Një mësues amerikan dhe një gazetar egjiptian janë vrarë në Egjipt gjatë përleshjeve mes protestuesve që kundërshtonin Presidentin Muhamed Mursi, dhe atyre që mbështesin atë.
Një qytetar i SHBA-ve, 21-vjeçar, i cili thuhet se ka punuar për një qendër kulturore amerikane në qytetin bregdetar të Aleksandrisë, u vra të premten gjatë përleshjeve. Sipas raporteve të mediave vendore, amerikani i vrarë po fotografonte portestuesit që ishin mbledhur kundër presidentit Muhamed Mursi.
Demonstratat rivale që përfshinë mijëra njerëz, filluan të premten në qytetin port të Aleksandrisë, përpara një tubimi masiv të planifikuar për të dielën.
Agjencia e lajmeve Reuters tha se një burrë tjetër u vra dhe 10 u plagosën në një shpërthim gjatë një proteste në Port Said.
Përleshjet shpërthyen edhe në krahina të Nilit, si Dakahlija dhe Beheira, dhe në të gjithë vendin mbi 130 njerëz janë plagosur, thonë zyrtarët e sigurisë.