Nga Xhabiri na përcillet se Pejgamberi ka thënë: “Kur të bjeri nata ndaloni fëmijët tuaj, me të vërtetë shejtanët shpërndahen në këtë kohë, pasi të kalojë një farë kohe lejoni të lirë ata. Mbyllni dyert dhe përmendeni Allahun (thoni bismilah), sepse shejtani nuk mund ta hapë atë derë, mbuloni enët dhe përmendeni Allahun, qoftë duke vendosur edhe diçka mbi to, dhe fikni zjarret”. (p.sh.: qirinjtë, llambat me gaz, zjarri i hapur). Buhariu e Muslimi.
Në transmetimin tjetër nga Xhabiri thuhet se Pejgamberi ka thënë: “Mos i lironi bagëtitë e as fëmijët kur të perëndojë dielli, deri sa të bjerë muzgu i natës, sepse shejtanët shpërndahen kur perëndon dielli, deri sa të largohet muzgu i natës (të erresohet).” Buhariu dhe Muslimi.
Imam Neveviu këtë hadith e komenton kështu:
kur të bije nata – kur fillon të errësohet,
ndaloni fëmijët tuaj- mos i lejoni të dalin jashtë në këtë kohë,
vërtet shejtanët shpërndahen – ekziston frika për fëmijët nga dëmi i shejtanëve, për shkak se numri i tyre është i madh në këtë kohë.
Ibën Haxheri thotë se Ibën Xhevzi ka thënë: arsyeja e frikës për fëmijët në këtë kohë është se me ndyrësinë, të cilën kanë shejtanët është e pranishme në pjesën më të madhe të kësaj kohe, ndërsa dhikrin që të mbron prej shejtanëve shumica e fëmijëve nuk e dinë. Pastaj shejtanët që kanë mundësi t’i dëmtojnë ata, i dëmtojnë fëmijët, e kjo është arsye për t’u brengosur dhe për t’u kujdesur për fëmijët në këtë kohë. E urtësia kësaj pune këtu qëndron sepse shejtanët shpërndahen gjatë kësaj kohe dhe se lëvizja e tyre gjatë natës është më e lehtë se sa gjatë ditës, sepse errësira u ofron forcë më të madhe njësoj si çdo send i zi, ashtu siç ka ardhur në hadithin e Ebu Dherrit, kur është pyetur: “Çfarë ta prish namazin? Ai iu është përgjigjur (Pejgamberi): Qeni i zi, është shejtan.” Muslimi.
Me këtë hadith i Dërguari i Allahut i porosit prindërit dhe kujdestarët e fëmijëve për një përkujdesje të veçantë dhe t’i largojnë fëmijët nga gjërat që e dëmtojnë shëndetin e tyre trupor dhe shpirtëror.
Sinjalin e parë që jep ky hadith është strategjia e gjerë e një edukatori të mirëfilltë. Kur të bisedosh me edukatorët për përkujdesjen e duhur ndaj fëmijëve e vëren se një numër i madh i tyre i japin rëndësi mësimeve fetare si namazin, nënshtrimin ndaj Allahut dhe të Dërguarit të tij, si dhe moralin e lartë që duhet të ketë një fëmijë duke i neglizhuar gjërat e jetës së përditshme. Por gjithashtu është një numër i madh kujdestarësh që kufizohen vetëm me shëndetin e fëmijëve të tyre, shkollimin dhe gjërat e tjera të kësaj bote, duke u shkujdesur për mësimet fetare.
Feja Islame sillet me njeriun në atë formë, duke e llogaritur atë si qenie të përsosur trup – mendje – shpirt, siç është e ditur se feja nuk është dytësore dhe e kufizuar, por ajo është e lidhur ngushtë me të gjitha specifikat e njeriut. Çdo vegël ose aparat, i cili kryen një funksion nuk ka mundësi ta kryejë një punë përveçse me ndihmën e pjesëve përbërëse të saj. Sado vlerë të ketë ndonjë prej pjesëve të saj nuk mundet që e vetme të kryejë funksionin pa ndihmën e pjesëve të tjera.
Çështja nuk mbaron me kaq, tani vijmë te një rregull i rëndësishëm në funksionimin e kësaj vegle, konkretisht mënyra e përdorimit dhe e lidhjes mes këtyre pjesëve. Njësoj është edhe çështja e njeriut, ai nuk duhet të angazhohet vetëm me anën shpirtërore, duke e lënë anash atë trupore apo të kundërtën, por duhet t’i bashkojë të dyja, si dhe nuk është puna dhe sjelljet e tij produkt i të gjitha pikëpamjeve të personalitetit të tij, por bashkëveprimi i njërës me tjetrën. Prandaj edukatorët që angazhohen me ndërtimin e personalitetit të njeriut dhe përgatitjen e tij duhet ta kenë parasysh këtë fakt, se nuk duhet të merren vetëm me një aspekt duke anashkaluar tërësinë e personit. Nëse njeriu e kupton fenë dhe i mëson mënyrat e praktikimit të saj gjatë jetës së tij nuk do të thotë se kjo e ndan nga krijimi mendor dhe mënyra e të menduarit e as nga stabiliteti, si dhe as nga shëndeti mendor. Sa prej njerëzve e kuptojnë këtë fe gabimisht, duke i vendosur dhe duke i kuptuar gabimisht argumentet dhe duke i komentuar gabimisht faktet, e kjo e metë është në ndërtimin e personalitetit të atij personi. Sa burra dështojnë në detyrimet ndaj grave të tyre, në administrimin e jetës familjare e si rezultat i kësaj është gjendja shpirtërore në të cilën jetojnë.
Ne duhet t’i përgatisim fëmijët dhe nxënësit tanë me dy gjëra të rëndësishme, që nuk kundërshtohen njëra me tjetrën e as nuk ndahen.
E para- Adhurimin ndaj Allahut të vetëm, si dhe shpëtimin në botën tjetër.
E dyta- Arritjen e suksesit në këtë botë dhe duke e bërë jetën tonë këtu më të lumtur.
Këto dy gjëra të rëndësishme të kompletuara nuk kundërshtohen njëra me tjetrën, ashtu siç thotë Allahu në librin e tij fisnik: “Dhe me atë që të ka dhënë Allahu, kërko (ta fitosh) botën tjetër, e mos lër mangët atë që të takon nga kjo botë, dhe bëj mirë ashtu siç të ka bërë Allahu ty, e mos bëj të këqija në tokë, se Allahu nuk i do çrregulluesit.”. Kasas, 77.
Na ka treguar i Dërguari i Allahut se kërkimi i furnizimit të njeriut është adhurim dhe shpërblehet për atë, si dhe shpenzimi ndaj familjes llogaritet si shpenzim në rrugë të Allahut. Në lidhje me këtë i Dërguari i Allahut thotë: “Vërtet muslimani kur shpenzon për familjen e tij i llogaritet sadaka.” Muslimi
Në anën tjetër vendosmëria e njeriut ndikon në qetësimin e jetës shpirtërore dhe në jetën shoqërore. Vizita farefisnore, respektimi ndaj prindërve ndikon në vazhdimin e të menduarit dhe të vepruarit pozitivisht ndaj të tjerëve. Sjellja e gruas sipas mësimeve fetare duke respektuar bashkëshortin e saj ndikon pozitivisht në menaxhimin e problemeve dhe në raport me sfidat që shfaqen në familje.
Ajo që u përmend më lart e vërteton rëndësinë dhe rolin e edukatorëve në formimin e plotë të personalitetit të njeriut, dhe kjo strategji në kontekstin e edukatës do të lerë gjurmë në synimet e edukatorëve, që të kenë një qasje më të gjerë dhe gjithëpërfshirëse, që të lë gjurmë në përmbajtjen dhe metodologjinë edukative, dhe në metodat e këshillimit, mësimit, formimit dhe në personalitetin e edukatorit dhe profesionalizmin e tij.