Njëherë Hazreti Isai, alejhis-selam, pati shkuar tek disa jahudi për t’u folur për misionin e tij. Jahudinjtë filluan t’i drejtonin fjalë të këqija e të pista. Ndërsa ai u foli ëmbël e me mirësi. Atyre që e pyetën se pse ai u fliste me të butë e me të mirë atyre, u tha:
-Çdo njeri shet atë gjë që ka.
Të gjitha gjendjet, veprimet dhe sjelljet e njeriut janë pasqyra e botës së tij të brendshme. Siç nuk mund të përftohet një vijë e drejtë me një vizore të shtrembër, ashtu nuk mund të presësh ndonjë vepër e mirë nga një fatkeq, që botën e tij të brendshme e ka të turbullt.
T’i kthehesh të keqes me të keqe, është forma e sjelljes së njerëzve të papjekur. Ndërsa të bësh mirë në çdo situatë, tregon arritjen e njeriut në nivele të larta shpirtërore. T’u bësh mirë njerëzve ka tri grada të larta virtytshmërie:
E para, kthimi me të mirë të së mirës që të është bërë. Ndaj një të mire që të është bërë, të jesh mirënjohës
dhe falënderues, është detyra e çdo njeriu. Të mund t’ia kthesh të mirën dikujt me një të mirë edhe me të madhe, do të ishte edhe më me vlerë.
E dyta, të bësh mirë pa pritur asgjë më pas prej njerëzve. Këta që janë në këtë gradë të virtytit janë më lart shpirtërisht se të parët.
E treta dhe më e vlefshmja është t’i bësh mirë edhe atij që të bën keq. Tekefundit, vlera e një mirësie është
në raport me vështirësinë që ajo shfaq. Sigurisht, është shumë e vështirë të presësh mirësi nga ai të cilët i është bërë keq. Prandaj, të parët tanë kanë thënë: “Të bësh mirë pasi të kanë bërë mirë, është sjellja e gjithkujt, ndërsa të bësh mirë, kur të kanë bërë keq, është sjellja e njerëzve të arrirë.”
Sa bukur shprehet Hazreti Mevlana në disa vargje të tij:
“Uji ka me qindra të mira dhe madhështi. Pranon të papastrit në gjirin e vet dhe i nxjerr të pastër.”
Një besimtar i vërtetë duhet të jetë i pastër e i domosdoshëm si uji dhe si një oqean me shpirt të gjerë. Kur ai përballet me situata krejt të pakëndshme, duhet të shpërndajë mëshirë e rahmet si dhe duhet të shpalosë një karakter të pjekur në çdo rast. Ai duhet të ketë një shpirt të kulluar që pasqyron mirësjelljen,
finesën dhe të bukurën.
Hazreti Mevlana ka thënë: “Bëhu si dheu.”. Dheu, edhe pse shtypet me këmbë përditë, tregohet bujar ndaj të gjitha krijesave.
Dheu pastron jashtëqitjen e gjallesave
dhe, po atyre, ua kthen në trajtë ushqimi të pastër dhe të dobishëm.
Për të marrë hise nga urtësia hyjnore
duhet të shpalosim vlerat e ujit dhe të dheut. Njeriu duhet të ketë një vizion të thellë shpirtëror, për t’u thelluar në urtësinë e përbërësve
të tij kryesorë, ujit dhe dheut.
Dhëntë Allahu i Lartmadhëruar që të gjithë ne të arrijmë nivele kaq të larta shpirtërore. Na dhëntë forcë dhe lehtësi që duke falur të tjerët të bëhemi të meritueshëm për faljen e Tij dhe na bëftë besimtarë të devotshëm prej të cilëve njerëzimi do të shohë vetëm mirësi dhe bukuri! E bëftë thesar që nuk shuhet ekzaltimin shpirtëror që përftohet nga afrimi me Allahun e Lartmadhëruar duke marrë hise nga gjendjet e bukura të Miqve të Hakut!.. Amin!