Me
të vërtetë falja e namazit të sabahut me xhemat ka shpërblim të madh.
Ne do të përmendim disa prej dobive të namazit të sabahut.
1.
Falja e namazit të sabahut ka shpërblimin e namazit të natës
...
Dihet se namazi i natës është prej adhurimeve më të lavdëruara dhe
prej veprave që më së shumti e afrojnë njeriun afër Allahut të Lartësuar
dhe ia shtojn njeriut imanin. Gjithashtu ky namaz, duke u vetmuar në
orët e vona të natës vetëm me Allahun e Lartësuar, është prej Sunetit të
Pejgamberit salallahu alejhi ue selem.
Duke ditur të gjitha
këto vlera dhe shpërblime të namazit të natës, ne nuk po kemi mundësi të
ngrihemi për t’u falur, duke e lënë anash këtë namaz dhe gjithmonë
vijnë duke u dobësuar qëllimet tona, saqë gjymtyrët tona janë rënduar e
nuk po kanë mundësi të ngrihen për namaz nate. Si shkak i mosfaljes së
namazit të natës janë edhe fëmijët dhe familja, me të cilët po merremi
më shumë seç duhet.
O ti që po kërkon shpërblimin e Allahut
të Lartësuar, dije se falja e namazit të sabahut me xhemat në xhami e ka
shpërblimin si të kesh falur tërë natën namaz. Pejgamberi salallahu
alejhi ue selem ka thënë:“Ai që e fal jacinë me xhemat e ka shpërblimin
si të ketë falur gjysmën e natës namaz, kurse ai që e fal namazin e
sabahut me xhemat e ka shpërblimin si të ketë falur tërë natën namaz.”
Transmeton Muslimi, 656.
Sa shans i mirë është ky, mirëpo a
je ti prej atyre që nuk e humbin këtë shpërblim të madh?
Nuk
mbaron këtu, pasi prania jote në namazin e sabahut në xhami është më e
mirë sesa të falesh tërë natën. Nëse dëshiron argument për këtë, atëherë
lexo këtë ngjarje.
Transmeton Ebi Bekr ibn Sulejman ibn Ebi
Hathmete, se Omer ibn Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, një mëngjes
nuk e kishte parë Sulejman ibn Ebi Hathmeten në namazin e sabahut në
xhami. Omeri shkoi në treg, kurse shtëpia e Sulejman ibn Ebi Hathmetes
ishte rrugës, në mes xhamisë dhe tregut. Ai shkoi afër shtëpisë së tij
dhe i tha Umu Sulejmanit (nënës së Sulejmanit): “Nuk e pashë Sulejmanin
në xhami në namazin e sabahut.”
Ajo i tha: “E ka zënë gjumi sepse
ka falur shumë namaz nate.”
Omeri i tha: “Të fal namazin e
sabahut në xhami është më e dashur për mua sesa të fal tërë natën namaz
nate.” Transmeton Maliku me sened të vërtetë, 291.
Shiko
pra, o vëlla musliman, se si nuk e ka pranuar Omeri arsyetimin e një
njeriu për mospraninë e tij në namazin e sabahut në xhami, edhe pse
arsyetimi i tij ishte se ai e kishte kaluar tërë natën duke falur namaz
nate duke qëndruar para Allahut të Lartësuar. E si do të pranohet
arsyetimi i disa personave të cilët e kalojnë natën duke shikuar filma,
seriale apo duke ndjekur epshet e tyre?!
2. Prania në namazin
e sabahut është shkak që Allahu i Lartësuar t’i ndriçojë ata me një
ndriçim të plotë në Ditën e Gjykimit
Transmetohet se
Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Ata të cilët shkojnë
(shpeshtojnë shkuarjen) në xhami nëpër errësirë i përgëzoj me një
ndriçim të plotë në Ditën e Gjykimit.” Transmeton Ebu Davudi (561) dhe
shejh Albani ka thënë se ky hadith është sahih. Shih Sahih Ebi Davud,
525.
Fjalët “Shkojnë (shpeshtojnë shkuarjen) në xhami” kanë
për qëllim ata të cilët shkojnë shpesh në xhami dhe e bëjnë shprehi të
vazhdueshme të qenët në namazet me xhemat e jo ata të cilët shkojnë
ndonjëherë në xhami.
Dije se e mira shpërblehet me të mirë.
Allahu i Lartësuar thotë në librin e Tij: “A mund të jetë shpërblimi i
veprës së mirë diç tjetër pos së mirës!” (Er-Rahman, 60)
Kur ti ke dalë në errësirë për ta falur namazin e sabahut ndërkohë që të
gjithë njerëzit janë duke fjetur në shtretërit e tyre, shpërblimi yt në
Ditën e Gjykimit do të jetë një ndriçim i plotë, sepse ti i je
nënshtruar Allahut të Lartësuar dhe i je drejtuar Atij. Nuk ka mirësi më
të madhe dhe përgëzim më të madh sesa ky përgëzim; kur njerëzit do të
jenë në Ditën e Gjykimit në errësirë, ti je që do të kesh ndriçim të
plotë. Pra, vëlla shpejto dhe arrije këtë mirësi dhe mos u vono!