Ministri turk i Mbrojtjes, Ismet Yilmaz, ka thënë se vendi i tij do ta përkrahë Forcën e Sigurisë së Kosovës edhe me armatim. Gjatë takimit me Ministrin Agim Çeku, Yilmaz ka bërë të ditur se Turqia do t’ia blejë Kosovës edhe tri autoblinda. Ndërkohë, Ankaraja ka paralajmëruar edhe mjete tjera për ushtrinë e ardhshme të Kosovës.
Pjesëtarët e FSK’së po ndjekin Akademinë ushtarake në Turqi për pilotë të helikopterëve. Dy autoblinda deri më tani i kanë blerë dhe pritet t’i blejnë edhe tri të tjera me paratë që merr Kosova si mbështetje financiare nga Turqia, si dhe të dyja vendet do të shkëmbejnë atashe ushtarak në ambasadat e tyre në të dyja kryeqytetet.
Kjo u bë e ditur të premten pas takimit në mes të ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku dhe ministrit të Mbrojtjes së Turqisë, Ismet Yilmaz. Ky i fundit ka thënë se ruajtja e integritetit territorial të Kosovës dhe sovranitetit të saj është jetike, duke shprehur gatishmëri që t’i japin përkrahje edhe dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, Kosova është si të gjitha vendet e Ballkanit dhe duhet t’i ketë po të njëjtat mundësi.
Yilmaz ka pohuar se janë të gatshëm ta përkrahin në çdo aspekt Kosovën, duke quajtur kështu vend me sovranitet të plotë, por ka këshilluar që dialogu të vazhdojë dhe të mos mbyllet asnjëherë mundësia për të dialoguar.
“Dialog, duhet të ketë dialog. Ai duhet të vazhdojë edhe më tej dhe të mos mbyllet asnjëherë mundësia për të dialoguar, sepse konfliktet e reja sjellin edhe armiqësi të reja. Ndërkaq, ky rajon ka më shumti nevojë për paqe dhe stabilitet. Çdo njeri që jeton në këtë rajon ka nevojë më shumë për paqe. Besojmë se rruga për paqe është ajo e dialogut”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, ministri Çeku, ndër të tjera, ka thënë ta ketë njoftuar homologun e tij edhe për ecurinë e procesit të rishikimit të FSK’së dhe sfidat që po kalojnë në këtë proces.
Ai ka bërë të ditur se kanë vendosur që të shkëmbejnë edhe atashe ushtarak në ambasadat e të dyja vendeve. Çeku ka treguar në detaje përfitimet që ka FSK’ja nga Turqia.
“Biseduam gjithashtu edhe për mundësinë e përfshirjes së trupave të FSK’së në kuadër të kontingjentit të tyre në operacionet paqeruajtëse ku këta janë të angazhuar…….Turqia është zë i fuqishëm në kuadër të NATO’së, ju e dini që NATO është duke i shqyrtuar disa çështje në lidhje me FSK’në dhe kërkuam mbështetjen e përfaqësuesve të tyre në NATO, mbështetjen e ministrit në samitin e ministrave të Mbrojtjes që t’i përshpejtojë këto procese dhe sa më shpejtë t’i aprovojë kapacitetet e plota operacionale, të vendos për raportet formale mes FSK’së dhe NATO’së dhe t’i jep mundësi FSK’së të jetë pjesë e operacioneve paqeruajtësve të udhëhequra nga NATO’ja”, ka thënë ai.
Çeku ka thënë se me Turqinë ka një marrëveshje financiare në fushën e industrisë ushtarake dhe nga kjo marrëveshje çdo vit FSK përfiton një shumë të konsiderueshme të mjeteve financiare, të cilat i shfrytëzon për blerje të pajisjeve nga industria ushtarake e Turqisë.
Sipas tij, FSK ka filluar të pajiset edhe me autoblinda, dy prej të cilave tashmë i ka, ndërsa shumë shpejt do t’i ketë edhe 3 të tjera.
Çeku ka thënë se në muajin maj do të shkojnë në panairin e industrisë ushtarake në Turqi dhe do shohim se si do t’i shfrytëzojmë këto mjete financiare që i ndan Turqia për FSK’në.
U bë e ditur se deri të tash 114 pjesëtarët FSK’së, oficerë apo nënoficerë kanë kaluar nëpër shkollat ushtarake të Turqisë dhe momentalisht janë 14 pjesëtarët të FSK’së përfshirë edhe 6 kadet që janë duke vijuar akademinë në Turqi, konkretisht janë duke u përgatitur për pilot të helikopterëve dhe mirëmbajtës së helikopterëve.
Ushtria e Turqisë është e dyta më e fuqishmja në kuadër të NATO’së.
[justify]