Në Stamboll u mbajt konferenca dyditore“Nga Luftërat Ballkanike në Paqen Ballkanike” e organizuar nga Qendra për Hulumtime Strategjike në Ministrënë e Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë.
Në Konferencë morën pjesë ministrat e punëve të Jashtme të Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe nikoqiri Ahmet Davutoglu, të cilët u paraqitën me kumtesat e tyre rreth zhvillimeve historike e politike të Ballkanit dhe mundësive reale për ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme në Ballkan. Edhe pse ishte i ftuar, në konferencë mungoi Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, në vend të të cilit mori pjesë zv.ministri Petrit Selimi.
Fjalën hyrëse e mbajti historian me famë ndërkombëtare Prof.Dr. Kemal Karpat, i cili shpjegoi disa ceshtje të rëndësishme të historisë së përbashkët të Ballkanit.
Konferenca, e cila u mbajt nga 18-19 tetori, vuri në pah aspekte të shumta të shtjellimit të temave me interes për tërë rajonin. Profesorë eminentë nga Turqia dhe Evropa kanë mbajtur një mori të kumtesave dhe debateve të lira me pjesëmarrësit e ftuar.
Përveç zyrtarëve politikë të shteteve ballkanike, në konferencë ishin të pranishëm edhe personalitete nga jeta akademike dhe shoqëria civile.
Konkluzioni i Konferencës ishte paqja në Ballkan jo vetëm se është e domosdoshme por ajo është edhe e mundur sidomos duke pasur parasysh integrimin ne Bashkimin Evropian. /Blerim Halili, Stamboll/