Këshilli radiodifuziv i Maqedonisë mendon të hap konkurs për ndarjen e licencave për televizione me përmbajtje fetare, një për Kishën Ortodokse Maqedonase dhe një për Bashkësinë Islame të Maqedonisë
Një ndër qëllimet kryesore do të jetë njoftimi i qytetarëve me besimet më të mëdha në vend dhe rritjen e mirëbesimit dhe bashkëjetesës në vend.
Televizionet me përmbajtje fetare që do ti themelojnë Kisha Ortodokse Maqedonase dhe Bashkësia Islame e Maqedonisë, shpresohet se do të zbusin marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërfetare në vend. Këta të fundit thonë se përmes kanalit televiziv, për të cilin shpresojnë që së shpejti të marrin leje nga Këshilli për radiodifuzion, do t’i njoftojnë me islamin edhe bashkëqytetarët nga komunitetet e tjera fetare në vend dhe me këtë, do të ndikojnë në eliminimin e paragjykimeve dhe stereotipave në shoqëri.
“Meqë kohëve të fundit është aktualizuar biseda për televizionet fetare, ne si BFI e kemi mirëpritur këtë vendim të KRD-së dhe në të njëjtën kohë, qëndrojmë mirë edhe me kuadro edhe me mjete që të fillojmë me sukses punën e mediumit tonë. Një ndër qëllimet kryesore është që ti informojmë edhe besimtarët tonë, por edhe bashkëqytetarët me përkatësi tjera fetare në mënyrë esenciale me besimin islam, duke e pasur parasysh se këtu shpesh po ndodhin incidente dhe ngjarje që nuk i kontribuojnë bashkëjetesës. Bashkësitë fetare janë ata që promovojnë vlera për bashkëjetesë dhe mirëkuptim”, tha Abaz Islami, zëdhënës i BIM-së.
Për përmbajtjen e programit televiziv të televizionit të BIM-it, ende nuk dihen detajet, pasi ende janë duke hartuar konceptin e programacionit. Programi i këtij televizioni do të jetë i pasur me emisione fetare, dokumentare, intervista, reportazhe dhe ligjërata fetare, të gjitha këto me karakter edukativ dhe informativ, por akoma nuk dihet nëse do të përfshihen edhe edicione informative me tema nga sferat e tjera si politika, ekonomia, sporti dhe të ngjashme.
BIM posedon kuadër të mjaftueshëm, thotë zëdhënësi Abaz Islami, për të filluar punën me këtë televizion, ndërsa për emisionet më profesionale ata do të angazhojnë edhe personel nga jashtë institucionit me qëllim rritjen e cilësisë së programeve të tyre. Për financimin e kanalit televiziv, BIM shpreson në mjetet që, siç thonë ata, ndan Qeveria për mediumet, si dhe në kthimin e pronës vakëf.
“Si zakonisht, ne mendojmë se të gjitha mediumet që marrin pjesë nga buxheti i shtetit, edhe neve si medium sigurisht që na takon ajo hise. Mirëpo, ne si BIM kemi kërkesa të vazhdueshme që të na kthehet nga shteti vakëfi dhe atëherë, gjithsesi do ti mbulojmë të gjitha harxhimet për këtë medium. Pra, nëse na kthehet vakëfi, të ardhurat që do ti marrim nga vakëfi, do të investojmë edhe në këtë medium”, thotë Islami.
Nga Këshilli Radiodifuziv i Maqedonisë thonë se janë duke shqyrtuar mundësinë e hapjes së konkursit për ndarjen e licencave për televizione kabllovike dhe satelitore për dy Bashkësitë më të mëdha fetare në vend, BIM-in dhe KOM-in, të cilat edhe më herët kanë dorëzuar kërkesa për këtë qëllim. Kryetari Zoran Stefanovski, thotë se ende nuk janë përcaktuar kritere për pjesën përmbajtësore, por sipas tij, këto televizione do të jenë të dedikuara për auditorium specifik, me tema specifike dhe televizione jo profitabile, pa të drejtë reklamimi. /koha/