Zekerijah Çajlakoviq
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve për mëshirën dhe urtësitë që na i dhuron. Salavatet dhe selamet qofshin për të Dërguarin e Tij, Muhammedin, s.a.v.s., mbi familjen e tij të ndershme, shokët e tij dhe mbi gjithë pasuesit e tij.
Vëllezër e motra të nderuara!
Sot është dita e 27. e muajit të zgjedhur Rexheb. Neve na është e njohur që nata e 26., e Rexhebit është nata e Israsë dhe Miraxhit. Andaj, hytben e sodit do t’ia kushtojmë pikërisht kësaj ngjarjeje madhështore e cila i ka ndodhur të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., ndërsa me këtë edhe ummetit të tij, pra, mbi Isranë dhe Mi’raxhin, me qasje të veçantë ndaj trashëgimisë më të madhe që i ngjanë miraxhit, dhuratës së ummetit – namazit.
Kjo ngjarje e rëndësishme, ashtu siç e dimë, përmendet në Kur’anin e madhërishëm dhe bën pjesë në njërën nga mu’xhizet. Muhammedi, s.a.v.s., për këtë ngjarje hollësisht tregon në hadithet e tij. Ngjarja e Israsë dhe Mi’raxhit, ka qenë ngjarje e rëndësishme e cila njëkohësisht ishte nder dhe fuqi plotësuese për Muhammedint,a.s.
Në ajetin e parë të sures Isra’, Allahu, xh.sh., thotë:
” سُبْحَانَ الَّذِى أَسْرَى بِعَبْدِهِ لَيْلاً مِنَ الْمَسْجِدِ الْحَرَامِ إِلَى الْمَسْجِدِ الأَقْصَا الَّذِى بَارَكْنَا حَوْلَهُ لِنُرِيَهُ مِنْ آيَاتِنَا إِنَّهُ هُوَ السَّمِيعُ الْبَصِيرُ” (سورة الإسراء: 1)
“Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona.Vërtet, Ai është dëgjuesi (i fjalëve të Muhammedit), pamësi (i punëve të Muhammedit).” (El-Isra’, 1)
Njëra nga dhuratat më të rëndësishme të mi’raxhit, natyrisht, është namazi, i cili është caktuar në Mi’raxh, për të cilin i Dërguari, a.s., thotë se është mi’raxhi (ngritja) i besimtarit. Të njohura janë ato transmetime mbi caktimin fillestar të pesëdhjetë namazeve, si dhe mënyrën e zvogëlimit të tyre, me lutjen e Muhammedit, a.s., ndërsa nxitjen e Musait, a.s., në pesë kohë të sodit. Kur ndodhi kjo, Allahu i Lartësuar tha: “Fjala ime nuk ndërron: për këto pesë do të kesh pesëdhjetë.” (Për pesë kohë do të shpërblehesh sa pesëdhjetë namaze, përkthyesi.)
Dëshira e Allahut, xh.sh., është që namazi si farz dhe si njëri nga shtyllat e islamit, pa të cilin nuk ka muslimanë (mu’minë), të shpallet pikërisht në qiell, gjatë mi’raxhit (në atë natë të zgjedhur), çfarë namazit i jep dimension dhe rëndësi më të madhe. Namazi është çështje që ndanë besimin nga blasfemia dhe Islamin nga kufri. Në hadith i Dërguari, a.s., thotë: “E para gjë për të cilën njerëzit do të pyeten në Ditën e Gjykimit është namazi, andaj nëse ai është në rregull edhe veprat tjera do të jenë në rregull.”
Këtu parashtrohet pyetja se si është namazi jonë, si e kryejmë, në përgjithësi a kryejmë rregullisht? Namazi a është kënaqësia jonë apo ngarkesë? A e udhëzojmë familjen tonë ta falin namaz? A e kemi namazin sikur që duhet për të dalë para Allahu, xh.sh.,?
Namazi është obligimi i dytë esencial dhe praktik apo sharti i dytë islam për çdo të rritur, të mençur, të shëndosh, musliman dhe muslimane të lirë.
Allahu i Lartësuar i shpall Muhammedit, a.s., dhe gjithë neve: “Urdhëro familjen tënde të falë namaz, e edhe ti vetë zbatoje atë…” (Ta Ha, 132.)
Si ritual thelbësor, i parë dhe i rëndësishëm i dinit-islam, i cili është caktuar për të gjithë të dërguarit, popujt dhe gjeneratat e gjinisë njerëzore, namazi i lidh të gjitha gjeneratat e njerëzimit në një ide shpirtërore, moralo-fetare dhe bashkësi religjioze e zakonore. Ashtu si vetë fjala fe, dini-islam, do të thotë religjiozitet, nënshtrim dhe bindje ndaj një të vetmit Zot dhe vetëdije e thellë, lidhje e lirë dhe sistematike për Zotin, në namaz, si themel ose bazament i islamit, ekskluzivisht i falet Zotit: “…Andaj ti falu dhe prej kurban për hir të Zotit tënd!” (El-Keuther, 2.)
“Vërtet, vetëm Unë jam All-llahu, nuk ka zot tjetër pos Meje, pra Mua më adhuro dhe fal namazin për të më kujtuar Mua.” (Ta Ha, 14.)
Namazi si edhe çdo dispozitë islame, ka misionin e tij të dyfishtë: që njeriun ta nxit në kryerjen e veprave të mira dhe të ndershme dhe ta ndaloj nga mendimet e shëmtuara dhe punët e këqija. Allahu i Lartësuar thotë: “…fal namazin, vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irituarat, e përmendja e All-llahut është më e madhja (e adhurimeve); All-llahu e di ç’punoni ju.” (El-Ankebut, 45.)
Namazi është komunikim shpirtëror dhe fetar, i caktuar prej Allahut, xh.sh., i denjë për njeriun, ndërmjet Allahut dhe njerëzve si krijesa të mençura, të vetëdijshme, të lira dhe të shpërblyera me shpallje. Namazi, në relacionin Zot dhe njeri, i përjashton të gjithë ndërmjetësuesit, kastat privilegjuese, institucionet dhe priftërinjtë.
Ai i takon çdo besimtari. “Nëse dëshiron të hysh tek Zoti yt pa lejen e njerëzve dhe të komunikosh me Të pa ndonjë ndërmjetësues, atëherë merr abdes dhe ngrihu për në namaz dhe atë do ta arrish.”
Si ritual esencial i cili e lidh njeriun me Zotin, namazi paraqet sjelljen fundamentale të vetëdijshme, religjioze, të sinqertë dhe të nënshtruar. Njeriu e ka për obligim që në namaz ta ndjej Zotin dhe të mendoj në Të: “Fale namazin ashtu përgjegjshëm sikur të të ishte i fundit dhe me bindje të dëshmuar sikur ta shihje Allahun, xh.sh., edhe pse ti Atë nuk e sheh, Ai ty të sheh”, thotë i Dërguari i Allahut, s.a.v.s. Sipas hadithit, namazi është bazë në fenë islame, dhe ai i cili nuk e fal atë e rrënon bazamentin e islamit. Gjithashtu, namazi është kufiri ndërmjet njeriut, nga njëra anë, dhe blasfemisë (kufrit) dhe politeizmit (shirkut), nga ana tjetër.
Nga pikëpamja e çdo besimtari: “Namazi është drita e besimtarit, ia dritëson fytyrën, si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër” – thotë Resulull-llahi. Në rivajetin tjetër thotë: “Lumturia dhe kënaqësia më e madhe e imja gjendet në namaz.” Namazi të ushqen, e mbush dhe e qetëson zemrën dhe shpirtin. Ai njeriun e lidh dhe e afron me Allahun, ndërsa e largon nga shajtani, nga veprat e këqija dhe njerëzit e padobishëm. Më shumë se çdo ritual tjetër ai kërkon sinqeritet, qartësi dhe nijet të pastër, nënshtrim dhe frikërespekt para madhërisë së Allahut: “…ata të cilët janë të përulur dhe të kujdesshëm gjatë faljes së namazit.” (El-Muminun, 2.), “…dhe ata të cilët i kushtojnë kujdes kohës së namazit të tyre.” (El-Muminun, 9.)
Të gjitha mendimet e njeriut, dëshirat e brendshme, qëllimet dhe ndjenjat duhet që në namaz të jenë, si askund tjetër në jetë, të pastra, të sinqerta dhe të orientuara ndaj Allahut, xh.sh. Hazreti ‘Aisha transmeton: Kur Muhammedi, a.s., ngrihej për në namaz, aq shumë ndryshonte sikur na dukej se nuk e njohim, si dhe ai ne nuk na njihte. Atëherë ai ishte ekskluzivisht i zënë me madhërimin e Allahut.”
Njeriu në namaz duhet që të hyj i nënshtruar, i kujdesshëm, me respekt dhe me njohjen e rregullave mbi të. Kush nuk është me gjithë qenien, mendjen dhe vetëdijen e tij në namaz, për të Kur’ani thotë: “Pra shkatërrim është për ata që falen, të cilët ndaj namazit të tyre janë të pakujdesshëm.” (El-Maun, 4-5.)
Namazi nuk e duron demagogjinë – formën e zbrazët, të thatë dhe të vdekshme pa përmbajtjen e brendshme. Namazi i cili bëhet sinqerisht e begaton njeriun në jetën private, publike dhe shoqërore: “Ti lexo atë që po të shpallet nga libri (Kur’ani), fal namazin, vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irituarat, e përmendja e All-llahut është më e madhja (e adhurimeve); All-llahu e di ç’punoni ju.” (El-Ankebut, 45.) Në të kundërtën i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., thotë: “Atë të cilin namazi nuk e largon nga veprat e turpshme, të këqija dhe të ndaluara, nga namazi nuk do të ketë asgjë, përpos që do të jetë i larguar nga mëshira e Allahut.” Me fjalë të tjera, namazi si lidhje e përhershme me Krijuesin është mbrojtje nga mëkatet dhe shërim për zemrën dhe shpirtin. Allahu, xh.sh., thotë: “O ju që keni besuar, kërkoni ndihmë me durim e me të falur, se vërtet All-llahu është me durimtarët.” (El-Bekare, 153.)
Namazi është mënyra më e mirë për t’ju kthyer Allahut, xh.sh., dhe më e mira për të kërkuar mbrojte prej të gjitha dëmeve dhe problemeve. Veçanërisht sot kur njeriu, duke iu falënderuar zhvillimit të lart teknologjik dhe jetesës së shpejt, është i detyruar që sa më shumë të punojë për ta pasur një jetë të mirë solide në tokë; kur në mes njerëzve nuk ka edhe shumë mirëkuptim, i vetmi ku njeriu gjen mbështetje me të gjitha dëshirat dhe problemet e fshehta dhe vështirësitë dhe që të jetë i sigurt se do të dëgjohet e nuk të refuzohet.
Të mos tallemi me namazet tona dhe të mendojmë se si është e mjaftueshme të jesh i pastër, në kuptim të asaj se askujt nuk ia mendojmë të keqen, se si jemi të mirë dhe urtë, pasi që ky është mendimi ynë i cili mund të jetë edhe i gabuar, veçanërisht nëse në jetën tonë nuk ka namaz; le ti kthehemi namazit si shpëtim prej të gjitha dëmet dhe problemet.
I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., thotë: “E para nga detyrimet fetare të cilat Allahu, xh.sh., ua caktoi njerëzve është namazi dhe namazi do të jetë i fundit që do të ngele (prej fesë). Së pari do të jepet llogari për namazin.” (Ebu Ja’la) Nga Muhammedi, s.a.v.s., e kemi edhe këtë hadith i cili flet mbi dallimet ndërmjet atyre të cilëve falen dhe atyre që nuk falen: “Dallimi ndërmjet jush atyre është namazi. Kush e lëshon namazin, ai pushon të jetë musliman.” (Ahmedi, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ibn Maxhe)
Le të mos hyjmë në këtë zonë alarmuese dhe të rrezikshme që të humbim fenë për diçka që vlen pak.
Lusim Allahun xh.sh që të gjithë ne të na vetëdijesoj për rëndësinë dhe vlerën e namazit dhe të na ndihmoj në kryerjen e drejtë të tij dhe kënaqësinë e namazit tonë. Amin ja Rabbi.
Shqipëroi:
Mehas Alija