Shumë njerëz, të dhënat ose njohuritë që kanë në lidhje me fenë, që nga fëmijëria, i kanë mësuar prej të afërmve të tyre ose prej mjedisit në të cilin jetojnë. Prandaj, meqenëse njohuritë e të dhënat në lidhje me fenë nuk i kanë mësuar nga burimi i vërtetë i fesë, pra nga Kur’ani, ata kapen çdoherë pas shumë bestytnive dhe shumë fjalëve të kota, të padobishme dhe të pavlefshme.
Gjatë gjithë historisë, personat që kanë synuar devijimin e fesë së vërtetë nga thelbi, duke përdorur metoda të ndryshme për pengimin e jetesës dhe të përshtatjes së fesë, janë munduar gjithmonë të shtojnë disa besime të kota dhe vështirësi në zbatimin e fesë. Kështu, për arsye se kanë zbatuar gjëra që i kanë shpikur nga vetja e tyre, duke i ditur ose duke mos i ditur ato, janë bërë shkaktarë për largimin e njerëzve nga feja. Por libri i Allahut (Kur’ani) dhe Sunneti (rruga, tradita) i Muhamedit a.s, na tregojnë se jetesa e fesë është shumë e lehtë për njerëzit e sinqertë dhe të devotshëm.
Në radhë të parë duhet të përmendim faktin se Allahu, ashtu sikundër ka vepruar me çdo gjë tjetër në gjithësi, e ka krijuar edhe njeriun nga asgjëja. Prandaj Allahu është Ai që e njeh më së miri njeriun dhe që është më afër tij se sa damari i qafës së tij. Si rrjedhojë, edhe fenë e ka bërë të përshtatshme me krijimin e njeriut. Në një ajet Kur’anor, Allahu e thërret njeriun kah ajo që është më e përshtatshme për natyrshmërinë (krijimin) dhe për fenë e tij.

Përqendro vetveten tënde sinqerisht në fenë, i larguar prej çdo të kote, (e ajo fé), feja e All-llahut në të cilën i krijoi njerëzit, s’ka ndryshim (mos ndryshoni) të asaj natyrshmërie të krijuar nga All-llahu, ajo është feja e drejtë por shumica e njerëzve nuk e dinë. (Rrum, 30).

Me mëshirën dhe rahmetin e Tij të pafund, Allahu ka bërë që të gjitha fetë e vërteta që ka dërguar përgjatë shekujve të ishin poseduese të ligjeve që mund të zbatoheshin shumë lehtë. Sepse Allahu ka dëshiruar gjithmonë lehtësi për njerëzi, një e vërtetë kjo të cilën e ka komunikuar dhe në Kur’an me fjalët: “(Allahu) dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju…” (Bekare, 185). Një njeri që u përshtatet dispozitave të Allahut, është në të njëjtën kohë dhe një njeri që jeton një jetë shumë të bukur, të përshtatshme me natyrshmërinë (krijimin) e tij.
Kurse një pjesë e njerëzve që nuk e dinë këtë të vërtetë, mendojnë se feja do të jetë më e lehtë në rast se ndryshohen dispozitat e saj. Shembull: Ata mendojnë se do të mund të jetojnë të lirë dhe të pavarur nëse nuk u jepet rëndësi vlerave të moralit. Ose pretendojnë se feja u sjell disa pengesa që ua vështirësojnë jetesën. Ndërkaq, të gjitha këto janë gabime të mëdha që i kanë pushtuar njerëzit, duke i nxitur pastaj kah mashtrimet e shejtanit. Sepse të jetuarit e fesë së Allahut dhe zbatimi i urdhrave që gjenden brenda saj, është dicka shumë e lehtë. Kurse e vështirë është të jetuarit në një shoqëri që përbëhet prej njerëzve që nuk i njohin dispozitat, urdhërat dhe ligjet e Allahut. Një jetesë e tillë sjell një përfundim të keq.
Veçanërisht në shoqëritë që jetojnë larg fesë ose në shoqëritë e njerëzve të pafe, ka gjithmonë kaos, prishje të rregullit, prishje të rendit, mosrespektim të ligjeve, mosmarrëveshje, shqetësime, brengosje, frikë, mungesë lumturie dhe mungesë qetësie. Andaj njerëzit që u përkasin këtyre shoqërive, nga që nuk frikësohen prej Allahut, janë në gjendje të gënjejnë, të mashtrojnë, të tradhtojnë, të vjedhin, të plaçkitin, të pijnë alkool, të bëjnë zina, të shajnë, të fyejnë, të hanë hakun e njëri tjetrit, e shumë e shumë gjëra tjera të ndyta të cilat janë në kundërshtim me dispozitat e fesë Islame. Duke mos ditur se çka është solidariteti, sakrifikimi, toleranca, dashuria, mirëkuptimi, respektimi, marrëveshja, aftësia e të kuptuarit, ndihma ndaj njëri tjetrit, përkrahja e njëri-tjetrit nga ana shpirtërore dhe materiale, ata vazhdojnë të jetojnë një jetë degjeneruar. Prandaj, një jetë e këtillë nuk i sjell asnjëherë lumturi njeriut. Kështu që, nëse në një vend ndryshohen dispozitat e fesë, atëherë del në shesh krejtësisht e kundërta e idesë sipas së cilës njeriu do të mund të gjejë lumturinë. Si rrjedhojë e kësaj, bëhet ashtu siç dëshiron edhe shejtani: formohet një ambient i përngjashëm me xhehennemin.
Për shembull: ngjarjet që hasim më së shumti në ditët e sotme kanë të bëjnë me përdorimin e drogës, me përhapjen, shpërndarjen, shitjen e saj, me kurvërinë, ryshfetin, falsifikimin, gënjeshtrën, mashtrimin, tradhtinë, përdorimin e alkoolit etj… Të gjitha këto që përmendëm janë krejtësisht larg dispozitave të fesë e në të njëjtën kohë janë po ashtu edhe larg bukurisë, qetësisë, rahatisë, lumturisë e vlerave të ndryshme shpirtërore. Në ambientin ku përdoren këto gjëra, njerëzit mendojnë gabimisht se janë të lirë dhe të pavarur nga çdo gjë, arsye për të cilën nuk njohin kufi në përdorimin e tyre. Ama ata harrojnë se fatkeqësia më e madhe shpirtërore dhe materiale që u vjen në saje të përdorimit të këtyre gjërave, shkaktohet nga pretendimi se ato janë shprehje e lirisë. Mendoni pak se cili do të mund të jetë përfitimi i atyre personave që u është prishur shëndeti prej alkoolit, prej zinasë, prej drogës, kur në saje të këtyre u është rrudhur lëkura, u është prishur trupi, janë plakur më herët se ç’duhet? Pa dyshim që mosnjohja e dispozitave të fesë në çdo gjë, konsiderimi i moralit të fesë si asgjë, dhe vazhdimi i një jete pa qëllim, duke kryer punë të ndyta që janë në kundërshtim me dispozitat e fesë, sjellin pa përjashtim shkatërrime të mëdha fizike dhe shpirtërore. Për më tepër, këto përfundime mund ti shohin të gjithë, sepse janë aq të qarta sa nuk mund ti mohojë askush.
Kësisoj, sa më shumë që njeriu të jetojë larg fesë, aq më shumë do të jetojë një jetë të mjerë, të vështirë dhe të palumtur. Ndoshta ata persona qe merren me punë të ndyta mund të jetojnë një jetë të qetë, por ama kurrë nuk do të mund ta gjejnë lumturinë dhe qetësinë e vërtetë shpirtërore. Përkundrazi, nga që i kanë lënë pas dore urdhërat dhe ligjet e Allahut, në jetën e ahiretit do të ndjejnë pendim (do të bëhen pishman) dhe do të përballen me vështirësitë e dhimbjeve, me torturat dhe mundimet më të mëdha.
Kurse njerëzit që frikësohen prej Allahut dhe i kryejnë obligimet e fesë pa mangësi, do të jenë brenda një përfitimi të madh, si në këtë botë, ashtu dhe në botën tjetër. Përveç gjërave të tjera, ata përjetojnë edhe qetësinë e ndërgjegjes, edhe kënaqësinë shpirtërore të bindjes në Allahun. Për këta persona ka gjithmonë bukuri dhe myzhde. Kështu që Allahu u jep myzhde në këtë mënyrë atyre personave që u përmbahen dispozitave të Tij dhe personave që i nënshtrohen mëshirës së Tij:

(Të xhennetit janë) Edhe ata që pendohen, ata që sinqerisht adhurojnë, ata që falënderojnë, ata që agjërojnë, ata që bëjnë ruku, që bëjnë sexhde, që urdhërojnë për të mira e ndalojnë nga të këqijat, edhe përmbushin dispozitat e All-llahut. Pra, përgëzoi besimtarët. (Tevbe, 112).

E ata që shfaqin lëshim të dispozitave të Allahut, do të jetojnë një jetë të vështirë me brenga dhe shqetësime, si në këtë botë po ashtu dhe në botën tjetër; ata dëmtojnë vetëm veten e tyre. Allahu thotë:

“… Këto janë dispozitat e All-llahut, e kush del jashtë dispozitave të All-llahut, ai e ka dëmtuar vetveten…” (Talakë, 1).
Disa njerëz, vetëm që të mos t’u nënshtrohen dispozitave të Allahut, përpiqen t’i ndryshojnë ato. Ama, në të vërtetë kjo përpjekje nuk buron nga mendja e njerëzve, por nga shejtani. Kështu që ky është një kurth e shejtanit, me qëllim që njerëzit bëhen viktimat e tij. Shejtani i mallkuar përpiqet gjithmonë që punët e lejuara t’ua paraqesë njerëzve si të palejuara, ndërsa të ndaluarat tua paraqesë si të lejuara. Dhe si rrjedhojë e kësaj, njerëzit e mendojnë veten e tyre më të lartë kur i lënë pas dore dispozitat e Allahut. Për më tepër, ata mundohen të vendosin ligje mbi dispozitat e Allahut. Por, edhe pse i vendosin këto ligje sipas mendjes së tyre, ata përsëri nuk tregojnë kujdes në zbatimin e tyre. Në lidhje me këtë temë, Allahu jep si shembull devijimi të krishterët:

Pastaj vazhduam pas tyre me të dërguarit Tanë, e pas tyre e dërguam Isain, të birin e Merjemes dhe atij i dhamë Inxhilin, e në zemrat e ithtarëve të tij dhuruam butësi e mëshirë, ndërsa murgërinë ata vetë e shpikën. Ne atë nuk ua bëmë obligim atyre, mirëpo edhe pse kishin për qëllim me të vetëm ta arrijnë kënaqësinë e All-llahut, ata nuk iu përmbajtën asaj si duhet përmbajtur, prandaj atyre që besuan, Ne ua dhamë shpërblimin e tyre, po shumë prej tyre janë mëkatarë (jobesimtarë). (Hadidë, 27).

Për këtë arsye, atyre që besuan Allahu ua ka tërhequr vëmendjen përballë këtij rrezikut dhe në Kur’an është komunikuar devijimi i atyre që e kanë tepruar në rrugën e Allahut:

Thuaju: “O ithtarë të librit, mos e teproni në fenë tuaj jashtë të vërtetës dhe mos shkoni pas epsheve të një populli të mëparshëm që ka humbur, që ka shkaktuar humbjen e shumë të tjerëve dhe që u largua në tërësi prej rrugës së drejtë”. (Maide, 77).

Të vetmen gjë që duhet të bëjë njeriu, është kryerja e urdhrave, obligimin e të cilave Allahu e ka treguar në Kur’an, si dhe largimin nga ato gjëra që Ai ia ka ndaluar.
Kësisoj, ata që mundohet ta vështirësojnë fenë, do të japin llogari për këtë gjë në ditën e kijametit. Sepse, përderisa Allahu e ka bërë të lehtë fenë, ata mundohen ta vështirësojnë. Edhe Pejgamberi a.s, në lidhje me fenë thotë:
Feja është e lehtë. Askush nuk mund ta ashpërsojë (të bëhet i ngurtë përballë) fenë. (Pra çdokush duhet t’i përshtatet lehtësisë së fesë, Sepse mbetet i dobët ai që thotë se feja duhet mbajtur e shtrënguar). Ndreqeni lëvizjen e vijës tuaj dhe qëndroni afër cakut. (Haidthi Rumuz, vëllimi 1. faq.98)
Njerëzit duhet ta vlerësojnë fenë sipas thënies së Pejgamberit a.s, shprehje të cilën e cekëm më lart. Kështu që është gabim shumë i madh të menduarit se zbatimi i dispozitave, i obligimeve dhe i ligjeve të fesë është gjë e vështirë.