[Only admins are allowed to see this image] - Admin shkruajti:
- Zoti e pëlqen adhurimin e robërve të Tij dhe e pëlqen pendimin nga çdo gjynahqar.
Nga Dr. Selman Aude
Në Ramazan veçanërisht, njerëzit i kthehen Zotit të tyre, i përulen dhe heqin dorë nga gjynahet për shkak të bujarisë dhe zemërgjerësisë hyjnore, për faljen e madhe të Zotit dhe për mëshirën e Tij në këtë muaj të bekuar. Ramazani është një shans i vyer që robi të pendohet, e nëse nuk e bën këtë gjatë Ramazanit, kur mund ta bëjë?
Zoti e pëlqen adhurimin e robërve të Tij dhe e pëlqen pendimin nga çdo gjynahqar.
Në gjithësi, nuk ka të keqe përveç gjynaheve dhe pasojave të tyre. Kështu, nëse njeriu ruhet nga gjynahet, ruhet edhe nga pasojat e tyre. Për një person që i është bërë padrejtësi, persekutohet dhe i janë qepur pas kundërshtarët, nuk ka gjë më të dobishme sesa pendimi i sinqertë.
Nëse Zoti ia do të mirën një njeriu, i hap portën e pendimit, të përulësisë ndaj Tij, nevojës, sinqeritetit, përgjërimit, lutjes, dëshirës për të qenë sa më pranë Tij me vepra të mira, saqë edhe ndonjë gjynah që mund të veprojë, kthehet shumë shpejt në favorin e tij, duke e detyruar shejtanin të thotë:”Ah sikur ta kisha lënë rehat dhe të mos e shtyja drejt gjynahut!”
Pendimi është kthim tek Zoti, braktisje e gjynahut, të bëhesh pishman për shkujdesjen e treguar, të jesh i vendosur se nuk do i kthehesh më atij gjynahu dhe se do i kryesh me përpikëri detyrimet karshi fesë.
Në Kuranin fisnik, Zoti i nxit besimtarët që të pendohen në shumë sure dhe ajete.
“Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti. Kthehuni tek Zoti juaj dhe nënshtrojuni Atij, para se t’ju vijë dënimi, sepse atëherë nuk do të mund t’ju ndihmojë kush. Ndiqni më të mirën e asaj që ju është shpallur nga Zoti juaj, para se t’ju vijë dënimi papritmas, pa e ndier atë” (Zumer, 53-55)
“O ju, që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, që Zoti juaj t’jua shlyejë gabimet e t’ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, Ditën, kur Allahu nuk do ta turpërojë Profetin dhe ata që besuan bashkë me atë. Drita e tyre do të shkëlqejë para tyre dhe në të djathtë të tyre. Ata do të thonë: “O Zoti ynë, përsose dritën tonë dhe falna ne! Vërtet Ti je i Fuqishëm për çdo gjë”. (Tahrim, 8)
“Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!” (Nur, 31)
“Kështu, ata të dy, (Ademi dhe Havaja), hëngrën nga ajo pemë e u ndërgjegjësuan për lakuriqësinë e tyre, prandaj nisën të mbulohen me gjethet e Xhenetit. Ademi nuk e zbatoi urdhrin e Zotit të vet, kështu që devijoi (nga rruga e drejtë).” (Taha, 121)
Nga profeti Muhamed a.s, transmetohen shume thënie të cilat e përforcojnë rëndësinë e pendimit. Transmeton El-egar Elmuzenij, se profeti Muhamed a.s ka thënë:”Zemra ime përhumbet dhe unë i kërkoj Zotit falje njëqind herë në ditë.” (Muslim)
Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë:”Zoti shtrin dorën e Tij (të faljes) natën, që të pendohet ai që bën gjynahe ditën, e shtrin dorën e Tij ditën, që të pendohet ai që bën gjynahe natën. Kjo do të zgjasë derisa të lindë dielli nga perëndimi.” (Muslim)
Një herë tjetër, Profeti a.s u tha shokëve të tij:”Zoti gëzohet më shumë me pendimin e një robi, sesa gëzohet ndonjëri prej jush, i gjendur në mes të shkretëtirës me devenë e tij e cila mbart ushqimin dhe ujin. Atë e zë gjumi nën hijen e një peme, ndërkohë që deveja merr arratinë. Pasi zgjohet, e kërkon gjatë derisa i humbet shpresat. Pastaj kthehet tek pema dhe shtrihet për të vdekur, por e zë gjumi. Kur zgjohet, gjen devenë tek pema. Nga gëzimi, ai thotë:”O Zot, Ti je robi im kurse unë jam zoti yt!” Gaboi nga gëzimi i madh.”
Llojet e pendimit
Pendimi është dy llojesh: I domosdoshëm dhe i pëlqyeshëm.
Lidhur me pendimin e domosdoshëm, këtu hyn pendimi për veprimin e gjërave të ndaluara dhe lënien e obligimeve. Ndër gjynahet më të rënda janë mosbesimi, idhujtaria, hipokrizia, kamata, ushqimi me haram, keqtrajtimi i prindërve, shkuarja keq me të afërmit, përgojimi dhe nxitja e armiqësisë mes njerëzve, dëshmia rrejshëm etj...
Pendimi, ashtu siç është i kërkuar për gjynahet, është i kërkuar edhe për lënien e obligimeve, si namazi, agjërimi, haxhi, zekati etj...
Sakaq, pendimi i pëlqyer është ai që bëhet për gjërat e papëlqyeshme, si pendimi për mos faljen e namazit të vitrit, për mos faljen e namazeve nafile, mos leximin e shpeshtë të Kuranit, mos faljen e namazit të natës etj... Njeriu duhet të pendohet edhe për veprat që janë të papëlqyeshme, por që nuk janë haram.
Njeriu nuk ka rrugë tjetër shpëtimi përveçse pendimit. Vetë profetët dhe të dërguarit e Zotit, kryesojnë listën e të penduarve. Pendimet e tyre i ka përjetësuar Zoti në Kuran:
“Ata thanë: “O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit”. (Araf, 23)
“O Zoti im! Njëmend, Unë i kam bërë keq vetes, andaj më fal!” Dhe Ai e fali. Pa dyshim, Ai është Falësi e Mëshirëploti.” (Kasas, 16)
Profeti Muhamed a.s e kishte bërë zakon që në çdo mexhlis të bënte istigfar deri në 100 herë. E nëse këtë e gjejmë në jetën e profetëve dhe të dërguarve të Zotit, ç’mund të themi për ne të shkretët, ne të cilëve na kanë mbuluar gjynahet, indiferentizmi dhe neglizhenca, ne që zemrat na janë ngurtësuar dhe i ka zënë pluhuri? Veç Zoti na ndihmoftë se zgjidhje tjetër s’kemi!
Modele nga historitë e të penduarve
Karvani i të penduari është i lashtë, ai starton që nga Ademi a.s, babai ynë, të cilit shejtani ia zbukuroi të keqen, iu betua se thjesht donte ta këshillojë. Kështu, ai bashkë me Havanë ranë në grackën e shejtanit, por u penduan më pas dhe Zoti ua pranoi pendimin. Që atëherë, Zoti e bëri ligj pendimin për robërit e Tij.
Një model i të penduarve, është dhe Maiz, i cili vajti tek profeti Muhamed a.s dhe i tha:”Kam kryer marrëdhënie jashtëmartesore, prandaj kam ardhur të më pastrosh!” Sakaq, Profeti a.s i thoshte:Ndoshta e ke prekur vetëm me dorë, ndoshta thjesht e ke puthur ... duke u orvatur ti krijojë hapësira për tu justifikuar. Por, Maiz i tha:”Jo o i dërguar i Allahut.” Profeti a.s e pyeti:”Mos je i çmendur?” Maiz iu përgjigj:”Jo.” Pasi pyeti rreth tij, njerëzit i thanë se është njeri normal dhe i arsyeshëm. Meqë as dyshimi se mund të ishte i pirë nuk qëndroi, Profeti a.s urdhëroi që të ndëshkohej. Pasi mori ndëshkimin që kërkonte, Profeti a.s i njoftoi shokët e tij se pendimi i tij ishte i sinqertë.
Një model tjetër është ai i Gamidijes, e cila pranoi se kishte kryer marrëdhënie jashtëmartesore dhe se ishte shtatzënë. Ajo i tha:”O profet i Zotit, kam bërë një gjynah të rëndë, prandaj më penalizo!” Profeti a.s u tha familjarëve të saj që të kujdeseshin për të dhe pasi të lindë, ta sjellin tek ai. Pasi e lindi fëmijën dhe e priti dy vite sa u rrit, vajti tek Profeti a.s sërish dhe u ndëshkua. Pasi ndërroi jetë, Profeti a.s i fali namazin e xhenazes. Omeri, e pyeti i habitur:”O i dërguar i Allahut! Po lutesh për të, ndërkohë që ka bërë marrëdhënie jashtëmartesore?!” Profeti a.s ia ktheu:”Ajo është penduar me sinqeritet, saqë nëse pendimi i saj do u shpërndahej shtatëdhjetë njerëzve nga Medineja, do i përfshinte. E kush mund të pendohet më mirë, sesa kjo që flijoi veten?”
Ndër historitë më të njohura të pendimit, është ajo e dikujt që kishte vrarë 99 persona. Transmeton Ebu Seid Elhudrij, se Profeti a.s ka thënë:”Tek popujt para jush, ka qenë dikush që vrau 99 persona. Ai shkon tek një murg dhe e pyet:”Kam vrarë 99 persona, a më pranohet pendimi nëse pendohem?” Murgu i tha:”Jo, nuk të pranohet.” Dhe ai e vrau dhe murgun, duke e rrumbullakosur numrin, njëqind. Mandej, pyeti mbi njeriun më të ditur mbi faqen e tokës dhe dikush ia tregoi ku mund ta gjejë. Me ta gjetur, e pyeti nëse i pranohej pendimi, pasi kishte vrarë njëqind persona. I dituri i tha:”Po, e kush është ai që të privon nga pendimi tek Zoti? Por shko në filan vend se atje ka njerëz të mirë të cilët të ndihmojnë të adhurosh Zotin. Mos u kthe më këtu se janë njerëz të ligj.”
Ai u nis për atje, por në rrugë i erdhi vdekja. Dy palë melekësh erdhën ti marrin shpirtin, të rahmetit dhe të ndëshkimit. Secili prej tyre kërkon ti marrë shpirtin. Melekët e rahmetit thoshin se ishte penduar dhe po shkon tek Zoti me zemër të pastër. Sakaq, melekët e dënimit shoshin se nuk ka bërë asnjë të mirë në jetën e tij. Ndërkohë, u vjen një melek i tretë si gjykatës dhe u thotë të matin distancën mes vendit ku kishte jetuar dhe destinacionit. Nëse është më afër vendit ku kishte vepruar krime, do e merrnin melekët e dënimit, në të kundërt, do e merrnin melekët e rahmetit. Pasi e matën, panë se ai kishte hedhur një hap më shumë drejt vendit ku e prisnin njerëzit e mirë. Kështu, e morën melekët e rahmetit.”
Një histori tjetër e çuditshme pendimi, është ajo që përmend Profeti a.s lidhur me Dhul Kiflin. Ai ishte një person që jetonte në mesin e Benu Israilëve dhe që nuk njihte kufi, çdo gjynah që njihej e vepronte. Ishte njeri shumë i ulët, i shthurur, pinte alkool dhe nuk përmbahej para tundimit. Një herë, i dha një gruaje gjashtëdhjetë dinarë flori për të kryer marrëdhënie. Kur u shtrinë, gruaja shpërtheu në të qara dhe Dhul Kifli e pyeti:”Çfarë pate? Mos të detyrova me zor?”
Gruaja iu përgjigj:”Jo, por kjo është një vepër që nuk e kam bërë kurrë më parë.”
Dhul Kifli e pyeti:”Po çfarë të detyroi të pranosh atëherë?”
Gruaja i tha:”Halli dhe fukarallëku.” Atëherë Dhul Kifli u ngrit dhe i tha:”Largohu dhe mbaji dhe florinjtë që të dhashë! Që sot nuk do të bëj më gjynahe të tilla kurrë!”
Kushtet e pendimit
Nëse gjynahu është mes njeriut dhe Zotit, kushtet e pendimit janë tre:
Të heqë dorë nga gjynahu
Të pendohet për çfarë ka vepruar
Të jetë i vendosur se nuk do i kthehet më gjynahut.
Nëse njëra nga këto të treja nuk plotësohet, pendimi nuk është i saktë.
E nëse gjynahu ka të bëjë me njerëzit, është dhe një kusht i katërt; T’u kthejë detyrimet që u ka njerëzve. Nëse ka përvetësuar pasurinë e të tjerëve, duhet t’ua kthejë. Nëse ka akuzuar apo përgojuar dikë, ti kërkojë falje, por nëse ka frikë sherrin, le të mjaftohet me kërkimi falje dhe lutjet për të.
Pendimi duhet të bëhet për të gjitha gjynahet, por edhe nëse bëhet për disa, është pendim i saktë për ato gjynahe për të cilat pendohet.
Faktorë që stimulojnë pendimin
1 – Vendosmëria dhe vullneti i fortë. Njerëzit nuk bëjnë gjynahe, veçse kur u dobësohet vullneti dhe u bie vendosmëria, vetëm kur fillojnë e hezitojnë dhe janë të lëkundur.
2 – Lutjet. Kërkojini Zotit dhe luteni që tu udhëzojë të pendoheni sinqerisht. Ndër lutjet më të shpeshta të profetit Ibrahim dhe të birit Ismailit, ishte:
“O Zoti ynë! Na bëj të përulur ndaj Teje! Bëj që edhe pasardhësit tanë të jenë të përulur ndaj Teje! Tregona ritet e Haxhit dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti!” (Bekare, 128)
3 – Ndryshimi i ambientit i cili e nxit për gjynahe. Siç e dimë, gjynahet kanë shkaqe, ashtu siç ka shkaqet e saj bindja ndaj Zotit. Kushdo që shoqërohet me besimtarë të mirë, falet, kushdo që shoqërohet me horra, bëhet si ata. Prandaj dhe i dituri, e këshilloi atë që kishte vrarë 100 persona, të largohet nga shoqëria aktuale.
4 – Mos humbja e shpresës. Humbja e shpresës është porta më e preferuar e shejtanit nga e cila depërton në zemrën e njeriut dhe e prish atë. Kushdo që vepron gjynahe, brenda në zemër, ndihet i pashpresë. Nuk i lejohet një myslimani të humbasë shpresën. Thotë Zoti në Kuran:” “O bijtë e mi, shkoni e kërkoni lajme për Jusufin dhe vëllain e tij dhe mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut. Shpresën në mëshirën e Allahut nuk e humb askush, përveç jobesimtarëve”. (Jusuf, 87)
Për gjynahqarët që humbasin shpresën, vlen tu citojmë thënien profetike:”Nëse nuk do të bënit gjynahe, Zoti do u zëvendësonte me një popull që bëjnë gjynahe, pendohen dhe Zoti i fal.”
“Të gjithë bijtë e Ademit janë gabimtarë dhe gabimtarët më të mirë janë ata që pendohen.”
5 – Shtimi i namazeve, leximit të Kuranit, istigfarit, agjërimit, përmendjes së Zotit, salavatit mbi Profetin a.s, urdhërimi për mirë dhe ndalimi nga e keqja, respekti i prindërve, tu bësh mirë njerëzve etj... Thotë Zoti në Kuran:” Fale namazin në mëngjes e mbrëmje dhe në një kohë të natës, sepse veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija. Kjo këshillë vlen për ata që i pranojnë këshillat.” (Hud, 114)
6 – Sinqeriteti ndaj Zotit. Nëse njeriu është i sinqertë me Zotin dhe i sinqertë në pendimin e tij, Zoti do e ndihmojë dhe mbështesë të largohet nga gjynahet.
“Por ata që pendohen, përmirësohen, mbështeten fort tek Allahu dhe që besimin e tyre e kanë sinqerisht vetëm për Allahun, do të jenë me besimtarët e vërtetë. Allahu do t’u japë shpërblim të madh besimtarëve.” (Nisa, 146)
7 – Përpjekjet, lufta dhe mos dorëzimi. “Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët!” (Ankebut, 69)
8 – Shpresa e shkurtër e kësaj bote. Transmeton Abdullah ibnu Omeri, Zoti qoftë i kënaqur me të, se i dërguari i Zotit a.s e kapi për supi dhe i tha:”Jeto në këtë botë, si një i huaj ose si një kalimtar!” Vetë Abdullah ibnu Omeri thoshte:”Nëse ngrysesh mos e prit mëngjesin dhe nëse gdhihesh mos e prit mbrëmjen! Investo gjatë shëndetit tënd për sëmundjen dhe gjatë jetës për vdekjen!” (Buhari)
Ibnu Akil thoshte:”Veprat kullohen duke u ndërgjegjësuar që shpresa në këtë botë është dritëshkurtër. Kushdo që e llogarit çdo çast që kalon, ashtu siç llogarit sëmundjen e vdekjes, do të veprojë punë të mira. Kështu, e gjithë jeta e tij kullohet.”
Vetë profeti Muhamed a.s lutej:”O Zot më fal mua dhe ma prano pendimin, Ti je pranues i pendimit dhe i Gjithëmëshirshëm!” (Ahmed, Tirmidhij)
9 – Meditimi rreth dëmit që shkaktojnë gjynahet.
O Zot pranoje prej nesh agjërimin dhe namazin tonë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka! O Zot na fal neve, Ti je falësi dhe i Gjithëmëshirshmi! O Zot na drejto në rrugën e drejtë! O Zot na jep të mira në këtë botë dhe në botën tjetër, si dhe na mbro nga zjarri i xhehenemit! O Zot na ringjall me ata që i ke begatuar, me profetët, njerëzit e sinqertë, dëshmorët, të ndershmit dhe punëmirët! O Zot na e jep kënaqësinë që të të shohim Ditën e Kiametit! O Zot na stolis me stolinë e besimit dhe na ndero duke na përdorur për mirë! O Zot na jep forcë që ta agjërojmë Ramazanin siç duhet dhe të falemi dhe lutemi siç të pëlqen Ty! Amin!
Përktheu: Elmaz Fida /AO/