Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
Falënderimi i takon Allahut i cili e bëri natën dhe ditën konkurrencë
për ata që përkujtojnë e falënderojnë. I ka dhënë sukses kujt ka dashur
prej robërve të Tij, të jenë të bindur, të punojnë punë të mira e të
jenë të pranuar. I ka poshtëruar ata të cilët ia kanë kthyer shpinën
përmendjes së Tij dhe ndoqën pasionet, përfundimi i të cilëve ka qenë
Xhehenemi i turpëruar.
Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Allahut i vetëm dhe i
pa shok, Atij i përket sundimi dhe falënderimi dhe për çdo gjë që Ai
dëshiron është e realizuar; si dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i
dërguar i Tij, e ka dërguar Allahu para Kiametit si përgëzues e qortues,
si dhe thirrës në rrugën e Allahut me lejen e Tij dhe pishtar ndriçues,
paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të mbi familjen e tij dhe shokët
e tij, i përshëndesim ata me përshëndetje të shumta.
Frikësojuni Allahut, sepse frika ndaj Tij është gjëja më e madhe që ju fshihni dhe vepra më e bukur që ju shfaqni.
O ju muslimanë! Vitet, muajt dhe ditët janë masë përcaktuese e jetës,
ndërsa koha e punëve mbaron ngadalë e shkojnë më pas të gjitha. Vdekja
sillet përqarkë ditën e natën e nuk vonohet ndaj atij që i ka ardhur
momenti dhe i kanë mbaruar ditët. Ditët tona janë magazinë ruajtëse e të
gjitha atyre që kemi vepruar, e të cilat më pas do ti shohim në ditën e
llogarisë, ditën kur çdonjëri do ta ketë përpara atë që ka punuar.
Ditën kur Zoti i Gjithësisë do të thotë: “O robërit e mi! Gjithshka vjen
nga veprat tuaja që Unë i shënoj, e pastaj për këtë do ti jap shpërblim
që i takon. Andaj kush gjen mirë le ta falenderojë Allahun, ndërsa kush
gjen diçka tjetër le ta fajësojë vetëm veten.” Muslimi.
Ja iku dhe muaji ynë me të gjitha ato që kemi kryer, ai vulosi të gjitha
veprat e fjalët tona. Ai i cili ka punuar keq le të shpejtoj për tu
penduar e punuar punë të mira para se ti mbyllet dera e ti paloset
libri, ndërsa ai i cili ka qënë i përuluar ndaj Zotit të Tij e ka punuar
mirë, të mos bëhet si ajo që e thur trikon e më pas e shqep atë. Sa i
bukur është ai adhurim të cilin e pasojnë adhurime të tjera!
Sa hijeshi ka vepra e mirë tek e cila mblidhen të mirat. Përpiquni për
pranimin e veprës më shumë se përpjekja që bëni për punimin e tyre,
sepse Allahu i pranon veprat e atyre të cilët janë të devotshëm.
Sa e shëmtuar është veprimi i keq pas punëve të mira, dhe nëse të mirat i
largojnë të këqiat, dijeni se të këqiat i shuajnë dhe i prishin të
mirat.
O ju muslimanë!
Kemi qënë në muajin e bujarisë dhe mirësive, agjëronim në të ditën e
faleshim natën, afroheshim ke Allahu me adhurime të ndryshme duke
shpresuar shpërblimin e Tij e duke iu frikësuar dënimit, por ja tani që
ato mbaruan na duket sikur kemi qënë në një ëndërr të cilën na e prishi
zgjimi i mëngjesit, dhe kështu është e gjithë jeta e njeriut, ikën ditë
pas dite derisa të na çojë në botën e përtejme.
Porse vazhdimi në adhurime dhe mirësi gjatë jetës është angazhimi i të
mirëve, është arritja e qëllimit të devotshëmve. Dijeni se adhurimi nuk
ka kohë të caktuar, përkundrazi ajo është e drejtë që i takon Allahut e
me të cilën robërit e Tij mbushin gjithësinë përgjat gjithë kohërave;
ndaj çdonjëri prej nesh duhet të vazhdoj të eci nëpër rrugët e udhëzimit
dhe mirësisë edhe pas Ramazanit, sepse adhurimi i Allahut nuk është i
kufizuar vetëm në Ramazan dhe robin nuk e shkëput nga adhurimi i Allahut
asgjë tjetër veç vdekjes. Sa të mjerë që janë ata të cilët adhurojnë
kohën e që nuk e njohin Allahun veçse në Ramazan.
O ju muslimanë!
Vërtet pranimi i punëve të mira në këtë muaj ka shenja të dukshme
sikurse dhe mos pranimi i tyre ka shenjat e saj. Nga pranimi i veprave
të mira në këtë muaj është veprimi i tyre edhe pas tij, e nga shenjat e
këqia është veprimi i të këqiave pas veprës së mirë; ndaj pasoini të
mirat me të mira, që të jenë shenjë e pranimit të tyre, shtoini këto të
mira që të jenë shlyerje për të këqiat dhe mburojë nga e keqja e tyre:
“Vërtet veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija. Kjo këshillë vlen për ata që i pranojnë këshillat”. Hud, 114.
Ndërsa profeti salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Frikësoju Allahut
kudo që të jesh, të keqen pasoje me të mirë sepse ajo do ta fshijë atë
dhe sillu me njerëzit me moral të mirë”. Tirmidhiu
Ai që ka vendosur ti kthehet pakujdesisë pas Ramazanit, le ta dijë se
Allahu është i gjallë dhe nuk e zhduk ndërrimi i ditëve e netëve, Ai
është i kënaqur ndaj atyre që e adhurojnë në çdo muaj të vitit dhe
zemërohet me ata që e kundërshtojnë, në çdo kohë e vend. Dijeni se
lumturia arrihet me jetgjatësi dhe punë të mira, dhe angazhimi i
muslimanit në punë të mira përgjatë kohërave e ditëve është argument më i
madh për pranimin e punëve të tij.
Të nderuar muslimanë!
Edhe pse sezoni i Ramazanit ka mbaruar, agjërimi përsëri mbetet vepër e
preferuar edhe gjatë muajve të tjerë, sepse nga sunetet profetike ka
qënë agjërimi i të hënave dhe të ejteve dhe ai për këtë ka thënë: “Punët
i paraqiten Allahut, çdo të hënë e të ejte dhe unë kam dëshirë që ti
paraqitet puna ime e unë të jem agjërues”.
Profeti salallahu alejhi ue selem, e ka porositur Ebu Hurejrën të
agjërojë tre ditë për çdo muaj ku thotë: “Kush agjëron tre ditë për çdo
muaj, është sikur ka agjëruar të gjithë kohën”. Mutefekun Alejhi
Pasojeni agjërimin e Ramazanit me agjërimin e gjashtë ditëve të
Sheualit, muajit ku ne jemi, profeti salallahu alejhi ue selem, ka
thënë: “Ai i cili agjëron Ramazanin, pastaj e pason agjërimin e tij me
gjashtë ditë nga Sheuali, është sikur të ketë agjëruar gjithë kohën”.
Muslimi
Falja përgjatë natës në muajin e Ramazanit mbaroi, porse ajo është e
preferuar të vazhdojë në çdo ditë të vitit, profeti salallahu alejhi ue
selem, ka thënë: “Allahu zbret në qiellin e dynjasë për çdo natë në një
të tretën e mbetur të saj dhe thotë: “Kush më lutet që ti përgjigjem,
kush më kërkon që që ti jap, kush kërkon falje që ta fal”. Dijeni se
punët më të mira ke Allahu janë ato që janë të vazhdueshme e të
pandërprera edhe nëse janë të vogla. I mashtruar është ai i cili i kthen
shpinën adhurimit të Allahut dhe i privuar është ai që privohet nga
mëshira e Tij.
“Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar,
Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas
veprave më të mira, që ka bërë”. En-Nahl, 97.
Allahu më bëftë mua dhe ju dobi në ato që gjenden në Kuranin e
madhështor, i kërkoj Allahut falje për vete e ju dhe ju kërkoini Atij
falje se vërtet Ai është falës i Madh.