Të gjithë ne, pa dyshim, jemi dëshmitarë të vendeve, në të cilat burra dhe gra punojnë së bashku, pasi ambiente të tilla, gjithnjë e më tepër po bëhen më se normale. Jemi dëshmitarë të dialogut që këta të fundit ndërtojnë me njëri tjetrin: të ngushtë, të afërt, të sinqertë. Bëjnë lojra dhe qyfyre, pa pasur kujdes moshën dhe pozicionin e njëri-tjetrit. Veçanërisht nuk mund të kalojë pa u vënë re edhe mendimi i shumë grave, të cilat shpeshherë shprehen: “Unë jam një grua që punoj, fitoj para dhe mund të qëndroj mbi këmbët e mia, pa pasur nevojë për ndihmën e askujt dhe pa i dhënë llogari askujt.”
Po të njëjtat zonja përpiqen që me çdo kusht të fitojnë pëlqimin e pronarëve të tyre. Sikur të shpalosnin të njëjtin përkushtim në familjet e tyre kundrejt bashkëshortëve, sigurisht që ajo shtëpi do të ishte një vatër e lumtur. Nga ana tjetër, shohim që burrat tregohen shumë të matur, të qetë dhe xhentëlmenë kundrejt grave me të cilat punojnë. Sikur këtë ndjeshmëri ta bartnin edhe në shtëpitë e tyre, do të fitonin më shumë zemrat e bashkëshorteve të tyre...
Pa dyshim që nëna, gruaja apo motra jonë, e cila mban mbi supe përgjegjësinë e edukimit të fëmijës, menaxhimit të shtëpisë dhe gjithë problemeve të saj, meriton shumë respekt dhe mirënjohje.
Duhet ta keni vënë re tashmë një fenomen, i cili përditë e më tepër del në pah në gazetat që shpallin vende të lira pune, ku pamja e jashtme fizike e femrës dhe diksioni i pastër, shpeshherë janë ndër kushtet e kërkuara... Përse çdo ditë e më tepër kërkohen për punësim femra, ndërkohë që ka shumë meshkuj të diplomuar dhe të përgatitur më së miri?
Njeriu pyet veten: “Përse kërkohet me vendosmëri që gruaja të tërhiqet jashtë përherë e më tepër dhe sa më shumë të jetë e mundur?” Bota e perëndimit, e vetëdijshme për vlerat familjare të humbura, po përpiqet dita ditës t'i rifitojë ato. Ndërkohë që ne duhet t'i ruajmë me rigorozitet dhe fanatizëm të pranuar. Dëmtimi dhe rreziku më i madh që mund t’i bëhet një shoqërie, është shkatërrimi i familjes
dhe kjo arrihet, nëse nëna humb imazhin dhe rolin e saj në familje.
Në shikim të parë, të duket sikur kanë arritur diçka: gratë po bëhen burra e burrat gra... rolet po ndryshojnë. Baballarët pa punë, me apo pa hir, detyrohen të qëndrojnë në shtëpi dhe të kujdesen për fëmijët, ndërkohë që puna e gruas është bërë kusht për të mbajtur familjen.
Ja edhe një tabllo tjetër:
Nëse një djalë vendos të krijojë familje, nëna e pyet:
- Me çfarë vajze do të martohesh?
I riu përgjigjet:
- Nuk ka rëndësi, mjafton që të ketë një punë, përndryshe si do e kalojmë? Nëse edhe ajo ka një punë, atëherë do të na dalë të paguajmë dritat, ujin, qeranë..., ndërsa pjesa tjetër do të na ngelet për ushqim, veshmbathje e kështu me radhë.
- Shumë mirë, biri im! Edhe ti puno edhe ajo të punojë, sigurisht.
Dhe historia vazhdon...
Të rinjtë martohen, krijojnë familje, por tashmë dialogu fillon e merr ngjyrosje tjetër...
Gruaja shprehet:
- A është e drejtë kjo? A më ke premtuar që do të më ndihmosh, lëri këto, ti as rrobat tuaja nuk i vendos në vend. Sapo vij nga puna, më duhet të hyj menjëherë në kuzhinë, të merrem me përgatitjen e ushqimit, të laj enët, të rregulloj shtëpinë etj. Ti lodhesh, por edhe unë lodhem. Edhe unë sikur të vij nga puna dhe të ulem pranë televizorit, siç bën ti, do ngelim pa ngrënë.
Burri përgjigjet:
-Sigurisht që ti do të merresh me këto punë, ti je gruaja, do merrem unë me ushqimin e hekurin? Hajde tani mos na vono shumë, jam shumë i uritur!
Me kalimin e kohës, të rinjtë gëzohen me një fëmijë, por problemet dhe përgjegjësitë sa vijnë e shtohen. Meqë edhe nëna edhe babai nuk mund të qëndrojnë në shtëpi pranë fëmijës së tyre, detyrohen ta dërgojnë në kopsht. Por nëna nuk mund të jetë asnjëherë e qetë: “Si është tani fëmija, çfarë po bën, a po kujdesen aq sa duhet për të?” Të gjitha këto pyetje brejnë ndërgjegjen e gruas, e cila ndihet disi fajtore për këtë realitet. Në të vërtetë, hesapi është shumë i thjeshtë. Paratë që ajo fiton, mjaftojnë për të paguar shpenzimet e kopshtit dhe të makiazhit që ajo përdor. Atëherë, përse të shqetësohet kaq shumë?
Në mëngjes herët detyrohet të ngrihet, të bëhet gati, të zgjojë edhe fëmijën nga gjumi i ëmbël i mëngjesit për ta dërguar në kopsht, pastaj të punojë gjithë ditën, por duke menduar në anën tjetër edhe për shtëpinë: çfarë do të gatuajë, si do t’i presë miqtë, etj. Pasi kthehet nga puna, ritmi i shpejtë nuk ka të sosur. Përsëri vazhdon e njëjta histori pambarimisht... derisa vjen një ditë, ku pakuptuar, njeriu e sheh veten ndryshe, tashmë fuqia e dikurshme nuk është më, freskia, energjia, ritmi kanë shterur.
Gjithë këto vite, burrë e grua i kalojnë duke punuar pa reshtur, duke u përpjekur për të pasur një shtëpi, borxhet e së cilës akoma i kanë mbi supe. Pa kuptuar tashmë, djali i tyre është rritur dhe është ai tashmë, personi që troket derën e dikujt tjetër. E kështu fillojnë telashet e dasmave, borxhet zënë borxhe të tjera. Si përfundim?
Ku shkoi parimi “Sikur të punojmë të dy do të jemi më rehat?” Gjatë gjithë jetës u munduam, dhe tashmë erdhi fundi. Nuk patëm kohë të punojmë për botën tjetër, nga telashet e kësaj ku jetuam. Për çfarë jetuam, si jetuam, çfarë lamë pas? U treguam shumë të kujdesshëm të shlyejmë borxhet, por nuk treguam të njëjtin kujdes të forcojmë besimin dhe praktikën fetare të fëmijëve tanë. E dërguam djalin të bënte master në Amerikë, por fenë nuk ia mësuam. Atje, ai u shkëput fare nga besimi. Në ahiret jam i bindur se nuk do vijë tek unë të më falënderojë që i dhashë një diplomë, por do të më shtrëngojë për fyti dhe do më kërkojë llogari: “Përse nuk më pengove nga harami, përse nuk ma mësove fenë?”
Atëherë, përse tregohemi kaq kryeneçë në gjynahe? Është ky qari i një mendjeje të shëndoshë?