Falënderimet dhe lavdërimet janë për Allahun, Zotin e gjithë botëve. Paqja, mëshira dhe bekimet janë për Muhamedin, familjen dhe shokët e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Mençuria kërkohet dhe pëlqehet, është një veti me të cilën burrat vlerësohen duke u përmendur se filani është burrë i mençur, udhëheqës i mençur, plakë i mençur. Me një fjalë kemi të bëjmë me diçka që bën ashtu si duhet, mendon mirë e thellë dhe çdo gjë e bën me mend dhe me vend. Me këtë rast dëshiroj të kujtoj për vete, edhe, pse jo për mendarët, fjalët profetike ku na tregon Ibni Abasi r.a. kur Muhamedi sal -Allahu alejhi ve selem i drejtohet Eshexh Abdul Kajsit duke i thënë: “Vërtetë ti ke ne vete dy veti (karakteristika), që Allahu i donë: mençurinë dhe maturinë”. (Shënon Muslimi)
Të nderuar lexues!
Mençuria (el-hilm) është vlera më e ndershme e sjelljes dhe gjëja më meritore për mendarët, e mira e sajë është që sjellë zemërgjerësinë, pushimin fizik dhe mirënjohjet. Përkufizimi i mençurisë (el-hilm) është: përmbajta e vetes në momentet e vrullshme të hidhërimit duke menaxhuar veten me mend dhe me vend, duke menduar mirë dhe thellë. Mundësitë për ta arritur këtë veti janë të shumta, në vijim të kujtojmë disa prej tyre:
Mëshirë ndaj të paditurve,
Respekt ndaj palës gjatë dialogut, polemikës,
Zemërgjerësi,
Edukatë dhe mirësjellje,
Larg fyerjeve dhe etiketimeve,
Synime të larta,
Shtyrja e hidhërimit me maturi,
Padyshim që njerëzit dallojnë kur ata ballafaqohen me sfida të ndryshme, disa në pamundësi për ta menaxhuar veten gjatë hidhërimit, nguten dhe marrin rolin e budallait. Besimtari një gjë të tillë nuk duhet t’ia lejoj vetes, por duhet të stoliset me veti që e zbukurojnë personalitetin e tij, e këto janë mençuria dhe maturia. I matur në çdo gjë, larg çdo ngutje dhe paragjykimi, kështu robi arrin që ti kuptoj gjërat me hollësi, drejtësi, urtësi, etj..Mençuria dhe maturia janë fryte të pjekurisë.
Allahu im! Më mundëso që jetën ta organizoj me mend dhe me vend, duke menduar mirë dhe thellë.
Allahu im! Më zbukuro me dy cilësi që Ti i donë: mençurinë dhe maturinë.
Ulvi Fejzullahu, Bujanoc