Beograd: Gadafi – idol i ri i disa nacionalistëve serbë
E mërkure 6 Prill 2011 11:03
Pesë vite pasi lideri i tyre, Sllobodan Millosheviq, vdiq derisa ishte në proces gjyqësor i akuzuar për gjenocid, disa nacionalistë serbë e kanë gjetur idolin e ri: kolonelin Muamer Gadafi, raporton agjencia AP.
Një grup në Facebook, që e mbështet liderin e Libisë, ka tubuar më se 66 mijë “pëlqime” deri të martën, duke reflektuar urrejtjen e thellë, që disa serbë e ndjejnë ndaj Perëndimit për shkak të bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 kundër Serbisë, që e mbylli sundimin e Beogradit ndaj Kosovës.
“Agresorët e njejtë, që na patën vrarë neve, tash pamëshirshëm e sulmojnë popullin e Libisë”, tha organizata ekstremiste Nasi, e ndërlidhur me një grup rus me të njejtin emër, që ka dorë në mbështetjen në faqen shoqërore në Internet për Muamer Gadafin.
“Ne e lansuam fushatën në shenjë të sfidimit të Perëndimit dhe mbështetjes së vërtetë për mikun”, ka thënë grupi Nasi.
Veprimtarët e fushatës kanë shpërndarë fotografi të Gadafit në Beograd dhe kanë bërë thirrje për protesta kundër bombardimit të trupave të tij nga ana e Perëndimit, raporton AP./rel/