O Allah! Më jep ndihmën, që më ke premtuar! O Allah! Thyeji e mposhti idhujtarët sa më shpejt!” Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) drejtoi rreshtat e ushtrisë myslimane dhe i urdhëroi që të mos e fillonin luftën, derisa t’u vinte urdhri prej tij. “Kur t’u afrohen juve,- tha, i godisni me shigjeta, por mbani rezervë ca nga shigjetat tuaja dhe mos i kapni shpatat, derisa ata t’ju vërsulen ju.” Pastaj, Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u kthye tek tenda e tij bashkë me Ebu Bekrin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe iu lut Allahut shumë për fitoren me këto fjalë: “O Allahu im! Nëse sot Ti do t’i zhdukësh myslimanët, nuk do të adhurohesh kurrë më. O Allahu im! Në qoftë se Ti do, nuk adhurohesh pas kësaj dite kurrë më.” Aq gjatë e vazhdoi lutjen, sa i ra mëngorja nga supet. Ebu Bekri ia vuri atë përsëri dhe i tha: “Të mjafton kjo lutje ty, o i Dërguari i Allahut, sepse me të vërtetë, i je lutur dhe i ke kërkuar shumë.” Idhujtarët komandoheshin nga Ebu Xhehli. Ai e filloi lutjen e vet kështu: “O Allahu im! Ata na kanë ndarë nga farefisi, na kanë sjellë një fe, që ne nuk e njohim. Prandaj mposhti sa më parë, o Allahu im! Cili nga ne të jetë më i dashur tek Ti dhe më i pëlqyer pranë Teje, ndihmoje sot!” Dueli dhe beteja Në fushën e betejës dolën tre veta nga kalorësit më të mirë të idhujtarëve: Utbeu, Shejbeu (dy djemtë e Rabias) dhe Uelid ibn Utbe. Dolën për të bërë duel me myslimanët. Nga myslimanët dolën tre djem nga ensarët. Mirëpo idhujtarët thanë: “Ne duam të bëjmë duel me bijtë e xhaxhait tonë.” Atëherë dolën: Ubejde ibn Harithi, Hamzai dhe Aliu. Filloi dueli. Hamzai vrau Shejbenë; Aliu vrau Uelidin. U këmbyen goditjet midis Ubejdes dhe ibn Utbes. Të dy ranë në tokë. Aliu dhe Hamzai iu vërsulën përsëri ibn Utbes dhe e vranë. Ubejden e morën, ashtu me këmbë të këputur. Pas katër a pesë orësh ai vdiq në Safra dhe e kthyen për në Medine. Idhujtarët u hidhëruan shumë nga përfundimi i duelit dhe të tërbuar sulmuan rreshtat e myslimanëve si një trup i vetëm. Myslimanët qëndronin në pozicionet e tyre, duke mbrojtur veten dhe duke thënë “Ehad, Ehad.” (Një, Një). Për një çast i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u kot pak, pastaj ngriti kokën dhe tha: “Gëzohu o Ebu Bekër, se të erdhi ndihma e Allahut. Këtu është meleku Xhebrail, i cili ka marrë kalin e vet për freri dhe po e tërheq, duke ngritur pluhur.38” Pastaj, i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) doli i veshur me një këmishë hekuri dhe këndoi ajetin: “(Kurejshët idhujtarë) do të pësojnë disfatë dhe do të kthehen mbrapsht.” (54:45) Mori një dorë guriçka dhe ua hodhi idhujtarëve drejt e në fytyrë nga larg, duke thënë: “U nxifshin fytyrat e idhujtarëve!” Dhe, për çudi secilit prej tyre i ra diçka nga ato guriçka në sy dhe në hundë. Për këtë Allahu ka thënë: “…(Në të vërtetë) ti nuk i gjuajte, por Allahu i gjuajti…” (8:17) I Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i urdhëroi myslimanët të hidheshin në sulm kundër idhujtarëve. Atëherë, myslimanët sulmuan me tërë vrullin, sepse e kishin të Dërguarin e Allahut ( paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në rresht të parë përballë armikut. I çanë rreshtat e armikut dhe ua prenë kokat shumë idhujtarëve. Ata kishin edhe ndihmën e melekëve, të cilët i godisnin idhujtarët në çdo anë. I këputej koka ose këmba njeriut dhe nuk dihej se kush e godiste. Kështu vazhdoi beteja, derisa idhujtarët u thyen. Disa idhujtarë u vranë, të tjerët morën arratinë; të tjerë u zunë rob. Në atë betejë kishte vajtur edhe djalli, në pamjen e Suraka ibn Malik ibn Xhu’shumit, për të fuqizuar idhujtarët dhe për t’i nxitur ata në luftë kundër myslimanëve. Por, sa shikoi melekët, djalli u kthye mbrapsht, iku në drejtim të Detit të Kuq dhe hyri në det. Vrasja e Ebu Xhehlit Ebu Xhehli ishte midis një grupi idhujtarësh, që e mbronin me shpatat e tyre si gardh. Ndërsa në rreshtat e myslimanëve, pranë Abdurr Rrahman ibn Aufit, ishin dy djem nga ensarët, që kërkonin diçka. Njëri prej tyre i tha Abdu Rrahmanit fshehurazi nga shoku i tij: “O Xhaxha! Ma trego Ebu Xhehlin!” Abdu Rrahmani e pyeti: “Pse? Cfarë do të bësh me të?” “Kam marrë vesh,- iu përgjigj ai, se ai ka sharë të Dërguarin e Allahut. Për Zotin, që ka shpirtin tim në dorë, po ta shikoj, nuk do ta lë pa e vrarë.” Edhe djali tjetër i tha Abdu Rrahmanit të njëjtën gjë. Kur u ballafaquan të dy palët, Abdu Rrahmani e pa Ebu Xhehlin duke shëtitur midis rreshtave të idhujtarëve dhe ua tregoi dy djemve. Atëherë, që të dy iu vërsulën Ebu Xhehlit me shpatë dhe e goditën. Njëri e goditi në kërci të këmbës dhe atij i fluturoi këmba, ashtu siç fluturon bërthama e ullirit, kur shtypet. Tjetri e shtriu përtokë dhe e la në frymën e fundit. Pastaj të dy djemtë shkuan tek i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i thanë: “Shikoji shpata tona.” Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u tha: “Ju, të dy e keni vrarë atë.” Ishin Muadhi dhe Meudhi, bijtë e Afrait. Meudhi ra dëshmor në të njëjtën luftë, kurse Muadhi jetoi deri në kohën e Khalifit Othman (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i dha Muadhit pasurinë e Ebu Xhehlit. Pasi mbaroi beteja, njerëzit dolën për të kërkuar Ebu Xhehlin. Abdullah ibn Mes’udi e gjeti atë me shpirt ndër dhëmbë. I vuri këmbën në qafë dhe e kapi për mjekre, që t’ia priste kokën. - A të poshtëroi Allahu ty, o armiku i Allahut?,- i tha. Ebu Xhehli: - Me çfarë më poshtëroi Allahu mua? A keni vrarë njeri më të madh se unë? Sikur të mos më kishte vrarë një bari delesh! Kush po e fiton luftën sot? Abdullah ibn Mes'udi: - Allahu dhe i Dërguari i Tij. Ebu Xhehli: - I je ngjitur një të përpjete të vështirë, o bari i vogël delesh. Atëherë, Abdullahu ia preu kokën dhe vajti tek i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). I Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Allahu Ekber. (Allahu është më i Madhi). Falenderimi i takon Allahut që e vërtetësoi premtimin e Vet, e ndihmoi robin e Vet dhe i theu armiqtë.” Pastaj shtoi: “Ky (Ebu Xhehli) ishte faraoni i kësaj bashkësie.” Dita e Dallimit të së mirës nga e keqja (Furkanit) Eshtë dita, kur u zhvillua lufta e Bedërit, më 17 të muajit të Ramazanit. Beteja bëhej midis femohuesve dhe besimtarëve. Aty, njeriu luftonte kundër xhaxhait të vet, dajës së vet, djalit të vet, vëllait të vet. Në atë betejë Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) vrau dajën e vet, As ibn Hashimin dhe Ebu Bekri u ndesh me djalin e vet, Abdurr Rrahmanin. Myslimanët zunë rob Abasin, xhaxhanë e të Dërguarit të Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Kështu, u ndërpre lidhja farefisnore midis njerëzve dhe Allahu e lartësoi fjalën e besimit mbi fjalën e mohimit dhe e dalloi të vërtetën nga e shtrembra. Prandaj, ajo ditë u quajt “Dita e Dallimit”. Të vrarët Në atë Betejë u vranë 14 burra nga myslimanët: gjashtë nga muhaxhirët dhe tetë nga ensarët. Ata u varrosën në fushën e Bedërit dhe varret e tyre njihen edhe sot. Nga idhujtarët u vranë 70 veta dhe 70 të tjerë u zunë rob. Shumica e tyre ishin nga paria e kurejshëve. Nga ata, 24 kufoma u tërhoqën dhe u hodhën në një pus të pistë në Bedër. I Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) qëndroi në Bedër tri ditë dhe kur u përgatit që të kthehej që andej, vajti te pusi, qëndroi në cep të tij dhe i thirri të vrarët idhujtarë me emrat e tyre dhe të baballarëve të tyre: “O filan, bir i filanit! O filan, bir i filanit! A do t’ju pëlqente (tani) që t’i ishit bindur Allahut dhe të Dërguarit të Tij? Ne vërtet, e gjetëm ndihmën që na kishte premtuar Zoti ynë. Po ju, a e gjetët ndihmën, që ju kishte premtuar zoti juaj?” Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i tha: “O i Dërguari i Allahut! A po u flet trupave pa shpirt?” “Ju nuk dëgjoni më mirë se ata,- iu përgjigj Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), por vetëm se ata nuk përgjigjen.” Lajmi i Betejës në Mekë dhe në Medine Lajmi i thyerjes së idhujtarëve arriti në Mekë. Ata i theu dhe i poshtëroi Allahu. Me qëllim që të mos u bëhej qejfi mylimanëve, idhujtarët e ndaluan vajtimin për të vrarët e tyre. Esued ibn Mutalibit i ishin vrarë tre djem në Bedër, prandaj ai donte të vajtonte me zë për ta. Natën dëgjoi zërin e një gruaje që po vajtonte dhe mendoi se ishte dhënë leja për të vajtuar të vrarët. Prandaj, dërgoi djalin e vet për të hetuar. I biri shkoi atje dhe mori vesh që gruaja po vajtonte për devenë e vet, që i kishte humbur. Atëherë ai nuk e përmbajti veten dhe thuri…: Po qan për një deve të humbur?! Gjumin pagjumësia ka mundur. Jo, ajo nuk po qan për devenë, Qan për Bedërin; të pafat qemë. Në Medine, njerëzit morën vesh për betejën nga dy lajmëtarë të dërguar nga Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): Abdullah ibn Reuahai dhe Zejd ibn Harithe. I pari njoftoi pjesën e sipërme të Medines, i dyti pjesën e poshtme të saj. Jehudinjtë kishin përhapur fjalë të gënjeshtërta në Medine. Por, kur shkoi atje lajmi i fitores, u gëzuan tërë myslimanët dhe u tund Medinia nga brohoria e njerëzve: La i lahe il-lallah (Nuk ka zot tjetër përveç Allahut), Allahu Ekber (Allahu është më i Madhi). Krerët e myslimanëve, dolën përpara në rrugët e Bedërit dhe uruan të Dërguarin e Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për fitoren. I Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në Medine I Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u kthye në Medine me ndihmën e Allahut, me plaçkë lufte dhe robër. Kur arriti afër Safrasë, Allahu i zbriti ajetin, që tregon urdhrin e ndarjes së plaçkës së luftës. Prandaj, ai mori një të pestën e plaçkës së luftës. Pjesën tjetër e ndau në mënyrë të barabërtë midis luftëtarëve. Më pas urdhëroi që të vritej Nadir ibn Harithi. Ali ibn Ebu Talibi ia preu kokën. Kur Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) arriti në Araki Dhubaja, urdhëroi që të vritej Ukbe ibn Ebu Muiti, të cilin e vrau Asim ibn Thabit el Ensariu (thuhet edhe se e ka vrarë Ali ibn Ebu Talibi). Krerët e myslimanëve që kishin dalë për të uruar, e takuan të Dërguarin e Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në Rauhar. Pastaj e shoqëruan atë deri në Medine. Shumë njerëz u bënë myslimanë. Madje edhe Abdullah ibn Ubeji (kryetari i dyfytyrakëve) dhe shokët e tij u shfaqën sikur u bënë myslimanë.
Safijurrahman el-Mubarekfuri
Marur nga: www.albislam.com[/justify]