Protestë masive kundër ndalimit të shamisë Parullat e ngritura gjatë protestës: “Ka mbaruar
koha e komunizmit”, “Jemi krenarë që jemi shqiptarë e myslimanë”. E premte 18 Qershor 2010 18:48 Mijëra qytetarë nga vende të ndryshme të Kosovës u mblodhën në
Prishtinë për të protestuar kundër vendimit për ndalimin e shamisë në
shkollat e mesme, nën organizimin e rreth njëzet organizatave.
Masa e protestuesve filloi marshimin para Qeverisë së Kosovës, duke
vazhduar më pas para Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë
duke shprehur revoltën, me ç’rast përfaqësues të zgjedhur nga
organizatorët kërkuan konsultim të drejtpërdrejtë nga zyrtarët e
ministrisë. Pas një konsultimi të shkurtër, zyrtarë nga kjo ministri
thanë se ministri Hoxhaj është jashtë vendit në një udhëtim zyrtar dhe
se s’mund të japin përgjigje. Organizatorët morën premtimin nga zyrtarë
të kësaj ministrie se pasi të kthehet ministri, do të realizojnë një
takim për çështjen e kësaj kërkese.
Ndërsa, për një fjalë rasti, me dëshirën e saj u prononcua edhe një
qytetare amerikane, Dr. Rachel Louise Matiennez, aktiviste e një misioni
humanitar në Kosovë, e cila tha se shpreh përkrahjen e saj për të
drejtat e nxënësve që bartin shaminë, ngase qeveria nuk mund të imponojë
se çka duhet të veshin qytetarët e saj.
Protestuesit më pas, vazhduan rrugën për te Kuvendi Komunal i
Prishtinës, duke shprehur pakënaqësinë e tyre, duke kërkuar edhe një
konsultim me zyrtarët komunalë, nga ana e përfaqësuesve të zgjedhur nga
organizatorët. Por edhe kjo kërkesë, pas një konsultimi të shkurtër
përfundoi pa përgjigje konkrete, ngase kryetari Isa Mustafa ishte jashtë
vendit.
Në fjalën e rastit organizatorët thanë se kjo është një shkelje e të
drejtave themelore, dhe se shteti me këtë na mohon të shfaqim
identitetin tonë.
Në këtë protestë u shpreh kundërshtimi rreth udhëzimit administrativ
të nxjerrur nga MASHT që ndalon nxënëset të bartin uniformë fetare –
mbulesë.
Thirrjet dhe parullat e ngritura ishin me mesazhe kundër vendimit në
fjalë me mbishkrimet: “Ka mbaruar koha e komunizmit”, “Jemi krenarë që
jemi shqiptarë e myslimanë”, etj.
Protesta përfundoi e qetë, me premtimin nga ana e organizatorëve se,
nëse edhe pas realizimit të takimit me zyrtarë të MASHT-it dhe të
Kuvendit Komunal nuk hasin në përgjigje pozitive, protesta e radhës do
të jetë e një niveli më të lartë.