Mish hallall edhe në Kosovë
E premte 4 Mars 2011 13:36
Kohëve të fundit ushqimi i cili është i certifikuar me logon Hallall ka zënë vend të konsiderueshëm në tregjet ndërkombëtare. Me prodhimin e ushqimit hallall merren edhe vende te cilat nuk njihen si vende Myslimane siç janë Australia, Zelanda e Re, Britania, Kroacia, e shumë vende të tjera që prodhojnë për konsum vendor, por shumicën e podhojnë për eksport në vendet islame.
Tregu i prodhimeve hallall parashihet të arrijë shifrën rreth 3 bilionë dollarë në tërë botën, dhe është një treg në rritje të madhe dhe ka një numër të klientëve vazhdimisht në rritje. Vetëm vitin e kaluar kanë qarkulluar 635 miliardë dollarë prodhime “hallall”, prej të cilave 66 miliardë dollarë në Evropë. Për ilustrim, Londra ka 6 milionë konsumues të produkteve “hallall”, por vetëm dy milionë prej tyre janë mysliman. Ndërsa në Kroaci të dhënat tregojnë se aktualisht janë dy mijë artikuj që vijnë nga 23 prodhues që kanë certifikatat “hallall”,të cilën e jep qendra e themeluar nga Meshihati i Bashkësisë Islame të Kroacisë.
Mirëpo, për të pasur të drejt për çertifikim të ushqimeve se a i plotesojnë kushtet që të çertifikohet një lloj prodhimi hallall, duhet të jetë institut i cili merret me këtë punë, ndërsa në Kosovë ende nuk kemi ndonjë institut të këtij lloji. Por si duket Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës është duke punuar për themelimin e një instituti të tillë që pritet të filloj së shpejti.
“Bashkësia Islame e ka parë të nevojshme për themelimin e një instituti, dhe ka vendosur që t’i bëjë një shërbim popullit të vet të Kosovës me çertifikimin e prodhimeve vendore dhe atyre të importuara që synojnë tregun e Kosovës të cilat i plotësojnë kushtet për të qenë hallall. Në të njëjtën kohë bën edhe verifikimin e prodhimeve të importuara të cilat shiten si prodhime hallall duke verifikuar se kush e ka bërë çertifikimin dhe a është i institut i besueshëm dhe i pranueshëm edhe në vendet tjera të botës. Qëllimi i këtij shërbimi nuk është për shkaqe ekonomike por thjesht për t’i dhënë një kontribut popullit tone”, shprehet për portalin “Qendra.info”, dr. Islam Hasani nga Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës. Ai potencon se një gjë duhet të jetë e qartë, që ky institut i themeluar nga BIRK do të bënë çertifikimin e prodhimeve të ndryshme, vendore apo të importuara me kërkesën e tyre, por kjo nuk nënkupton që prodhimet të cilat nuk janë të çertifikuara te ne janë Haram, apo të ndaluara, porse ne nuk bartim përgjegjësi dhe nuk sigurojmë për ato se janë hallall.
Instituti i cili merret me këtë punë sipas dr. Hasanit, në përbërje të stafit duhet të ketë ekspert të Sheriatit dhe inxhinierë të ushqimit dhe sanitarisë ku secili nga ana e vet e jep vlerësimin dhe nëse të gjitha kushtet plotësohen vetëm atëherë çertifikohet si prodhim hallall, port e ketë kontroll të kohëpaskohshme për mbikëqyrje për mos devijim. Ai shton se ushqimi Hallall i plotëson të gjitha kushtet të parapara me standarde ndërkombëtare për siguri dhe kualitet në ushqim dhe përveç tyre i plotëson edhe kushtet e parapara sipas Ligjit Islam. ‘’Përveç ndalimit të mishit të derrit dhe produkteve të cilat dalin nga mishi i derrit apo alkooli dhe produktet e tij janë edhe kushtet e therrjes se shtazës, procedurat e përgatitjes se produkteve të cilat dalin nga ai mish, përzierjet (melmesat dhe aromatizuesit) të cilat përdoren për përgatitjen e këtyre prodhimeve nga e kanë burimin dhe a janë hallall. Gjithashtu duhet të sigurohet se nuk ka ndonje përzierje edhe gjatë deponimit te ketyre prodhimeve me ushqimet të cilat nuk janë hallall. Thënë shkurt, ushqimi hallall përveç që është obligim për Myslimanet është edhe më i sigurt dhe me i shëndetshëm për konsumim’’ thotë dr. Islam Hasani nga BIRK për Qendra.info.
Në popull është bindja se vetëm prodhimet e mishit mund të mos jenë hallall, por çdo gjë ushqimore, higjienike dhe kozmetike duhet të inspektohet sepse ka mundësi që në përmbajtjen e vete të ketë gjëra të cilat nuk i plotësojnë kushtet dhe standardet për gjera hallall.