Vajza e vogël,tek po ecte përbri nënës së saj, u ndal përnjëherësh.Një biçikletë në rrugë ia kishte tërhequr vëmendjen.Në të kishin hipur një burrë dhe e bija, e cila ishte pak a shumë në moshën e saj.Vajza mbi biçikletë ishte ulur prapa,sipër një ndjenjëseje të vogël.Ajo mbahej fort pas të atit për të mos u rrëzuar dhe kishte mbështetur në shpinën e tij faqet e saj të skuqura nga të ftohtit.Fjalët që thoshte herë pas here burri duke kthyer kokën prapa e bënin vajzën e vogël të qeshte.
Ndërsa vajza e shikonte nga pas biçikletën, e ëma i tha:
-Mesa duket biçikletat që ke në shtëpi të duken pak,por nëse të pëlqeu, babai të blen edhe një si kjo.
-Unë nuk po shikoja biçikletën, por vajzën!-tha vajza e vogël me zë të butë.Edhe në atë situatë madje, i ati po bisedonte me të.
E ëma sikur nuk e dëgjoi aspak të bijën.I rregulloi kapelën e zbukuruar me pelush dhe i tha:
-Shokët e tu për të shkuar në shkollë ecin në këmbë edhe në këtë mot të keq, kurse babai yt, edhe pse i duhet të shkojë në punë, i rezervon disa minuta për të të çuar ty me mercedes në shkollë.
Sytë e vajzës ishin ende te biçikleta.Gruaja vazhdoi përsëri me qesëndi:
-Po deshe, edhe ty të të çojë babi me biçikletë,apo s`i shkon!
Vajza e vogël mundohej të fshihte nga e ëma lotët që i rridhnin si margaritarë dhe iu përgjigj:
-Sa shumë do të doja! Mbase ashtu do ta shtrëngoja fort babin tim.