Vajza e Ebu Bekrit r.a. dhe njëherit bashkëshortja më e dashur e pejgamberit s.a.v.s. u lind në vitin e katërt të Shpalljes.
Emri i saj Ajshe, ndërsa mbiemri Umu Abdullah (nëna e Abdullahut), mirëpo në përgjithësi e thirrnin “e sinqerta”. Derisa nuk kishte fëmijë, nuk kishte as mbiemër. Në atë kohë të kesh mbiemër ishte nder i madh dhe njerëzit gjithmonë e donin një gjë të tillë. Një ditë Ajshja r.a. e pyeti të dërguarin e All-llahut, paqja dhe mëshira e Tij qoftë mbi të: “O i dërgur i All-llahut, gratë tjera kanë mbiemër, ndërsa unë nuk kam, andaj të lutem ma propozo një!” Pejgamberi s.a.v.s. i tha: “Përse nuk e merr mbiemrin e Umu Abdullahut?” Abdullahu ishte i biri i motrës së Ajshes.
Qysh nga fëmijëria, Ajshja r.a. ishte jashtëzakonisht intelegjente. Që kur ishte ende vajzë, ajo ishte e këndshme, gazmore dhe kishte memorje fantastike. Madje, edhe kur u bë e moshuar, i mbante në mend disa momente të fëmijërisë së saj të hershme. Kur ndodhi shpërngulja e pejgamberit s.a.v.s. prej Mekes në Medine, ajo i kishte jo më shumë se 9 vite, por historia tregon se shumë gjëra janë transmetuar pikërisht prej saj. Asnjë prej shokëve të pejgamberit s.a.v.s. nuk kishte të mbledhur më shumë hadithe se ajo.
Pejgamberi s.a.v.s. dhe Ebu Bekri r.a. kishin deklaruar se mes veti janë vëllezër dhe ky deklarim kishte vlerë të madhe. Martesa e pejgamberit s.a.v.s me bijën e tij këtë lidhje e bëri edhe më të fortë.
Pas vdekjes së Hatixhes r.a., gruaja e Othmanit r.a. e pyeti pejgamberin s.a.v.s. nëse ka dëshirë të martohet përsëri për ta larguar pikëllimin. Pejgamberi s.a.v.s. i tha asaj: “Me kë të martohem, me ndonjë të vejë, apo me të virgjër?” Ajo iu përgjigj: “Prej të dy kategorive ka. Ajshja, bija e Ebu Bekrit është e virgjër dhe Sauda, bija e Zamës është e vejë.” Më vonë, pejgamberi s.a.v.s. u martua me të dyjat. Para se Ajshja r.a. të martohej me të dërguarin e All-llahut, paqja dhe mëshira e Tij qoftë mbi të, ajo ishte e fejuar me një pabesimtar.
Familja e të fejuarit të Ajshes, e prishën këtë fejesë nga shkaku se mendonin se pasi të martohet me Ajshen, djali i tyre do të bëhej musliman. Në atë kohë Ajshja ishte vetëm 6 vjeçare.
Pas vendosjes në Medine, pejgamberi s.a.v.s. e dërgoi Zejd ibn Harithin dhe shërbëtorin e tij Ebu Rafen për ta përcjellur Ajshen r.a. për në Meke. Shoqëruesve të Ajshes r.a. pejgamberi s.a.v.s. ua kishte dhënë 500 dirhem si furnizim për atë udhëtim. Ajshen r.a. e sollën në Medine pa pasur ndonjë problem gjatë rrugës, mirëpo ndryshimi i klimës ndikoi negativisht tek ajo. Ajo u sëmur dhe i ranë flokët e saj të mrekullueshme. Pasi i kaloi ajo sëmundje, ajo shtoi në peshë. Pastaj Ebu Bekri e pyeti pejgamberin s.a.v.s.: “Pse nuk e merr Ajshen në shtëpinë tënde o i dërguar i All-llahut? Ceremonia martesore tanimë është bërë e ditur.” Profeti s.a.v.s. ia ktheu: “Nuk kam të holla për t’ia paguar mehrin asaj.” Kur e dëgjoi këtë Ebu Bekri, i mori 500 dirhem të tij dhe ia dha profetit, paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të! Ato të holla i mori profeti s.a.v.s dhe ia dërgoi Ajshes r.a., ndërkaq ajo erdhi te profeti s.a.v.s në muajin sheval të vitit të parë të hixhretit.
Në kohën kur Ajshja r.a. u lind, shtëpia e Ebu Bekrit veçmë ishte ndriçuar me dritën e Islamit dhe kjo (dritë) kishte zënë vend në zemrën e saj. Kjo dashuri (për Islamin) ishte rritur edhe më tepër atëherë kur ajo u martua me profetin, paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të! Shumë ngjarje prekëse dhe interesante i kishin ndodhur asaj. Në vijim do t’i shtjellojmë ca prej tyre:
Tregimi i parë ishte kur Ajshja r.a. ishte me profetin s.a.v.s. në një karavan. Kur arriti nata, e ndalën karavanin për të pushuar. Ajshja r.a. doli nga ai për nevoja të veta personale dhe e humbi qaforen e saj të çmuar. Kur e kuptoi se e kishte humbur, filloi ta kërkojë. Në ndërkohë, karavani e kishte vazhduar rrugën, mirëpo Ajshja r.a. nuk e dinte se ai nuk ishte në vendin që e kishte lënë ajo.
U mbështoll me rrobet e veta dhe priste për të ardhur dikush për ta shpëtuar. Pas pak u takua me Safvan ibn Mautalin, detyra e të cilit ishte që të qëndrojë pas karavanit dhe t’i mbledhë ato që mbetnin mbrapa. Ai kur Ajshen r.a. i tha që ngjitet mbi deven e tij. Dikua kah mesdita iu bashkangjitën karavanit. Ky incident i dha rast disa njerëzve që të keqkuptojnë dhe të hudhin shpifje për të. Ata hipokritë, e filluan një propagandë të djallëzuar kundër Ajshes, gjegjësisht e akuzuan atë për shkelje kurore. Kjo propagandë mori përmasa të hatashme saqë profeti s.a.v.s. u detyrua që ta dërgojë Ajshen r.a. tek prindërit e vet për ca kohë. Në një rast ai s.a.v.s. tha: “Nëse Ajshja është e pafajshme, All-llahu i Lartësuar do ta mbrojë atë.” Kjo çështje zgjati disa ditë derisa All-llahu i Lartësuar e shfajësoi Ajshen r.a. nga kjo shpifje. Kjo gjendet në kaptinën e 24 – të. Kjo ndodhi kur profeti s.a.v.s. shkoi tek shtëpia e prindërve të saj. Profeti s.a.v.s. i tha asaj se All-llahu e kishte shfajësuar dhe ia lexoi ajetet e kaptinës së 24 – të rreth çështjes në fjalë. Nëna e Ajshes r.a. i tha asaj të ngritet e ta falënderojë profetin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Ajshja, më pastaj, ia ktheu: “Unë do ta falënderoj vetëm All-llahun e Lartësuar, pasiqë Ai më shfajësoi.”
Tregimi i dytë është gjithashtu mjaft i rëndësishëm. Furnizmi me të mirat e kësaj bote nga ana e profetit s.a.v.s. kundrejt grave të tij ishte i pamjaftueshëm. Ushqimet që shtëpia e profetit s.a.v.s. i konsumonte përfshinin drithra, hurme etj. Gjithë bashkëshortet e profetit s.a.v.s. njëzëri u ankuan tek ai për pamjaftueshmë rinë e ushqimeve. Profeti s.a.v.s. në këtë rast tregoi pakënaqësi. Ebu Bekri r.a. dhe Omeri r.a. i thanë bijave të tyre që ta ndalojnë turrin e tyre kundrejt profetit s.a.v.s. për ta shtypur atë në shtimin e furnizimeve ushqimore, megjithatë bashkëshortet tjera e vazhduan atë kërkesë. Më në fund profeti s.a.v.s. vendosi që t’i ndërpresë marrëdhëniet me gratë e veta për një muaj. Ai u largua edhe nga dhoma e tyre. Me këtë rast u krijua një përzierje e madhe ndër njerëz dhe ata menduan se profeti s.a.v.s. ishte shkurorëzuar me gratë e tij. Omeri r.a. kërkoi që të flasë me profetin s.a.v.s. dhe për këtë herë nuk iu plotësua dëshira. Kërkoi edhe për të dytën herë, e edhe këtë nuk arriti të takohet me të.
Për të tretën herë, më në fund, profeti s.a.v.s. ia plotësoi dëshirën atij dhe e pranoi të bisedojë me të për këtë çështje. Kur hyri Omeri r.a. në dhomën e tij, e pa të shtrirë në një shtrojë të pagdhendur dhe të papërshtatshme për të qëndruar në të, prej së cilës (shtrojë) profetit s.a.v.s. i kishin mbetur shenja në trupin e tij fisnik. Enët ngrënëse ishin në tokë të shpërndara prej njëra-tjetrës. Kur Omeri r.a. e pa këtë skenë, u pikëllua shumë dhe e pyeti: “O i dërguar i All-llahut, a je shkurorëzuar me gratë e tua?” Profeti s.a.v.s. iu përgjigj: “Jo!” Omeri r.a. më pastaj e transmetoi këtë lajm deri tek besimtarët. Ai muaj kishte 29 ditë dhe ai s.a.v.s. u kthye prej dhomës së tij në të cilin qëndroi i izoluar. Kur u kthye tek gratë e tij, Ajshja r.a. ishte e para e cila u vizitua ng ai.
Tregimi i tretë ishte kur profeti s.a.v.s. i tha Ajshes r.a.: “Mund të më përgjigjesh në një pyetje që do ta parashtroj, mirëpo pasi të konsulltohesh me prindërit e tu.” Ajshja r.a. i tha: “Cila është ajo pyetje?” Profeti s.a.v.s. filloi t’i lexojë ajetet: “O ti pejgamber, thuaju grave tua: Në qoftë se e lakmoni jetën e kësaj bote dhe stolitë e saj, atëherë ejani, unë po ju jap furnizimin (për lëshim) dhe po ju lëshoj ashtu si është e rrugës. E nëse e doni All-llahun, të dërguarin e Tij dhe botën tjetër, atëherë të jeni të sigurta se All-llahu ka përgatiur shpërblim të madh për ato prej jush që bëjnë punë të mira.” (33: 28-29). Kur e dëgjoi këtë Ajshja r.a., tha: “O i dërguar i All-llahut, pse më duhet t’i pyes prindërit?! Unë e preferoj All-llahun, të dërguarin e Tij dhe botën e ardhme më shumë komoditetet e rëndomta.” Profeti s.a.v.s. u nda i kënaqur prej përgjigjes së Ajshes r.a. dhe i tha që këtë pyetje do t’ua parashtrojë edhe bashkëshorteve tjera. E bëri këtë dhe secilës që ia thonte këtë pyetje, ia tregonte edhe atë që Ajshja r.a. e kishte thënë.
Profeti s.a.v.s. ndjente dashuri të madhe për Ajshen r.a. saqë kjo mund të vërtetohet me fjalët: “O All-llah, nga gjërat që i kam në kontroll, gjithmonë mbaj drejtësi mes tyre (e kishte për qëllim të thojë se ai mbante drejtësi mes grave të tij, pa e dalluar ndonjërën mbi tjetrën), por më fal për atë që është jashtë kontrollit tim (e kishte për qëllim të prononcojë se Ajshen e dashuronte më shumë)!”
Një herë tjetër, Amr ibn el – Asi i tha: “O i dërguar i All-llahut, kë e do më së shumti (prej bashkëshortëve) ?” Profeti s.a.v.s. iu përgjigj: “Ajshen!” Amr ibn el – Asi përsëri e pyeti duke i thënë: “Ndërkaq, kë e do më së shumti prej meshkujve?” Profeti s.a.v.s. iu përgjigj: “Ebu Bekrin!” Njëashtu, edhe Ajshja r.a. ndjente po aq dashuri për profetin, paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të.” Ndodhte që Ajshja r.a. zgjohej gjatë natës dhe nëse nuk e gjente profetin s.a.v.s. pranë saj, turbullohej. Një natë, ajo nuk e gjeti profetin s.a.v.s. në shtrat kur i doli gjumi në mesin e natës. Filloi ta kërkojë andej e këndej dhe mendoi se mos vallë kishte shkuar te njëra nga gratë tjera, mirëpo, e gjeti atë duke u falur. U turpërua nga ky akt dhe tha: “Prindërit e mi t’u bëfshin kurban! Unë po mendoja për diçka tjetër, e ti paske qenë i zënë në një punë tjetër.”
Dashuria e saj për profetin s.a.v.s. mund të matet edhe duke u bazuar në faktin që petku në të cilin profeti s.a.v.s. kishte vdekur, më pastaj u ruajt nga Ajshja r.a. në një vend të sigurtë.
Ajshja r.a. ishte tetëmbëdhjetë vjeçare kur profeti s.a.v.s. ndërroi jetë. Ai qëndroi 13 ditë i sëmurë. Gjatë kësaj periudhe, ai qëndroi 8 ditë me Ajshen r.a., ndërsa me gratë tjera qëndroi 5 ditë. Ai poashtu vdiq në dhomën e Ajshes, All-llahu qoftë i kënaqur prej saj! Pas vdekjes së profetit, paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të, ajo jetoi edhe 48 vite si e vejë.
Dy vite më vonë, Ebu Bekri – prijësi i parë i muslimanëve – iu bashkëngjit profetit s.a.v.s. në Parajsë, kështuqë, Ajshja krahas asaj që ishte e vejë, tani mbet edhe jetime. Ebu Bekri r.a. u varros afër profetit, paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të! Në atë kohë, ajo i kishte vetëm 20 vjet. Pas tij, prijës u zgjedh Omeri r.a. dhe më këtë rast ai miratoi nga një shumë prej 10.000 dirhem për bashkëshortet e profetit, paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të, kurse për Ajshen r.a. i miratoi 12.000 dirhem. Në sqarim të kësaj ai tha se me vetë faktin që Ajshja ishte më e dashura për profetin, paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të, ajo edhe meriton më shumë.
Në kohën kur Omeri r.a. ishte për të vdekur, e dërgoi birin e tij tek Ajshja r.a. me kërkesë që t’i japë leje atij (Omerit r.a.) për t’u varrosur pranë profetit, paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të! Ajshja i tha: “E pata zgjedhur atë vend për vete, por do ta bëj atë për Omerin.”
Edhepse Ajshja r.a. i kishte dhënë leje Omerit r.a. që të varrosej pranë profetit, paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të, prapë se prapë, Omeri r.a. në testamentin e tij i kishte thënë birit të tij: “Dërgoje kufomën time tek dera e Ajshes, nëse pranon që të varrosem aty – mirë, përndryshe dërgomë aty ku janë varrezat e muslimanëve!”
Ajshja r.a. e lejoi që të varrosej në atë vend ku ishin marrë vesh me Omerin r.a. para se ai të vdiste, kështuqë u varros dhe tani profeti, paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të, Ebu Bekri r.a. dhe Omeri r.a. u varrosën në të njëjtën dhomë (vend). Ky akt e argumenton shpirtgjerësinë dhe natyrën e saj të mirë.
Ajshja r.a. ishte e dobët gjatë kohës kur ishte më e re, mirëpo më vonë shtoi në peshë. Kishte një çehre të çelur dhe ishte femër shumë e bukur. Veshja e saj e preferuar ishte këmisha e kuqe dhe fustani (mbështjellësja) e zezë. Ajo ishte e kënaqur edhepse në jetën e saj e ka pasur vetëm atë fustan të cilin e ka larë dhe e ka mbajtur... Ajo ishte një ndjekëse e vërtetë e Sheriatit. I këshillonte fëmijët për të bërë punë të mira dhe i këshillonte për të qenë modestë e të druajtur. Ajo gjithashtu i qëndronte rreptë edhe mbulesës.
Një ditë Is-haku, i cili ishte i verbër, erdhi për ta vizituar, kurse ajo e mbështolli veten me një mbështjellëse. Kur e kuptoi këtë Is-haku i tha: “Përse mbështjellesh nga unë kur unë nuk mund të të shoh?” Ajshja r.a. pa hezitim iu përgjigj: “Unë të shoh, nëse ti nuk mund të më shohësh.” Ajo asnjëherë nuk qe lakmitare dhe gjithmonë i bënte ballë jetës së vështirë që e kishte. Transmetohet se një herë ka thënë: “Pas vdekjes së profetit, paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të, asnjëherë nuk u ngopa, e kurdoherë që e bëja këtë, më rridhnin lotët.” Kur u pyet për shkakun, ajo tha: “Bëja kështu sepse e dija që profeti s.a.v.s. deri në vdekjen e tij nuk kishte ushqim të mjaftueshëm për të ngrënë.”
Dashuria e saj ndaj profetit s.a.v.s. mund të parafytyrohet në shtjellim të një ngjarjeje tjetër.
Njëherë ajo u grind me Abdullah ibn Zubejrin dhe u betua se asnjëherë më nuk do t’i flasë atij. Abdullahu u pendua dhe i kërkoi falje. Familjarët nga nëna e profetit s.a.v.s. iu lutën asaj që ta pranojë faljen e Abdullahut. Në këtë rast ajo qau dhe tha: “Ju jeni familjarët e profetit, paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të, andaj i nënshtrohem kësaj këshille.” Kjo nënkupton shkelje të betimit të saj, kështuqë, i liroi 40 robër si kefaret (shpagim në rast të shkeljes së betimit).
Njëherë Ajshja r.a. po agjëronte dhe kishte vetëm një copë buke për të bërë iftar. Një lypës erdhi tek ajo dhe i kërkoi diçka për t’i dhënë. Ajo ia dha atë copë buke të vetme, ndërsa ajo pastaj bëri iftar me ujë.
Ajshja r.a. falte shumë. Ajo nuk kishte aspak armiqësi madje as edhe ndaj armiqve të vet. Vëllau i saj Muhamed ibn Ebu Bekri ishte vrarë nga Muavija – djali i Hatixhës, por ajo ia fali atij.
Ajshja r.a. tregonte vëmendje përkatëse për çdo person. Njëherë erdhi një lypës dhe ajo i tha të shkojë. Një ditë tjetër erdhi një udhëtar i veshur mirë dhe i tha se ishte i uritur. Ajo i ofroi ushqim dhe ujë. Njerëzve nuk u pëlqeu ky ndryshim sjelljesh. Ajo më pastaj në sqarim të këtij qëndrimi tha: “Profeti s.a.v.s. pat thënë se njerëzit duhet trajtuar në bazë të rangut dhe meritave të tyre.”
Ajshja r.a. ishte zemërgjerë dhe e mëshirshme. Njëherë Ebu Zubejri ia dërgoi asaj 100.000 dirhem si dhuratë. Atë ditë ajo po agjëronte. Paratë që i mori nga Ebu Zubejri menjëherë ua shpërndau të varfërve. Në mbrëmje, në kohën e iftarit, shërbëtorja e saj i tha: “Oj nënë e besimtarëve! Pse nuk i ruajte të paktën disa të holla për të blerë pak ushqim për iftarin tënd?” Ajshja r.a. iu përgjigj: “Përse nuk ma kujtove në atë kohë? {d.m.th atëbotë nuk ka menduar për vete, por e ka parë të arsyeshme që ato të holla menjëherë t’ua shpërndajë të varfërve (sh.p.)}.
Në luftën e Hendekut ishin të rrethuar nga të gjitha anët prej pabesimtarëve. Rreziku prej sabotimit nga ana e çifutëve të Medines ishte gjithashtu i pashmangshëm, por ajo e vështronte terenin e hendekut edhe atë pa pasur pikë frike. Përveç kësaj, edhe në luftën e Uhudit ajo i pajiste ushtarët me ujë dhe i mjekonte të plagosurit.
Ajshja r.a. posedonte shumë virtyte të mira. Si rezultat i këtyre virtyteve, ajo konsiderohej si njeriu më i mirë prej shoqëruesve të profetit, paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të! Ajo dallohej për dituri, intelegjencë dhe miqësi të ngushtë me profetin s.a.v.s. edhe atë më shumë se çdokush tjetër, përveç babait të saj (Ebu Bekrit). Historia njeh shumë ngjarje që e argumentojnë superioritetin e saj ndaj të tjerëve.
Një ditë të pranishmëve u tha: “Unë kam 10 cilësi, të cilat më japin përparësi ndaj grave tjera të profetit, paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të:
1) Unë jam femra e vetme që jam martuar për profetin s.a.v.s. si e virgjër.
2) Unë jam e vetmja, që të dy prindërit i kam pasur prej migruesve për shkak të Islamit.
3) Unë isha ajo që All-llahu i Lartësuar, drejtpërsëdrejti, më justifikoi dhe e dëshmoi pafajësinë time kur unë isha e akuzuar për diçka të pabërë nga unë.
4) Unë u zgjodha prej Xhibrilit a.s. që të personifikohesha nga ai dhe ai (Xhibrili a.s.) në atë formë, shkoi te profeti s.a.v.s. dhe i propozoi që të martohet me mua.
5) Unë, shpesh qëndroja para profetit s.a.v.s kur ai falte namaz.
6) Unë isha në prani të profetit s.a.v.s. kur atij i vinte Shpallja.
7) Unë, për dallim nga të tjerat, lahesha së bashku me profetin, paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të!
8) Unë isha e fundit që do të vizitohesha nga profeti s.a.v.s. para se ai të ndërronte jetë.
9) Unë isha ajo që e mbajta trupin e profetit s.a.v.s. në gjoksin tim, kur shpirti i tij tanimë i kishte dalur prej trupit.
10) Unë u nderova që kufoma e profetit s.a.v.s. të jetë e varrosur në dhomën time.
Ka shumë hadithe të profetit s.a.v.s. dhe libra të shumta që vërtetojnë se s’ka pasur asnjë grua të profetit s.a.v.s me aq shumë virtyte sa Ajshja, All-llahu qoftë i kënaqur prej saj! Profeti s.a.v.s. pat thënë: “Ajshja r.a. është superiore ndaj grave tjera sikurqë tharidi (një lloj gjelle që bëhet në Arabi) është superior ndaj ushqimeve tjera.”
Një njeri prej gjeneratës pas profetit s.a.v.s. ka thënë: “I kam parë shumë shokë të profetit s.a.v.s. që e pyetnin Ajshen r.a. për çështje të rëndësishme të fesë.”
Imam Zuhri thoshte: “Dituria e Ajshes r.a. është më e mirë sesa gjithë dituria e akumuluar e tërë grave të profetit s.a.v.s. dhe e tërë muslimanëve tjerë.” Një herë Ebu Musa Ehrari pat thënë: “Ne, që ishim në prani të profetit s.a.v.s. vetëm një herë, asnjëherë nuk hezitonim ta pyesnim Ajshen r.a. për çështje fetare dhe ajo me përpikmëri na jepte përgjigje dhe na udhëzonte.”
Urve ibn Zubejri thoshte: “Ajo ishte superiore në logjikën fetare, në medicinë dhe në poezi. Ajo kishte memorje të mrekullueshme.
Ebu Selma ibn Abdurrahman ibn Auf thoshte: “S’kam parë dijetar më të mirë të Sunnetit të profetit s.a.v.s. sesa Ajshja, All-llahu qoftë i kënaqur prej saj! Ajo dintë t’i interpretojë ajetet kur’anore në mënyrë shumë perfide.”
Një citat i ‘Ata ibn Rebah thotë: “Ajshja ishte teologe e mrekullueshme dhe mendimtare e shquar.”
Një herë Muavija r.a. kishte pyetur: “Kush është teologu më i madh i kohës sonë?” Të pranishmit i thanë: “Ti je ai o i nderuar!” Muavija r.a. pastaj i tha: “A mund të betoheni për këtë që po e thoni?” Njëri prej tyre tha: “Jo, (nuk mund të betohemi) pasi nuk është askush më i mirë sesa Ajshja.”
Padyshim që Ajshja r.a. ishte bashkëshortja më e dashur te profeti s.a.v.s. dhe e ajo u mundua që të përfitojë sa më shumë dituri dhe udhëzim prej tij. Kishte edhe të tjera (gra të profetit s.a.v.s.) që kishin afërsi të ngjajshme me profetin, paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të, por asnjë prej tyre nuk mundte t’i interpretojë gjërat më mirë se ajo. Ajo mundej të depërtonte në thellësinë e problemeve aty për aty, përderisa të tjerët nuk mundnin ta bënin këtë gjë.
Ajshja r.a. kishte një logjikë të thellë. Është i njohur mendimi që njerëzit sa më të aftë të jenë në aspektin mendor, janë më të prirur për ateizëm e mosbesim dhe si rezultat i racionalizimit të çdo problemi, ata bëhen pre e teorive të ndryshme botërore. Megjithkëtë, edhepse Ajshja r.a. ishte një person me intelekt të rrallë, ishte që më së shumti dituri në jurisprudencë n islame dhe më së shumti ishte që kultivonte dashuri për Islamin. Koncepti i ndotur për Islamin që mbretëronte në atë kohë në Arabinë Saudite, ishte i përmbushur me paragjykime të fëlliqta. Njerëzit e thjeshtë mbanin hajmali për t’u mbrojtur prej belave dhe për t’i zgjidhur problemet. Gratë e asaj kohe me zell i praktikonin këto punë. Ajshja r.a. i urrente paragjykimet, duke u bazuar në atë se vetëm All-llahu i Lartësur ka të drejtë ta dënojë apo ta shpërblejë dikë. Ajo luftonte papërkulshëm kundrejt këtyre ligësive shoqërore. Një herë ajo e pa një brisk rroje pranë shtratit të një fëmije. U hidhërua shumë dhe e ndaloi atë duke thënë: “Profeti s.a.v.s. ishte kundër të gjitha hajmalive!”
Kjo ngjarje i jep hov për ecje përpara orientimit përparues të Islamit. Vetëm injorantët bëhen pre e këtyre paragjykimeve, pasi këto paragjykime muslimanin e çojnë madje deri në mosbesim. Muslimani i vërtetë beson se çdo e mirë apo e keqe vjen mund të ndodhë vetëm me lejen e All-llahut të Lartësuar. Gratë duhet të jenë më të kujdesshmet dhe nuk duhet t’u dorëzohen këtyrë ligësive.
Ajshja r.a. ka transmetuar më tepër se 2.250 hadithe. Jeta e saj zgjati 63 vite. Gjatë jetës së saj nuk është shënuar dikund që ajo ka bërë ndonjë lajkë. I urrente lajkat dhe lajkatarët. Në kohën kur ishte e sëmurë nga sëmundja e fundit (prej së cilës edhe ndërroi jetë), Abdullah ibn Abasi kërkoi nga leje nga jo që ta vizitojë, mirëpo ajo refuzoi, sepse e dinte që ai do ta lavdërojë atë. Me insistim të nipave të saj, ajo e lejoi Andullahun për ta vizituar. Me të hyrë Abdullahu në shtëpi të saj, ia filloi të thojë lavdata, e ajo i tha: “O ibn Abas, më lër të qetë dhe mos u mundo të bësh kësi punë! Betohem në All-llahun se më shumë kisha dashur që të kisha qenë gur.”
Madhështia e Ajshes r.a. mund të njihet nga fakti se çdoherë kur dikush e vizitonte gjatë sëmundjeve fatale të saj, ajo thoshte: “Falënderimet i takojnë vetëm All-llahut, mirë po ndjehem.”
Ajshja r.a. ndërroi jetë gjatë udhëheqjes së Muavijës, All-llahu qoftë i kënaqur prej tij, në muajin Ramazan. Atë natë fenerë të panumërueshëm ishin të ndezur në qytetin e Medines dhe kishte tepër gra nëpër rrugë. Një i huaj e pyeti Ubejd ibn Kumejrin: “Kush është lënduar me vdekjen e Ajshes?” Ai iu përgjigj: “Gjithë ata që e konsiderojnë atë nënë! E ajo ishte nënë e gjithë besimtarëve.” Në testamentin që e kishte lënë, kishte thënë se dëshironte të varrosej në atë natë që kishte vdekur, kështuqë atë natë, menjëherë pasi vdiq, u varros. Ebu Hurejra ishte ai që ia fali namazin e xhenazes, ndërsa Abdullah ibn Muhammed ibn Abdurrahmani dhe Abdullah ibn Abdurrahmani e lëshuan trupin e saj në varr. All-llahu qoftë i kënaqur prej Ajshes r.a. dhe na bashkoftë neve me të në Xhennetul Firdews.