Vizitor Vizitor
| Titulli: Një shtet i vogël: Familja Mon 16 May 2011 - 18:57 | |
| Familja është qeliza më e rëndësishme e edukimit në shoqëri. Individët e sigurojnë edukimin e tyre më të rëndësishëm pikërisht nga nëna dhe babai. Familja ushtron ndikimin e saj kudo përmes edukimit, ndaj për një edukim të suksesshëm nevojitet sigurisht një komunikim i mirë. Ky i fundit i siguron fëmijës besim në vetvete dhe i mëson si të integrohet në shoqëri pa pasur mundime artificiale. Shejh Sadi në veprën e tij “Gylistan” tregon: E pyetën një gjemb të tharë: Si ka mundësi që të vjen një erë kaq e mirë? Gjembi iu përgjigj: - Një herë e një kohë isha zot shtëpie i trëndafilave, jetoja me to, prandaj e kam sot këtë erë. Nëse edhe kopshtarit i duhet të tregojë përkujdesje për të rritur një bimë, aq më tepër përkujdesja dhe koha mbeten elementë të pashmangshëm në edukimin e njeriut “ krijesës më të nderuar”. Në këtë kuadër, detyra e nënës dhe e babait si lokomotiva të familjes, është shumë e rëndësishme. Në fund të fundit individët marrin nga nëna dhe babai ngjyrën dhe formën, duke u bërë shëmbëlltyra të tyre. Atëherë, cilat duhen të jenë veçoritë e nënës dhe të babait? Dashuria dhe respekti Në komunikimin dhe marrëdhëniet që krijojmë me njerëzit që na rrethojnë, rruga më e lehtë për të depërtuar në zemrat e tyre është ndjesia e dashurisë dhe e respektit pa kushte që duhet t’u dhurojmë.
Përpara se të marrim, duhet të japim. Nësë presim dashuri dhe respekt nga anëtarët e familjes, fillimisht duhet të jemi ne ata që duhet t’i përcjellim këto ndjesi me bujari dhe pa kushte. Nuk duhet të harrojmë që respekti nuk merret me zor, por fitohet.Profeti ynë i nderuar (s.a.v.s), sa herë hynte në shtëpi jepte selam, kalonte një pjesë të kohës me fëmijët, i merrte në prehër, i puthte dhe luante me to. Studiuesit e kohëve të fundit kanë vërtetuar se vetëbesimi dhe suksesi që tregojnë fëmijët që janë rritur me dashuri e ndjenjë, është shumë më i madh se i atyre që janë rritur në mungesë të përkujdesjes.
Dëgjimi Ata që nuk dinë të dëgjojnë, nuk ia dalin mbanë as të jenë të dëgjuar. Të dëgjosh bashkëshortin/bashkëshorten apo fëmijët, do të thotë të japësh këtë mesazh: “Ti me ndjenjat dhe mendimet e tua je një individ i veçantë. Unë vlerësoj mendimet tuaja dhe do të të dëgjoj përherë…”
Kur Profeti ynë i nderuar (s.a.v.s) takohej me një njeri, kurrë nuk e tërheqte dorën i pari; kur fliste me të nuk e kthente kokën ipari, dhe kur ulej me dikë nuk ngrihej i pari. (ibn Maxhe, Edeb, 15) Nëse fëmijët dhe bashkëshortët nuk gjejnë në shtëpi njerëz që dinë të dëgjojnë, sigurisht që do orvaten të gjejnë njerëz të tillë jashtë familjes, duke rrezikuar kështu të bien pre e orientimeve të pasakta.
Mirëkuptimi Modelin më ideal të mirëkuptimit e gjejmë te Profeti ynë i dashur, te mësuesi më ideal i njerëzimit. Hz. Enesi tregon: “I kam shërbyer Profetit për dhjetë vite, por asnjëherë ai nuk më ka thënë “uf, pse e bëre këtë kështu, e pse nuk e bëre ashtu?” (Buhari, Edeb, 39) Butësia (Hilmi) Pejgamberi ynë (s.a.v.s) ka thënë: “Allahu është i butë, e do butësinë. Atë, të cilën nuk ia jep vrazhdësisë dhe ashpërsisë, ia jep veprave dhe fjalëve të buta.” (Muslim, Birr) Në marrëdhëniet me njerëzit e tjerë, njeriu lëshon zë njësoj sikur të ishte midis dy malesh… Nëse nxjerr fjalë të mirë, kjo fjalë do kthehet me jehonë të mirë, nëse flet ndonjë fjalë të keqe, do vërejë se e njëjta fjalë të rikthehet me jehonë të keqe.
Të ruajmë qetësinë Edukimi është një çështje durimi. Gjergjefi kërkon të njëjtin durim si në fillim, në vazhdim, ashtu edhe në fund të punës. Edhe Profeti ynë i nderuar porosit: “Lehtësoni, mos vështirësoni….” (Ahmed ibn Hanbel, Musned, v.1) Me pak fjalë, familja është guri i themelit në formimin e shteteve të mëdha, por në një kuptim është shteti ynë i vogël. Duke qenë në rolin e nënës dhe babait, ne jemi inxhinierët e këtij shteti, të cilin do të mund ta ndërtojmë të fortë e të sigurt vetëm nëse tregojmë kujdes për edukimin e shëndoshë të fëmijëve tanë. |
|