Për arsye se jeta gërshetohet ndërmjet teorikes dhe praktikes, personaliteti i Muhammedit a.s. do të bëhet vravashkë për tërë njerëzinë dhe secili njeri do të gjejë atë që e kërkon. Shembulli i tij nuk linte hamendje ta ndjek apo jo rrugën që e predikonte. Në raport me Krijuesin shembulli i Pejgamberit a.s. dëshmon përkushtimin dhe nënshtrimin ndaj Allahut të madhërishëm.
Ibadeti gjatë netëve të thella ishte koha më e mirë për komunikim me Krijuesin dhe koha për manifestim të mirënjohjes për gjithë të mirat që posedojmë, për begatitë që kemi në vete dhe rreth nesh.
Mirëpo sjellja e Muhammedit a.s. ishte mbresëlënëse edhe për ata që nuk mendonin si ai. Herë-herë i përfitonte zemrat e tyre sepse në vend të ndëshkimit ndaj armikut ai i falte ata; në vend të dëbimit ai i afronte; në vend të skllavërimit ai i lironte; në vend të izolimit ai i mësonte të shoqëroheshin; në vend të varfërimit ai i pasuronte; në vend të hakmarrjes ai i falte dhe i mësonte të falin...; edhe atëherë kur ai ndodhej në çastet më të rënda, edhe atëherë kur e rrezikuan jetën e tij, ai lutej për ta: “O Allahu im, udhëzoje popullin tim, sepse ata nuk dinë.”
Kjo është e vërteta për të, kjo është brendia e tij, ky është thesari nga i cili rrezaton bardhësi, mëshirë, dhembshuri, butësi por edhe këmbëngulësi në rrugën e të vërtetës.
Analiza objektive dhe gjithëpërfshirëse e personalitetit të Muhammedit a.s. shpie në përfundim se jeta e Muhammedit a.s. është pikërisht shembulli ideal për të gjithë njerëzit, në të gjitha kohët, për të gjitha hapësirat. Ky stil jete, të menduari dhe vepruari e bënë njeriun dinjitoz, krenar, të fuqishëm dhe të pathyeshëm.