Ishte natë e ftohtë dimri. Shiu binte me rrëmbim, duke përqafuar tokën, e cila ndjente mall për çdo pikë shiu. Tek tuk shiheshin njerëz me çadra në duar, duke nxituar ose tek makina, ose tek dera e shtëpisë. Dikush tjetër, orvatej të mbrohej nga shiu i rrëmbyer me xhaketën e tij, të cilën e mbante mbi kokë me krahët hapur.
Në mes të këtij ftohti dhe shiu të rrëmbyer, një burrë me rroba të vjetruara dhe ta palara, qëndronte në këmbë, pranë një ndërtese. Nga pamja e jashtme, të kaplonte një ndjenjë keqardhjeje dhe mëshire, e cila të këpuste shpirtin. Dukej i shkujdesur krejtësisht nga aktualiteti përreth. Një lot i ngrohtë i rridhte mbi faqe.
Një nga kalamitarët, kur e pa, qëndroi dhe e pyeti si me ironi:”A nuk ke rroba më të mira për të veshur?” dhe menjëherë e pasoi me pyetjen tjetër:”Si mund të të ndihmoj?”
Pa e prishur fare terezinë, varfanjaku iu përgjigj:”Po, duke mu hequr sysh.”
Kalimtari e la, duke pëshpëritur me vete:”Më keq të pafsha atëherë! I çmendur, unë dua ta ndihmoj, ai refuzon!”
Varfanjaku u ul në trotuar, pa e prishur fare terezinë, derisa më në fund, shiu pushoi.
Mandej, u ngrit dhe u drejtua për tek hoteli aty pranë. Recepsionisti, i doli para dhe i tha:”Zotëri, nuk mund të hyni brenda! Këtu ndalohet lypja. Ju lutem largohuni!”
I varfëri e pa me inat dhe nga xhepi i xhaketës së rreckosur, nxori çelësin që mbante numrin e dhomës 1 b.
Ajo ishte dhoma më e mirë, pasi kishte pamje nga lumi.
Mandej, i varfëri vazhdoi rrugën drejt shkallëve dhe pasi kapërceu dy tre shkallë, u kthye nga recepsionisti dhe i tha:”Do të dal pas gjysmë ore, prandaj ma përgatit makinën Rolls Royce.
Recepsionisti mbeti i shtangur në vend, pa ditur ç’të thotë. As ata që mbledhin mbeturinat në kazanat e plehrave nuk kanë rroba kaq të rreckosura.
Një gjysmë ore më pas, nga dhoma më e mirë, doli një zotëri i veshur mirë, krejt i ndryshëm nga ai që hyri: Një kostum dhe pallto luksi, një kravatë dhe këpucë plot shkëlqim, të cilat pasqyronin pastërtinë dhe higjienën personale të tij.
Recepsionisti u hutua edhe më shumë. Pasi zotëria në fjalë hipi në makinën e tij Rolls Royce, e thirri recepsionistin dhe e pyeti:”Sa e ke rrogën zotrote?”
Recepsionisti iu përgjigj:”3000 dollarë zotëri.”
I pasuri e pyeti:”A të mjaftojnë?”
Recepsionisti:”Mezi.”
I pasuri:”A do të dëshiroje më shumë?”
Recepsionisti:”E kush nuk do e dëshironte zotëri?!”
I pasuri:”Po, a nuk më the pak më parë që lypja është e ndaluar këtu në këtë hotel?”
Recepsionisti, i ndjerë në siklet u përgjigj:”Po.”
I pasuri:”Mallkuar qofshi. I vlerësoni njerëzit nga rrobat dhe pasuria e tyre. Për gjysmë ore, e ndryshove 100 % mënyrën tënde të komunikimit.”
Pastaj, heshti pak dhe i tha:”Çdo dimër, vij dhe provoj ndjesinë e fukarenjve dhe shtresave në nevojë. Dal me rroba rrecka rrecka dhe qëndroj në shi si të pastrehët. Kështu e ndjej çfarë ndjejnë ata dhe më motivon që tu gjendem pranë dhe ti ndihmoj. Sakaq, ju, nuk keni respektin më të vogël për ata që s’kanë para. Silleni me ta, sikur të ishin turpi i kësaj jete. Nëse nuk i ndihmoni, të paktën mos i ironizoni!
Elmaz Fida