ashtu me këtë tek besimtarët duhet të reflektojë ndjenja e humanizmit, solidaritetit, bamirësisë e mbi të gjitha devotshmërisë