Vrasja e Harun Aliut është ekzekutim politik. Kështu ka thënë
përfaqësuesi i OVL-UÇK-së, Besim Hoda, sipas të cilit, Harun Aliu ka
qenë një ndër figurat më të spikatura të UÇK-së, dhe një nga
personalitetet më të rralla që nuk ka pranuar që kontributin e dhënë
për shqiptarë në UÇK edhe në Kosovë edhe në Maqedoni, ta shesë për
përfitime politike e ekonomike, ashtu siç po e bëjnë shumica e
udhëheqësve si ish komandantë të luftës. "Është turp i madh që kjo
parapërgatitje për ekzekutim politik apo figura e Harun Aliut të
përzihet me trafikim armësh. Kërkojmë publikisht që për këtë të
prononcohen të gjitha subjektet politike shqiptare dhe ky ekzekutim i
parapërgatitur dhe skenar i turpshëm për shqiptarët të trajtohet me
seriozitet për shkak se në të ardhmen, mund të krijohen tensione të
mëdha ndëretnike. Vrasja e Harun Aliut quhet atentat politik. Një herë
dënim pa vend, e pastaj vrasje pa vend, shihet se është skenar i
parapërgatitur mire", ka thënë Hoda.