Autor: Amër Halid
Sa herë që flitet për lumturinë bashkëshortore, shumë njerëzve mendja u shkon për një periudhë të caktuar nga jeta e tyre bashkëshortore.
Mos vallë lumturia bashkëshortore ka një kohë të caktuar?
Mos vallë ajo ka periudhën e saj të skadencës?
Mos vallë ajo është thjesht një imagjinatë dhe fantazi?
Përse lumturia bashkëshortore kufizohet vetëm në ditët e para të martesës?
Mos vallë lumturia bashkëshortore është diçka që përmendet vetëm në libra dhe nuk njihet në realitet?
A është e mundur që t’a përjetojmë lumturinë bashkëshortore gjatë gjithë jetës?
Dashuria i ngjan një bime, të cilën sa më shumë t’a vadisësh dhe të kujdesesh për të, aq më shumë do të rritet dhe zhvillohet. Dhe e kundërta, nëse e lë pa vaditur dhe punuar, padyshim që bima do të thahet.
Mëshira, toleranca zemërgjerësia dhe falja. Nëse dëshiron o bashkëshort që të garantosh dashurinë e gruas dhe respektin e saj, duhet të tregohesh tolerant me të, zemërgjerë dhe ta falësh në raste gabimi. Edhe nëse dashuria fillon të zbehet me kalimin e viteve, gruaja nuk mund t’a harrojë mirësjelljen dhe dashamirësinë tënde. Faktin që ti je treguar zemërmirë, i butë, i dashur, nuk e ke sharë, ofenduar, sjellë ashpër etj... gruaja e ka të vështirë t’a harrojë.
Profeti a.s thotë:”Më i miri prej jush është ai që sillet më mirë me familjen e tij dhe unë jam më i miri nga ju me familjen time.”
Për Profetin a.s nuk është më i miri ai që ka mësuar përmendësh Kuranin, që falet në xhami, që falet dhe agjëron shumë etj... por ai që sillet mirë me bashkëshorten e tij. Më i miri në umetin musliman, është ai që sillet më mirë me bashkëshorten dhe familjen e tij. Në fund të hadithit, Profeti a.s jep shembullin dhe modelin e një bashkëshorti të mirë. Ai përfaqëson bashkëshortin model për të gjithë muslimanët. Diçka të tillë, Profeti a.s nuk e thotë për namazin e natës apo çdo lloj adhurimi tjetër. Por e thotë përsa i përket trajtimit dhe marrëdhënieve brenda çiftit.
Në një hadith tjetër, Profeti a.s nxit që të tregohemi të butë dhe të dashur me gratë. Ai thotë:”Tregohuni të butë me qelqin (duke pasur si qëllim gratë)”
Profeti a.s është modeli dhe shembulli ynë më i mirë përsa i përket sjelljes dhe marrëdhënieve që duhet të ndërtojmë me gratë.
Një herë, gruaja e tij Hafsa i kishte pregatitur diçka për të ngrënë atij dhe shokëve që i kishin ardhur për vizitë. Kjo gjë e gëzoi pa masë të dërguarin e Zotit a.s. Ajo që po e ndiqte këtë skenë nga dhoma e saj ishte dhe Aisheja. Ajo u bë xheloze që Hafsa kishte pregatitur ushqim dhe i dërguari i Zotit ishte gëzuar. Kështu, doli nga dhoma e saj dhe teksa Hafsa po u ofronte enën me ushqim, ajo e goditi enën me bërryl dhe ena ra përtokë duke u thyer dhe shpërndarë ushqimin.
Të gjithë shokët e Profetit a.s u shtangën nga kjo sjellje e Aishes. Vallë si do të reagonte i dërguari i Zotit?
Profeti a.s morri një pjatë tjetër, u ul përtokë dhe filloi të mbledhë ushqimin e derdhur. Pasi e vendosë në pjatën tjetër, Profeti a.s i pa shokët e tij që kishin mbetur gojëhapur dhe u tha duke buzëqeshur:”Nëna juaj u bë xheloze!”
Më pas, Profeti a.s u ngrit dhe vajti tek dhoma e Aishes të cilës i tha:”O Aishe! Ti ia thyeve pjatën Hafsas, prandaj duhet t’ia kompensosh atë me një pjatë tjetër.”
Aisheja, duke u ndjerë ngushtë dhe e turpëruar nga ajo që kishte bërë i tha:”Kërkoji Zotit falje për mua o i dërguari i Zotit.”
Një problemi i tillë dhe i përarfërt, mund të çojë deri në divorc tek familjet e sotme. Ndërkohë që në familjen e Profetit a.s e shtoi më shumë dashurinë dhe respektin. Dëmi u dëmshpërblye dhe fajtori e pranoi fajin, duke e mbyllur këtë çështje me aq.
Një nga muslimanët e Medines, u nis një ditë të shkojë të ankohet tek Umeri për gjuhën e gjatë të gruas së tij. Kur arriti tek shtëpia e Umerit dhe u bë gati të trokasë, dëgjoi nga brenda që gruaja e Umerit po i bërtiste Umerit dhe po i kthente fjalën. Kur pa këtë, u mendua pak dhe u morri rrugën e kthimit.
Në atë çast del Umeri, e shikon pranë shtëpisë së tij, i thërret dhe e pyet:”Sikur paske ardhur për mua!”
“Po” ia ktheu burri.
“Po përse u bëre pishman atëherë?” e pyeti Umeri.
Burri i tha:”O Prijës i besimtarëve! Unë erdha të ankohem për gruan time, e cila ka gjuhë të gjatë dhe më kthen fjalën. Kur u bëra gati të trokas në derë, dëgjova që zëri i gruas tënde ishte më i lartë se zëri yt dhe thashë:”Nga diçka e tillë vuan vetë Umeri, e jo më unë!”
Umeri iu përgjigj:”O vëlla! Ajo më duron, më lan rrobat, më rregullon shtratin dhe edukon fëmijët. Të gjithë këto i bën dhe duron. Përse të mos e duroj unë nëse ngre zërin?”
Nëse dëshiron që dashuria të shtohet dhe forcohet, tregohu i mëshirshëm, zemërgjerë dhe mëso të falësh.
Një bashkëshort që e pengon të shoqen që të vizitojë familjarët e saj, i mungon mëshira dhe është i pashpirt. Një njeri i tillë do të japë llogari para Zotit për këtë që bën.
Thotë Zoti në Kuranin famëlartë:”Nëse ju i ktheni shpinën besimit, atëherë do të bënit ngatërresa në Tokë dhe do t’i shkatërronit lidhjet farefisnore.” (Muhamed 22)
Një bashkëshort që e ngacmon të shoqen se do të martohet për se dyti, duke dashur t’a shtojë xhelozinë e saj, është i pamëshirshëm.
Një bashkëshort që sa herë ka probleme me të shoqen e kërcënon me divorc, është njeri pa personalitet.
Një burrë që e rreh të shoqen, është burrë pa dinjitet dhe karakter. Tregon gruaja e Profetit a.s, Aisheja:”I dërguari i Zotit kurrë nuk ka qëlluar ndonjë grua.”
Nëse dëshiron që të jetosh në lumturi dhe qetësi, mëshiroje gruan tënde. Nëse e bën këtë, dije se do të kthehet në skllaven tënde me dëshirën dhe vullnetin e saj, pasi e mira e bën tjetrin robin tënd.
Dikush mund të thotë:”Po u solla kështu me gruan time, humbas personalitetin tim dhe ajo nuk do më respektojë më.” Në fakt, diçka e tillë nuk është e vërtetë dhe këtë e vërteton vetë jetëshkrimi dhe biografia e Profetit a.s, në marrëdhëniet që kishte ndërtuar me gratë e tij. Diçka e tillë mund të ndodhë vetëm nëse burri ka personalitet të dobët, por jo për shkak të mëshirës dhe dhembshurisë që tregon për gruan. Gruaja është në gjendje t’a dallojë një burrë me personalitet të fortë nga një tjetër pa personalitet.
Të qëndrosh gjithë natën para televizorit dhe t’a lësh bashkëshorten të flerë dhe të ndihet e vetmuar, nuk është prej mëshire. Të mbyllesh në vetvete ose të jepesh pas shoqërisë, duke shpërfillur gruan nuk është prej mëshire.
Tek i dërguari i Zotit a.s ne kemi shembullin dhe modelin më të mirë, përsa i përket lidhjeve bashkëshortore.
Hadixheja u përgëzua me xhenet nga Xhibrili a.s akoma pa vdekur? A e din përse ajo ka krijuar atë emër të mirë? E gjithë kjo për shkak se ajo i qëndroi përkrah Profetit a.s dhe e përkrahu për të përmbushur misionin e tij. Profeti a.s shkëputej nga jeta familjare dhe qëndronte në shpellën Hira për ditë të tëra.
Megjithatë, kjo nuk ndikoi në marrëdhëniet bashkëshortore mes tij dhe Hadixhes. Natën që Profetit a.s iu shpall zbulesa hyjnore për herë të parë, ndodhej në këtë shpellë. Me nxitim dhe i lemerisur, ai u nis për në shtëpi. Kur arriti atje, i tha të shoqes:”Më mbuloni, më mbuloni!”
Hadixheja nuk i tha siç mund t’i thonin shumë gra të sotme:”A nuk të kam thënë të mos shkosh më në atë shpellë? Të kam dalë borxhit dhjetëra herë dhe ti nuk ma ke vënë veshin! Ja ku dolën fjalët e mia...”
Jo, Hadixheja nuk mund t’i thoshte fjalë të tilla. Kur Profeti a.s u qetësua dhe i tha Hadixhes:”U frikësova se mos ishin xhinde.”
Ajo i tha:”Jo për Zotin, nuk të braktis ty Zoti. Pasi ti sillesh mirë me të afërmit, respekton mikun dhe ndihmon nevojtarët.”
Misioni për të cilin je krijuar ti o motër është që të jesh burim prehjeje dhe qetësie për burrin tënde.
Kur u krijua Havaja, gruaja e parë, Ademi a.s e pyeti mbi misionin e saj, dhe ajo iu përgjigj:”Që të gjesh prehje tek unë.”
Mundësoi : Bujamin Salija .