- Cito :
- Pjesë nga libri: Nektari i vulosur i Xhennetit i autorit Safijjurrahman el-Mubarekfuri
Për të gjithë ata që thonë:
NE E KEMI ZEMRËN E MIRË, KJO NA MJAFTON!
Pjesë nga libri: Nektari i vulosur i Xhennetit i autorit Safijjurrahman el-Mubarekfuri
VDEKJA E EBU TALIBIT
Sëmundja e shtrëngoi Ebu Talibin, vdekja iu afrua dhe ai ndërroi jetë në muajin Rexheb1 të vitit dhjetë të pejgamberisë, ose gjashtë muaj pas daljes nga izolimi2.
Ekzistojnë mendime se ka vdekur në muajin ramazan, tri ditë para vdekjes së h. Hatixhes radijAllahu anha.
Në Sahihun e Buhariut transmetuar nga El-Musejjibi thuhet se Resulullahu s.a.v.s. ka hyrë te Ebu Talibi. Pranë tij ishte ulur Ebu Xhehli. Resulullahu s.a.v.s. iu drejtua xhaxhait të vet:
“O xhaxha, thuaj: Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, fjalë kjo me të cilën do të të mbroj tek Allahu.”
Ebu Xhehli dhe Abdullah b. Ebu Umejje thanë:
“O Ebu Talib, a mos, vallë, do të dalësh nga mileti i Abdul-Muttalibit?” (besimit të gjyshit).
Kështu vazhduan të flisnin, kurse fjalët e tij të fundit kanë qenë:
“Në miletin e Abdul-Muttalibit.” Resulullahu s.a.v.s. tha:
“Do të kërkoj falje për ty gjithherë, vetëm nëse më ndalohet.”
Atëherë Allahu xh.sh. shpalli.
“Nuk është për Pejgamberin dhe besimtarët që të kërkojnë falje për idhujtarët, madje, qofshin edhe të afërm të tyre, pasi t’u bëhet e qartë se ata janë banorë të Xhehenemit.” (Et-Teube: 114).
Gjithashtu Allahu xh.sh. shpalli:
“Ti (o Muhammed), me të vërtetë, nuk mund ta udhëzosh (në formë imponuese) në rrugë të drejtë, atë që dëshiron ti - por Allahu e udhëzon (në të gjitha normat), Ai i di më së miri ata që janë të udhëzuar.” (El-Kasas: 56).
Mendojmë se nuk ka nevojë të flitet më gjerësisht për rolin e Ebu Talibit në mbrojtjen e Resulullahut s.a.v.s. nga zullumqarët. Bedeni me të cilin ai ka mbrojtur njëkohësisht Resulullahun s.a.v.s. dhe Islamin, ka qenë i fortë dhe i padepërtueshëm, por nuk ka qenë në gjendje të mbrojë vetveten. Ai i mbeti besnik fesë së etërve të vet, andaj nuk e kreu në tërësi detyrën e vet në këtë botë.
Në hadithin sahih transmetohet nga Abbas b. Abdul-Muttalibi, i cili i ka thënë Resulullahut s.a.v.s.:
“Ti nuk munde ta shpëtosh xhaxhanë tënd, kurse ai ty të ka mbrojtur dhe, për shkak teje ka qenë i qortuar?”
Resulullahu s.a.v.s. i është përgjigjur:
“Ai është në cektinën e Xhehenemit, sikur të mos isha unë, ai do të ishte në fund të Xhehenemit.”3
Tregohet nga Ebu Se’id El-Hudariu se e ka dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s. - kur e ka përmendur xhaxhanë e vet - duke thënë:
“Ndoshta do të ketë dobi në Ditën e Gjykimit nga shef’ati im, kështu që në zjarr t’i jenë vetëm putrat (shputat e këmbëve).”4
Fusnotat:
1. Tariku Islami nga Shahu i Madh Kanë En-Nexhib Abdi: I/20. Ekzistojnë mendime të ndryshme nëse Ebu Talibi ka vdekur gjashtë apo tetë muaj pas izolimit. Sipas llogarisë sime ka vdekur në rexheb të vitin 10. të pejgamberisë.
2. Muhtesar Siretu-r-Resul nga En-Nexhdi, f. 111.
3. Sahihu-l-Buhari, kaptina rrëfimi mbi Ebu Talibin.
4. Sahihu-l-Buhari: I/548.
Për t’a kuptuar më mirë ngjarjen më lart, ju lutem lexoni më tepër mbi jetën e Ebu-Talibit, xhaxhait të Pejgamberit, Muhamendit s.a.v.s..