Admin Administrator
Numri i postimeve : 8520 Data e regjistrimit : 02/07/2009 Mosha : 42 Nacionaliteti-Sheti : Tetovë-Maqedoni
| Titulli: Projekti i studentit nga Kosova në universitetin Egje në Turqi Tue 28 Feb 2012 - 10:01 | |
| Projekti "Mbledhim kapakët një nga një dhe i tejkalojmë pengesat hap pas hapi" që ka filluar në Fakultetin e Stomatologjisë në Universitetin Egje në Izmir të Turqisë është bërë shpresë edhe për veteranët e luftës në Kosovë.
Ky projekt ka filluar rreth 1 vit e gjysëm më parë me një kapak të vetëm blu të shisheve plastike (për ujin) dhe deri tani janë mbledhur rreth 250 milionë kapakë të tillë, nga riciklimi i të cilëve janë siguar të ardhura të mjaftueshme për të blerë rreth 1100 karrige me rrota për personat me aftësi të kufizuar.
Projekti në të njëjtën kohë mbron edhe natyrën dhe përkrahet si nga banorët e thjeshtë, ashtu edhe nga ambientalistët.
Dekani i Fakultetit të Stomatologjisë në Universitetin e Egjeut, Profesor Doktor Xhelal Artunç (Celal Artunç) në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve Anadollu Azhans (Anadolu Ajans) bën të ditur se projekti, që në opinionin publik njihet me emrin "kapakët blu", vazhdon me shpejtësi duke u shtrirë në të katër anët Turqisë dhe në 44 vende të tjera në botë.
Z. Artunç thotë se projekti i ka kaluar kufijtë e Turqisë dhe kapakët e mbledhur në shumë vende si në Kosovë, Bosnje-Hercegovinë dhe Shqipëri janë sjellë për riciklim në Turqi.
Kurse ideatori dhe nismëtari i këtij projekti, Kushtrim Ahmeti, i cili është student i degës së stomatologjisë në Universitetin Egje është nga Gjilani i Kosovës. Ahmeti bën të ditur se vënien në jetë të këtij projekti në Turqi e ndau edhe me bashkatdhetarët e tij kur shkoi për pushime në Kosovë dhe për një kohë të shurtër njerëzit filluan të mbledhin kapakë blu edhe në Kosovë.
Kushtrim Ahmeti bën të ditur se pas Kosovës, projekti gjeti përkrahje të gjerë edhe në Bosnje-Hercegovinë dhe Shqipëri.
"Në Ballkan mblidhen jashtëzakonisht shumë kapakë. Herën e fundit që shkova në Kosovë, depot ishin mbushur plot me kapakë. Me mbështetjen e Ambasadores së Turqisë në Prishtinë, Songyl Ozan (Songül Ozan), kapakët që janë mbledhur në Kosovë do të sillen në Turqi dhe karrocat me rrota që do të përfitohen nga riciklimi i këtyre kapakëve, në muajin prill do t'u shpërndahen veteranëve të luftës në Kosovë si dhe personave me aftësi të kufizuara në këtë vend. Objektivi ynë është që në fillim të sigurojmë 100 karroca dhe më pas ta çojmë këtë numër deri në 200. Në Kosovë ndjehet shumë nevoja për karroca me rrota. Si pasojë e luftës së zhvilluar në Kosovë shumë persona kanë mbetur sakat dhe nuk ecin dot për shkak të mungesës së një karroce të tille. Këto karroca do të jenë dhuratë që populli turk u bën veteranëve të Kosovës. Kjo më ka emocionuar shumë" shprehet studenti kosovar, Kushtrim Ahmeti.
Ndërkaq Z. Ahmeti jep edhe informacione për projektin dhe bën të ditur se 250 kg kapakë plastikë janë të barabartë me 1 karrocë. Për 250 kg kapakë duhen mbledhur 15.000 kapakë blu.
Kushtim Ahmeti thotë se për të përhapur edhe më tepër këtë projekt kanë bërë njoftime në internetit përmes rrjeteve sociale, kurse për afishet dhe kutitë ku mblidhen kapakët studentët që marrin pjesë në këtë projekt kanë përdorur lekët e veta.
Mbledhja e kapakëve plastikë është e lehtë pasi mund ti fusësh në xhep dhe pasi ti kesh mbledhur në një qese të vogël mund ti çosh në pikat e grumbullimit, ku në Turqi janë të shumta. Në të gjitha shkollat, institucionet shtetërore apo në rrugë janë vendosur kuti ose bidonë të mëdhenj plastikë, ku qytetarët depozitojnë kapakët e tyre nga konsumimi i përditshëm, apo nga shishet që gjejnë në rrugë ose ambiente të tjera. Diçka kaq e vogël që për dikë nuk ka kuptim, për dikë tjetër ka një domethënie shumë të madhe. Dhe pikërisht këtu, merr kuptim fjala e urtë "Bashkimi bën fuqinë".
Ndërsa Dekani i Fakultetit të Stomatologjisë në Universitetin e Egjeut, Profesor Doktor Xhelal Artunç (Celal Artunç, tha: “Jemi të kënaqur tej mase për përmasat e kësaj fushate, që është përhapur me shpejtësi dhe i ka tejkaluar kufijtë e Turqisë. Sigurisht që kjo fushatë nuk duhet parë si një fushatë e karrigeve me rrota, por si një përgjegjësi sociale, nevojë për unitet, për rigjallërimin e ndjenjës së solidaritetit për të mbështetur njëri-tjetrin. Ndërkaq sigurimi i një karroce me rrota nga një kapak dhe sigurimi më pas i një mijë karrocave të tjera tregon edhe dimensionin e madh të punës”./trt/ | |
|