Rreziku homoseksual për Shqipërinë
Alfred Lela
A është problemi shqiptar, apo dhe politikat për zgjidhjen e tij, problem i pakicave apo shumicave? Në të shumtën e rasteve, është i këtyre të fundit: të bardhët, shqiptarët, të vjetrit (në mentalitet, jo si grupmoshë) janë përcaktorët
![Rreziku homoseksual për Shqipërinë 115.8-m](https://2img.net/h/www.just4fun-magazin.de/images/news/old/115.8-m.jpg)
kryesorë, si të politikave ashtu edhe të problemeve. Në më shumë raste të tilla sesa, le të themi, romët, grekët apo të rinjtë. Por ka edhe një pakicë, klasa politike, që e sundon diskursin publik, por edhe përcakton politikat që e përmbysin raportin klasik shumicë-pakicë, duke e kthyer problemin shqiptar në problem të pakicës.
Në Shqipëri, sidomos në dekadën e fundit, pas njëfarë shëndeti që i ka sjellë shoqërisë hapja me botën, ka filluar të shtyhet, në kërkim të hapësirës, edhe problemi i ri i një pakice të vjetër, për të mos thënë të përjetshme: ai homoseksual. Pa u futur në labirintin e pakrye të `a është homoseksualizmi sëmundje apo prirje', le të mjaftohemi, për hir të argumentit, me homoseksualizmin e rilindur shqiptar në një rrafsh social-politik, e jo shkencor.
E këtij rrafshi është akuza që u bëhet organizatave jo qeveritare, nuk është e para herë dhe as e para fushë, se, të etur për fonde, e fryjnë sa problematikën aq edhe numrin e komunitetit të homoseksualëve në Shqipëri. Kjo nuk është krejt pa baza po të kujtosh një deklaratë të para do kohëve të një organizate që mbron të drejtat e bashkësisë gay, e cila shpallte se një në tre shqiptarë ishin homoseksualë! Kjo fryrje na çon te një tepri që përbën edhe momentin e dytë të raportit shoqëri-homoseksualë, mëtimit se homoseksualët po prishin familjen. Në fakt, deklarata e fundit i përket kreut të një partie që shihet në pasqyrë si demokristiane, por në aktivitetin e përditshëm është ku e ku më pak e tillë. Jo aq `katolike sa Papa', për shembull, për t'i kujtuar vetes se një kandidat i saj për deputet, burrë me grua e fëmijë, heteroseksual, lojtar i pakompromis i një loje televizive të llojit reality TV, u kap në një qytet të Jugut duke vjedhur tuba. (Apo mos vallë glorifikimi i heshtur i të vjedhurit është pjesë e stofit tonë social?!)
Nëse pretendojmë se një homoseksual nuk është modeli i shqiptarit, le të mos e kandidojmë për deputet, por m'anë tjetër të mos i fusim veshët në lesh kur një heteroseksual, që ne e pranojmë si pjesë të modelimit shoqëror, shmanget me gjithsejt duke i shkelur pa mëshirë vlerat kristiane apo muslimane të shoqërisë.
Në këtë frymë të përballjes së modeleve shoqërore, a mund të shihemi sy më sy, pa i nxjerrë sytë, dhe të pranojmë se kërcënimi homoseksual është më i vogli për familjen shqiptare? Mungesa e besimit, sa për fillim, është kërcënimi më i madh i stofit tonë social. Mosbesimi jo vetëm te tjetri, por edhe te Zoti e sidomos te vlerat njerëzore. Numri galopant i divorceve, i pranishëm sidomos ndër `patricët' e shoqërisë, përbën një tjetër kërcënim për familjen dhe kjo sigurisht nuk mund t'u faturohet homoseksualëve. Për të mos përmendur babëzinë, me sa e sa forma të saj. Apo vanitetin (përfundimisht mëkati ynë i preferuar). Të lartpërmendurat janë vlerat që u sugjerohet të mbrojnë krerëve të partizave të djathta në Shqipëri. (Ndërsa të majtave, të pushojnë së qeni kaq konservatorë dhe të guxojnë duke përqafuar frymën e partive socialiste europiane, e jo purizmin idiot të enverhoxhizmit.)
Nëse duam të pozojmë si kristianë, a nuk duhet filluar nga trau në syrin tonë?