Ministria e Brendshme e Shqipërisë, ka paraqitur pranë kompanisë koncesionare "Aleat" më 20.07.2010 kërkesën për aplikimin e orareve të zgjatura të punës në zyrat e aplikimit për dokumenta identiteti pranë zyrave të Gjendjes Civile dhe në zyrat e shpërndarjes pranë komisariateve dhe drejtorive të policisë në qarqe.
Në përgjigje të kësaj kërkese, kompania koncesionare "Aleat" po aplikon orare të zgjatura të punës në zyrat e aplikimit në 77 bashki e komuna dhe në 21 zyra të shpërndarjes së dokumentave të identitetit.
Në takimin e përditshëm mes përfaqësuesve të Ministrisë së Brendshme dhe kompanisë "Aleat" u konfirmua se janë marë të gjitha masat për mbajtjen hapur me orare të zgjatura, nga ora 08:30 deri në orën 19:00, në të 77 zyrat e aplikimit si dhe në 21 zyra të shpërndarjes.
Këto zyra do të jenë të hapura dhe ditën e shtunë. Ditën e dielë do të jenë të hapura zyrat e aplikimit në 12 qytete qendër qarku si dhe në bashkitë Kavajë, Lushnje, Sarandë, Kamëz si dhe në komunën Paskuqan. Në të njëjtën mënyrë do të punojnë edhe zyrat e shpërndarjes.
Deri ditën e djeshme datë 04.08.2010 kanë aplikuar për pasaportë biometrike mbi 880 mijë shtetas dhe janë prodhuar mbi 840 mijë pasaporta biometrike.
Ministria e Brendshme i kërkoi kompanisë koncesionare "Aleat" që nëse do të ketë fluks qytetarësh dhe në bashki e komuna të tjera, të aplikohet regjimi i mësipërm si dhe të shtohet numri i bashkive e komunave ku punohet dhe ditën e dielë varësisht nga fluksi i qytetarëve.