Të dëgjosh historinë e një avokati iranian që së fundi ka kërkuar azil në Turqi është njëjtë si të lexosh një roman spiunimi.
Detyrimi, sipas avokatit Mohamad Mostafej, për t’u larguar nga Irani erdhi si pasojë e presioneve të mëdha pasi bëri publik para botës rastin e një gruaje që rrezikonte ndëshkimin e goditjes me gurë, Sekineh Mohammadi.
Ky ndëshkim është i zakonshëm në shtetin që udhëhiqet nga Mahmud Ahmedinexhad nëse një grua shpallet fajtore për paturpësi.
Më 24 korrik, pas marrjes në pyetje për 3 orë në një burg afër Teheranit, avokati merr vesh se gjatë ditës do arrestohej.
Ai, ndër të tjera u morr në pyetje nga prokurori publik pse ofron pa pagesë shërbime avokatie për raste të veçanta?
“Pas disa ditësh zyrtarët e bënë të qartë se ata po e mbajnë gruan dhe vëllanë e gruas time si peng dhe se ata nuk do i lënin të lirë përderisa unë të dorëzohesha. Unë vendosa të largohem nga Irani dhe shkova për Turqi”, thotë Mostafaje.
Derisa flet për Radion Evropa e Lirë në Turqi, Mostafaje shpreh shqetësimin për fatin e gruas së tij, e cila besohet se ende mbahet e mbyllur në burg.
Avokati është i bindur se ai dhe familja e tij po ndëshkohen vetëm pse i ofroi mbrojtje Sekineh Mohammadit, rast ky që e turpëroi para botës në veçanti sistemin e drejtësisë së Iranit.
Pas presioneve ndërkombëtare, vendimi për goditje me gurë u tërhoq, por, sipas zyrtarëve, dënimi me vdekje për atë grua qëndron ende në fuqi.
“Ishte detyrë e imja që ta shpëtoj Sekineh Mohammadi dhe për më shumë që drejtësia nuk i ofroi asaj mbrojtje nga goditja me gurë. Unë e mësova atë që të kërkojë ndihmë nga e gjithë bota duke i bërë kështu presion drejtësisë që më pas ajo t’i shpëtojë goditjes me gurë”, tregon Mostafje.
Për rastin e kësaj gruaje u interesua edhe presidenti i Brazilit, i cili ofroi edhe azil për të, një kërkesë kjo që megjithatë u hodh poshtë nga autoritetet e Iranit