Përgëzimi i parë: Drita e plotë në Ditën e Gjykimit. Prej atij momenti që namazliu del nga shtëpia e tij, e rrethojnë përgëzimet nga të gjitha anët. Pejgamberi (a.s.), ka thënë: “Përgëzoji ata të cilët ecin nëpër errësirë për në xhami me një dritë (nur) të plotë në Ditën e Kiametit. [1]
Përgëzimi i dytë: Ky namaz ka vlerë më të madhe sesa e gjithë bota dhe çfarë ka në të. Pejgamberi (a.s.), ka thënë: “Dy rekatet e sabahut (sunet) janë më të vlefshme se e gjithë bota dhe çka ka në të”. [2]
Përgëzimi i tretë: Përfitimi i të mirave. Kur njeriu ulet dhe pret namazin, ai është në namaz. Pejgamberi (a.s.), ka thënë: “Kush del nga shtëpia e tij për në xhami, për çdo hap që bën atij i shënohen dhjetë të mira. Ai që ulet në xhami që ta presë namazin është sikurse ai që bën namaz dhe regjistrohet si namazli, derisa të kthehet në shtëpinë e tij”. [3] Kush nuk e fal namazin e sabahut me xhemat humb shumë shpërblime e të mira të mëdha, si: të mirat e dy rekateve para namazit të sabahut, shpërblimin e hapave për në xhami, shpërblimin e leximit të Kuranit derisa të thirret ikameti për namaz, shpërblimin e pritjes së namazit në xhami deri në ikamet. E nëse llogarit të gjitha këto të mira, do të bëhen me miliona, ngase një e mirë shpërblehet me dhjetë të mira.
Përgëzimi i katërt: Dëshmia e melekëve. Allahu i Madhëruar thotë: “Kryeje namazin prej kthimit të Diellit (nga gjysma e qiellit) deri në errësirën e natës dhe këndo Kuran në agim; me të vërtetë, falja e mëngjesit është e dëshmuar (nga engjëjt).”[4] Pejgamberi (a.s.), ka thënë: “Tubohen melekët e natës dhe melekët e ditës në namazin e sabahut”.[5]
Përgëzimi i pestë: Hyrja në xhenet dhe shpëtimi nga xhehenemi. Pejgamberi (a.s.), ka thënë: “Nuk do të hyjë në zjarr ai që falet para lindjes së diellit dhe para perëndimit.” [6] d.m.th. në namazin e sabahut dhe të ikindisë. Pejgamberi (a.s.), ka thënë: “Kush e fal namazin e sabahut dhe të ikindisë (berde tejni), hyn në xhenet” [7]
Përgëzimi i gjashtë: Shikimi i Allahut (xh.sh.). Shpresohet se ai që kujdeset për faljen e namazit të sabahut dhe të ikindisë do të fitojë shikimin e Allahut të Madhëruar. Transmetohet nga Xherir bin Abdullahu (r.a.), se ka thënë: “Ishim te Profeti (a.s.), një natë, shikoi hënën e plotë dhe tha: “Ju do shihni Zotin tuaj ashtu siç po e shihni këtë hënë, nuk do të keni asnjë lloj vështirësie në shikimin e Zotit. Nëse mundeni që mos t’ju habisë djalli nga namazi (ta anashkaloni atë) para lindjes së diellit dhe para perëndimit të tij, faleni atë (dhe largojuni intrigave të djajve).” D.m.th. namazin e sabahut dhe të ikindisë. [8]Pastaj lexoi ajetin: “Madhëroje Zotin tënd e falënderoje Atë para lindjes së diellit dhe para perëndimit.” [9]
Hafidh ibn Haxheri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kanë thënë dijetarët: ‘Arsyeja e përmendjes së këtyre dy namazeve me tregimin e shikimit të Allahut është ngase namazi konsiderohet nga adhurimet më me vlerë. Është vërtetuar se këto dy namaze janë të vlefshme se në këto dy namaze bashkohen melekët, ngrihen veprat etj.’
Përgëzimi i shtatë: Arritja e shpërblimit të namazit të natës. Nga Uthman bin Afani (r.a.), transmetohet se ka thënë: “E kam dëgjuar Pejgamberin (a.s.), duke thënë: ‘Kush e fal namazin e jacisë me xhemat ka shpërblim sikur të falej gjysmën e natës, ndërsa kush e fal namazin e sabahut me xhemat ka shpërblim sikur të falej tërë natën.” [10]
Përgëzimi i tetë: Duaja e melekëve. Nga Ali bin Ebi Talibi (r.a.), transmetohet se ka thënë: “E kam dëgjuar Pejgamberin (a.s.), duke thënë: “Kush e fal namazin e sabahut pastaj qëndron në xhami, për të luten melekët.” Duaja e tyre për të është: “O Allah, fale atë, O Allah mëshiroje atë!” [11]
Përgëzimi i nëntë: Arritja e shpërblimit të haxhit dhe umres. Pejgamberi (a.s.), ka thënë: “Kush e fal sabahun me xhemat pastaj ulet dhe e përkujton Allahun derisa dielli të lindë, e pastaj fal dy rekate, ai fiton shpërblimin sikur të ketë kryer haxhiin dhe umre të plotë, të plotë, të plotë” [12]
Përgëzimi i dhjetë: Mbrojtja e Allahut (xh.sh.). Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Kush e fal namazin e sabahut, ai është në mbrojtjen e Allahut. Të mos marrë guximin askush ta cenojë këtë mbrojtje të Allahut (duke e sulmuar këtë njëri) me asgjë, ngase kush e merr guximin ta cenojë këtë mbrojtje, Allahu do të hakmerret ndaj tij e më pas e hedh me fytyrë në zjarr të xhehenemit.”[13]