Dita Ashures meritoi të konsiderohet si dita më madhështore në histori. Këtë ditë, është shkatërruar dhe ndëshkuar simboli më i madh i padrejtësisë dhe shtypjes mbi tokë. Ai ishte faraoni, mbreti i Egjiptit në kohën e Musait a.s.
Pyetje:”Pyetjet lidhur me ditën e Ashurasë janë të shumta dhe prej jush shpresojmë të gjejmë një përgjigje bindëse dhe sa më të plotë. Cili është sekreti i respektit që tregohet për këtë ditë? Cili është gjykimi fetar lidhur me agjërimin e kësaj dite? A shoqërohet me sevap agjërimi i kësaj dite, ashtu siç ndodh me ditën e Arafatit? A lejohet që agjërimi të bëhet vetëm për ditën e Ashurasë? Si i përgjigjeni atyre që mendojnë se kjo festë nuk ka asnjë bazë islame dhe se nuk ekziston asnjë hadith që e ligjëron? A duhet ta agjërojë këtë ditë, dikush që është në udhëtim? A është mirë që fëmijëve tu blejmë gjëra këtë ditë? Çfarë mendoni lidhur me fenomenin e çuditshëm që shohim tek shiat, të cilët festimin e kësaj dite e shoqërojnë me vetë ndëshkim dhe çjerrje të faqeve?!”
Dr. Munir Xhumua, anëtar i Unionit Botëror të Dijetarëve Myslimanë
Përgjigje:”Shkatërrimi dhe ndëshkimi i zullumqarëve është një mirësi dhe nder i madh. Thotë Zoti i lartësuar në Kuran:” Kështu humbi gjurma e atij populli keqbërës. Lavdërimi qoftë i Allahut, Zotit të gjithësisë.” (En’am, 45)
Shohim që ajeti i mësipërm, e shoqëron falënderimin dhe lavdërimin e Zotit, me një vepër e cila meriton të lëvdohet dhe që është; shkatërrimi i zullumqarëve dhe tiranëve. Diçka e tillë, padyshim që shihet si mëshirë dhe begati për besimtarët.
Bazuar në këtë, dita Ashures meritoi të konsiderohet si dita më madhështore në histori. Këtë ditë, është shkatërruar dhe ndëshkuar simboli më i madh i padrejtësisë dhe shtypjes mbi tokë. Ai ishte faraoni, mbreti i Egjiptit në kohën e Musait a.s. Ajo që ndodhi këtë ditë, ishte diçka e papritur, pasi ekuilibrat e forcës mes dy palëve nuk ishin të barabarta.
Dita e Ashurasë, e mori këtë emër nga koha kur ka ndodhur, dhjetë Muharrem. Ai është një emërtim i kulluar arab, i panjohur në periudhën paraislame. Kjo, edhe pse arabët e trashëguan respektin dhe madhërimin për këtë muaj nga feja e Ibrahimit a.s.
Zoti i lartësuar e urdhëroi profetin Musa a.s që t’ia kujtojë popullit të tij, mirësitë dhe begatitë e Zotit, ku më e madhja, padyshim ishte ajo e shkatërrimit të faraonit. Thotë Zoti në Kuran:”Ne e dërguam Musain me shenjat Tona (dhe i thamë): “Nxirre popullin tënd nga errësira në dritë dhe përkujtoju atyre ditët e Allahut.” (Ibrahim, 5)
Thotë imam Kurtubij në tefsirin e tij:”Kujtoju mirësitë e Zotit, shpëtimin nga faraoni, si dhe daljen nga labirinti në shkretëtirë. Shpesh herë, mirësi quhen dhe konsiderohen dhe ditët.”
Është vullneti i Zotit të lartësuar që dita e martirizimit të imam Husejnit, djalit të Aliut, në Qerbela, të koinçidojë në muajin Muharrem, pikërisht me ditën e dhjetë të këtij muaji. Kjo ka bërë që shiat, të cilët e konsiderojnë veten si flamurtarë të imam Husejnit dhe të gjithë myslimanëve, ta shenjtërojnë më shumë këtë ditë.
Mirësia e Ashurasë
Në dy koleksionet e sakta të haditheve (Buhari dhe Muslim) transmetohet se Ibnu Abasi është pyetur për ditën e Ashurasë dhe ka thënë:”Nuk e kam parë të dërguarin e Zotit a.s ta kërkojë shpërblimin si atë ditë (d.m.th ditën e Ashurasë) dhe si atë muaj (d.m.th Ramazanin).”
Agjërimi i Ashurasë, kaloi në katër etapa për profetin Muhamed a.s.
Etapa e parë:
Zoti e inspiroi Profetin a.s – ashtu siç inspiroi dhe kurejshët – që ta agjërojë, por pa përmendur mirësitë e kësaj dite dhe shkakun përse duhet agjëruar. Ndoshta, Profeti a.s akoma nuk e dinte vlerën dhe shpërblimin e agjërimit të kësaj dite. Megjithatë, kështu ruheshin disa forma praktike nga feja e profetit Ibrahim a.s. Në koleksionin e Buhariut dhe Muslimit, transmetohet se Aisheja –Zoti qoftë i kënaqur me të - ka thënë:”Ashuraja ka qenë një ditë e cila agjërohej nga kurejshët para islamit dhe vetë Profeti a.s e agjëronte...”
Etapa e dytë:
Kur Profeti a.s u vendos në Medinë dhe konstatoi se ithtarët e Librit e agjëronin këtë ditë, edhe ai e agjëroi, madje urdhëroi dhe myslimanët ta agjërojnë. Ai nuk u mjaftua duke e agjëruar vetë këtë ditë – siç bënte në Mekë – pasi e dinte shkakun e madhështisë së kësaj dite. Transmetohet nga Abdullah ibnu Abasi se ka thënë:”Kur i dërguari i Allahut a.s mbërriti në Medinë, konstatoi se hebrenjtë agjëronin ditën e Ashurasë. Ai i pyeti:”Përse e agjëroni këtë ditë?!” Hebrenjtë iu përgjigjën:”Kjo është një ditë e madhe, ku Zoti shpëtoi profetin Musa dhe popullin e tij, duke mbytur faraonin bashkë me ushtrinë. Musai e agjëronte këtë ditë si shenjë mirënjohjeje për Zotin dhe ne e agjërojmë.” Profeti a.s tha:”Ne e meritojmë Musanë a.s më shumë se ata.” Ai vetë e agjëroi dhe urdhëroi dhe myslimanët ta agjërojnë.”
Dijetarët myslimanë, kanë mospajtime nëse agjërimi i Ashurasë ishte obligim para se të obligohej agjërimi i Ramazanit, apo ka qenë sunet i fortë. Imam Ebu Hanife dhe imam Ahmedi mendojnë se agjërimi i Ashurasë ishte detyrë para se të obligohet Ramazani.
Sakaq, imam Shafiu mendonte se agjërimi i kësaj dite ka qenë sunet i fortë. Ajo që e përforcon mendimin se ka qenë obligim dhe detyrë (vaxhib) është vetë insistimi i të dërguarit të Zotit a.s, për ta agjëruar, si dhe interesi i shokëve të tij, të cilët u kërkonin dhe fëmijëve të tyre ta agjërojnë.
Buhariu dhe Muslimi transmetojnë një hadith nga Rebi bintu Muavedh, e cila ka thënë:”Ditën e Ashurasë, Profeti a.s dërgoi në fshatrat përreth Medinës duke u thënë:”Kushdo që nuk ka ngrënë deri tani, të agjërojë sot deri në fund të ditës. Kushdo që ka ngrënë, le të agjërojë pjesën e mbetur të ditës!” Që atëherë, ne agjëronim, madje u kërkonim të agjërojnë dhe fëmijëve tanë të vegjël. Ne shkonim me ta në xhami dhe kur qanin për të ngrënë, u jepnim në duar lodra leshi. Kjo vazhdonte deri në iftar.” Në një transmetim tjetër, thuhet:”Kur na kërkonin ushqim, u jepnim lodrat që të luajnë, deri në fund të ditës.”
Megjithatë, vlen të theksojmë se kjo periudhë ishte e shkurtër, pasi u obligua agjërimi i muajit të Ramazanit në vitin e dytë të emigrimit. Kjo do të thotë që obligimi i agjërimit ditën e Ashurasë, nuk zgjati më shumë se dy vjet.
Etapa e tretë:
Profeti Muhamed a.s hoqi dorë nga urdhri për agjërimin e ditës Ashura, pasi u obligua agjërimi i Ramazanit. Megjithatë, ai i nxiste myslimanët ta agjërojnë këtë ditë dhe e shihte si diçka të pëlqyeshme. Tek Buhariu dhe Muslimi transmetohet se Ibnu Umer, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë:”Profeti a.s e agjëronte ditën e Ashurasë dhe na urdhëronte ta agjërojmë. Por kur u ligjërua agjërimi i Ramazanit, e la atë...”
Shumica e dijetarëve mendojnë se agjërimi i kësaj dite është i pëlqyeshëm. Kjo, bazuar në hadithin e transmetuar nga imam Muslimi se një burrë e pyeti të dërguarin e Zotit a.s lidhur me agjërimin e Ashurasë. Ai iu përgjigj:”Besoj se duke agjëruar këtë ditë, Zoti fshin gjynahet e vitit të kaluar.” Gjithashtu, për hadithin e transmetuar nga Hafsa se i dërguari i Zotit a.s nuk e ka lënë asnjëherë agjërimin e Ashurasë, dhjetë ditëve të Dhul Hixhes dhe tre ditë nga çdo muaj.”
Më lart, cituam Ibnu Abasin që ka thënë:”Nuk e kam parë të dërguarin e Zotit a.s ta kërkojë shpërblimin si atë ditë (d.m.th ditën e Ashurasë) dhe si atë muaj (d.m.th Ramazanin).”
Është e ditur që Abdullah ibnu Abasi nuk i është ndarë Profetit a.s dhe ka dëgjuar e nxënë shumë gjëra prej tij.
Etapa e katërt:
Profeti a.s vendos të agjërojë dhe një ditë tjetër – para ose pas Ashurasë – me qëllim që të shmangë konformizmin me ithtarët e librit. Në një hadith të saktë, transmetohet se Ibnu Abasi ka thënë:”Kur i dërguari i Zotit a.s agjëroi ditën e Ashurasë dhe i urdhëroi shokët të agjërojnë, ata i thanë:”O i dërguar i Allahut! Ajo është një ditë e shenjtë për hebrenjtë dhe të krishterët!” Profeti a.s u tha:”Kur të vijë viti tjetër, në dashtë Zoti do të agjërojmë edhe një ditë para.” Por kur erdhi viti tjetër, Profeti a.s kishte ndërruar jetë.”
Kështu, shihet si e pëlqyeshme agjërimi i ditës Ashura dhe një dite para saj dhe ky është mendimi i dijetarëve të parë. Kjo, edhe pse nuk ka asgjë të keqe po të agjërohet vetëm dita Ashura.
Megjithatë, disa nga dijetarët e hershëm, mendojnë se sunet është ajo që vepronte i dërguari i Zotit a.s, jo ajo që kishte ndërmend dhe nijet për të vepruar.
Por ne konstatojmë se shkaku përse Profeti a.s donte të agjërojë dhe një ditë më parë, është i qartë. Prandaj e konsiderojmë sunet agjërimin e këtyre dy ditëve. Sakaq, shenjtërimi i të krishterëve për ditën e Ashurasë, është diçka që nuk e njohim dhe nuk e konstatojmë këto ditë. Ndoshta, kjo ka qenë e njohur për kohët e vjetra, duket ditur se si të krishterët dhe hebrenjtë i besojnë teuratit.
Agjërimi i ditës së nëntë, bashkë me ditën e Ashurasë (dita e dhjetë e Muharrem) për të mos përkuar me agjërimin e ithtarëve të librit – edhe pse agjërimi është i ligjëruar tek ithtarët e të dy feve – tregon për rëndësinë e mos përkimit me ta në përgjithësi dhe në çështjet e ligjëruara në veçanti.
Agjërimi i një dite para Ashurasë, bëhet edhe për një qëllim tjetër, i cili ceket në një hadith të transmetuar nga Taberani, sipas të cilit Abdullah ibnu Abasi e ka dëgjuar të dërguarin e Zotit a.s të thotë:”Nëse do jem gjallë edhe vitin tjetër, do të agjëroj edhe ditën e nëntë nga frika se mos humbas ditën e Ashurasë (që është dita e dhjetë e muajit Muharrem).”
Thotë imam Kurtubiu:”Këtë, Profeti a.s e ka thënë pasi kishte mbi dhjetë vite që e agjëronte këtë ditë. Sakaq, Ibnul Kajjim mendon se agjërimi më i plotë është agjërimi i ditës Ashura dhe i një dite para, ose pas saj. Kjo bëhet ose për tu siguruar në agjërimin e ditës Ashura dhe për të shmangur gabimet në përllogaritjen e kësaj dite, ose sepse agjërimi gjatë muajit Muharrem në përgjithësi është i pëlqyeshëm. Imam Muslimi transmeton nga Ebu Hurejre se i dërguari i Allahut a.s ka thënë:”Agjërimi më i mirë pas Ramazanit është agjërimi gjatë muajit Muharrem.” Por lidhur me agjërimin e të gjithë këtij muaji nuk ka asnjë hadith.”
Dispozita të rëndësishme lidhur me Ashuranë:
1 – Agjërimi i ditës Ashura fshin gjynahet e vitit të kaluar, por me kusht që të jenë evituar gjynahet e rënda. Kjo, pasi falja e namazit dhe agjërimi i Ramazanit, padyshim që janë më të rëndësishme dhe më me vlerë se agjërimi i Ashurasë. Fshirjen e gjynaheve të rënda, Profeti a.s nuk e ka përmendur as për faljen e namazit dhe agjërimin e Ramazanit. Thotë Profeti a.s:”Pesë namazet në ditë, e xhumaja deri në të xhumanë tjetër, Ramazani gjer në Ramazanin tjetër, shërbejnë për fshirjen e gjynaheve, nëse janë evituar gjynahet e rënda.” (Muslim dhe Tirmidhij).
2 – Nuk është e papëlqyeshme (mekruh) agjërimi vetëm i ditës Ashura. Këtë e pohon vetë dijetari Ibnu Tejmije në fetvatë e tij. Kjo, edhe pse agjërimi i një dite më parë, është më i plotë.
3 – Udhëtarit i lejohet ta agjërojë ditën e Ashurasë. Thotë Ibnu Rexheb në librin “Letaiful Mearif” se disa nga dijetarët e hershëm e agjëronin ditën e Ashurasë edhe pse ishin në udhëtim. Ndër ta ishte Abdullah ibnu Abasi, Ebu Is’hak Sebi’ij, Zuhrij etj...
Transmeton Abdurezak se i dërguari i Zotit a.s ndodhej në Kurejd – diku pranë Mekes – dhe i vjen një burrë, të cilin e pyet:”A ke ngrënë gjë sot, pasi është dita e Ashurasë?” Burri i përgjigjet:”Jo, por kam pirë pak ujë.” Profeti a.s i thotë:”Atëherë mos ha gjë derisa të perëndojë dielli dhe urdhëroji familjarët e tu ta agjërojnë këtë ditë.” (Abdurezak dhe Taberani)
4 – Nuk lejohet që ditën e Ashurasë të shpiket një adhurim i veçantë, për të cilin nuk ka folur i dërguari i Zotit a.s. Hebrenjtë e Medines, gjatë jetës së Profetit a.s, e kishin shndërruar ditën e Ashurasë në ditë feste. Ashtu siç ndodh rëndom në disa vende islame sot, ku të afërmit vizitojnë njëri-tjetrin dhe bëjnë dhurata. Në islam, nuk thuhet asgjë tjetër përveç agjërimit të kësaj dite.
Transmeton Buhariu dhe Muslimi se Ebu Musa ka thënë:”Dita e Ashurasë ka qenë një ditë që e shenjtëronin hebrenjtë dhe e kishin shndërruar në ditë feste. I dërguari i Zotit a.s na tha:”Agjërojeni dhe ju!” Në një transmetim të Nesaij dhe Ibnu Hiban, Profeti a.s thotë:”Mos përkoni me ta, por këtë ditë agjërojeni!” Ky hadith e ndalon të festuarit e asaj dite.
Risitë që e shoqërojnë këtë ditë
5 – Gjithçka që transmetohet lidhur me lyerjen e syve me kohl, larjen e trupit etj... ditën e Ashurasë, është e pasaktë, madje e sajuar. Besoj se tekste të tilla janë sajuar nga rryma të devijuara, të cilët kontribuuan në vrasjen e imam Husejnit, Zoti qoftë i kënaqur me të. Ndër hadithet që thuhen për këtë ditë, është:”Kushdo që i lyen sytë (me kohl) nuk i sëmuren sytë për atë vit.” “Kush lahet ditën e Ashurasë, nuk sëmuret për atë vit.” “Kush tregohet zemërgjerë me familjarët e tij ditën e Ashurasë, Zoti do tregohet zemërgjerë me të për gjithë vitin.”
6 – Kushdo që dëshiron të shfaqë pikëllim për vrasjen e imam Husejnit, Zoti qoftë i kënaqur me të, e gëzon këtë të drejtë. Vrasja e tij ka pikëlluar çdo mysliman. Por kjo duhet të bëhet në kufijtë e sunetit profetik. Bazuar në këtë, nuk lejohet assesi shqyerja e rrobave, çjerrja e fytyrës dhe ngushëllimi i njëri-tjetrit me formula të periudhës para islame. Sakaq, përlotja dhe mërzia janë të lejuara. Husejni dhe vëllai i tij Haseni konsiderohen si zotërinjtë e të rinjve në xhenet, gjë e cila na e lehtëson dhimbjen për ta dhe për të gjithë figurat islame të vrarë padrejtësisht. Ata të gjithë janë të gjallë pranë Zotit të tyre dhe furnizohen me të mirat e Tij.
Vetë Hamzai, xhaxhai i Profetit a.s, u vra në betejën e Uhudit dhe u masakrua më pas, por Profeti a.s nuk veproi ashtu siç shohim disa njerëz të devijuar sot, të cilët e kanë shndërruar ditën e vrasjes së imam Husejnit në ditë zie dhe vajtimi.
6 – Çfarëdo lloj dëmtimi i trupit, si shenjë e dhimbjes dhe pikëllimit për vrasjen e imam Husejnit, Zoti qoftë i kënaqur me të, konsiderohet si bidat (risi) dhe vepër mizore, e cila dëmton imazhin e islamit në sytë e perëndimorëve. Unë vetë kam parë gazetat dhe revistat gjermane të mbushura me foto të “mendjelehtëve” të cilëve u rridhte gjak nga koka dhe kraharori. Poshtë këtyre fotove, lexoja fjalët:”Terrorizmi islamik”.
Unë nuk e kuptoj përse pjesa më e madhe e shiave e praktikojnë diçka kaq mizore dhe tragjike, edhe pse shumica e dijetarëve të tyre e kanë ndaluar këtë praktikë. Sakaq, disa të tjerë e konsiderojnë si praktikë me të cilën mund të shlyhen gjynahet dhe padrejtësitë.
7 – Agjërimi i ditës së Ashurasë deri në mesditë, ose deri pasdite, siç veprojnë shumë prej shiave. Kjo bie ndesh me urdhrin e Kuranit që thotë:”Plotësojeni agjërimin gjer në mbrëmje”
Ka disa njerëz të cilët bëjnë thirrje për të mos e agjëruar këtë ditë, pasi – sipas tyre – të gjithë hadithet e cituara mbi vlerën e agjërimit të Ashurasë, janë hadithe të sajuara nga omejadët. Një pretendim i tillë është shumë i ulët dhe mediokër, pasi bie ndesh me logjikën e shëndoshë dhe vetë tekstet profetike të sakta. Këto pretendime vijnë nga shiat, por që në fakt, vetë hadithet dhe burimet e tyre bien ndesh me këtë pretendim. Kështu, transmetohet nga Ebul Hasen se ka thënë:”I dërguari i Zotit a.s e ka agjëruar ditën e Ashurasë.” (Tehdhibul Ahkam)
Transmeton Ebu Abdullah a.s se babai i tij e ka dëgjuar Aliun a.s të thotë:”Agjërojeni ditën e Ashurasë dhe një ditë para, pasi fshin gjynahet e një viti.” (Tusi, në Tehdhibul Ahkam)
Transmeton Xhafer nga babai i tij se ka thënë:”Agjërimi i ditës Ashura, fshin gjynahet e një viti.” (Tehdhibul Ahkam)
Këto tekste të shiave, përkojnë me shumë hadithe të sunitëve, në të cilat manifestohet qartë vlera e agjërimit të kësaj dite. Atëherë, përse distancohen nga çështje të cilat gëzojnë unanimitet nga të gjithë myslimanët dhe vërtetohen nga tekste të pakontestueshme?! Është e çuditshme, se disa prej tyre nuk e agjërojnë këtë ditë, me pretendimin që të mos shndërrohet në ditë feste. Kjo, edhe pse në islam, ditët e festave nuk agjërohen dhe se myslimanët nuk kanë festa të tjera, përveç dy bajrameve.
Zoti e di më mirë